Eko Higjiena

“Unë nuk jam në luftë”

/ 9 minuta lexim

Nga Halil Matoshi- Midis një peizazhi dhune, individi i shtrënguar nga darët e luftës, nën shtetrrethime ushtarake, orë policore dhe nën vëzhgim të shërbimeve të fshehta, në kampe riedukimi dhe nën trysninë e alarmeve agresive ose do të heqë dorë nga të përshtaturit dhe do të mbyllet në veten e tij, pa asnjë ëndërr jetësore, pa asnjë kërkesë dhe pa më të voglin tundim, ose do ta pësojë.

Pra duhet ikur nga të gjitha palët, nga të këqijtë dhe nga të mirët…

Shoqëria kosovare është bashkësi e brishtë, ende pa u rritë në shoqëri politike, ku secili qytetar i edukuar do ta bënte punën e tij, i lirë dhe i lumtur, madje do të merrte mirënjohjen: “Punë e paçme, plako!”

Kjo bashkësi shqiptare, në të shumtën e zënë peng nga dhuna e ushtruar gjatë mbi të, por edhe peng e mujshisë dhe paragjykimit tradicional, edhe nga padija, edhe nga kapadaillëku, sillet mes entuziazmit të çlirimit dhe zhgënjimit nga realiteti i ashpër.

Pa e gjetur qetësinë shpirtërore. Thjesht Kosova ka njerëz të fuqishëm, me shumë para, por nuk ka njerëz të lumtur. Ose ka aq pak njerëz krejtësisht të qetë brenda ëndrrës së vet jetësore, ashtu siç e kanë projektuar ata vetë.

Këtu nuk të lënë që të mos përzihesh në punët e hallkut.

Nuk bën të jesh “unë”, por duhet të bëhesh “ne”.

Problemi më i madh i kësaj shoqërie është identifikimi me të fortin, merr elitat në pushtet, me partitë, klanet ose grupet joformale. Dhe kjo ka ndodhur tepër gjatë kohë, pra rreshtimi pas prijësve arkaikë fisnorë e krahinorë, që e shndërron qytetarin, individin në turmë, së cilës, rëndom, truri i rrëshqet në muskuj. Dhe njerëzit në këto rajone atdheun dhe lirinë i identifikojnë me njerëzit e fuqishëm nga rajoni i tyre që kanë arritur në pushtet.

Prandaj secilën kritikë ndaj modeleve të këqija të qeverisjes e marrin si sulm ndaj vetë atyre.

Kushtetuta amerikane thotë se është detyrë patriotike e secilit qytetar amerikan që ta kritikojë qeverinë për të mos e lënë të gabojë!

Ai që nxit debat, e kjo nuk do të thotë se gjithnjë ka të drejtë, ai e di se të gjitha vlerat janë të negociueshme, pos dhunës, së keqes universale, sepse në debat e sipër i afrohemi së vërtetës, e demokracia është vetë debati shoqëror.

Përditë e më shumë qytetarët po e ndiejnë, po e shohin dhe prekin se kjo nuk është Kosova e idealeve demokratike të shumë brezave, sidomos jo e brezit më të ri.

Shihni, njerëzit po vrapojnë të marrin një pasaportë serbe, që u mundëson lëvizje të lirë, punë dhe ndërtim të ardhmërisë. Ose thjesht u mundëson ikje! Për ku? Nga kush dhe përse? Është krijuar psikologjia e momentumit se po të kishin mundësi shumica e të rinjve kosovarë do të iknin sërish, si në vitet e ’90-ta, tashti nga atdheu i lirë – Kosova, sepse modeli i qeverisjes së vendit të tyre, që nga paslufta e deri më sot nuk ofron mundësi të barabarta.

Është model anakronik, konspirativ.

Ky model qeverisës është relikt i politikave të vjetra ballkanike, vetëm se tashti i një tipi gjysmë totalitar (autokraci moderne) e nacionalist.

Në Kosovë qeveriset me autoritarizëm, mbifuqi në të gjitha segmentet e shtetit dhe mbi të gjitha “gurët rrotullohen” për pushtet personal.

Së këndejmi, Kosova është peng i korrupsionit dhe i krimit të pandëshkueshëm dhe kjo i mundëson një kaste politike kontroll total mbi tërë shtetin, që shkurt e shqip i bie kapje e tij.

Po cili model i qytetarit duhet zgjedhë në këtë ambient jetësor dhe në këtë bashkësi që përbëhet nga “ne”, të mirët, heronjtë, kriminelët, abuzuesit, dhunuesit, modeli i njeriut kryengritës (të revoltuarit) apo ai i ‘natyralistit’ të painteresuar, “njeriut akull të ftohtë”?

Derisa te romani “I ngadalti” shkrimtari nobelist jugafrikan J.M. Coetzee përmes personazhit Pol Raymont shfaqte një interesim për individualizmin, por asnjëherë shoqërisht i angazhuar, pra sillej si një Merso i Camus-it ‘akull i ftohtë’: “Më duket ftohtë kudo që shkoj. A nuk më the edhe ti: Njeri i ftohtë? Unë nuk formoj ‘ne’ me asnjeri”!?

Personazhi i romanit “Jeta dhe koha e Majkëll K.” të J.M.Coetzee, frymon krejtësisht natyralist, mes një peizazhi dhune, Majkëll K.,i shtrënguar nga darët e luftës, nën shtetrrethime ushtarake, orë policore dhe nën vëzhgim të shërbimeve të fshehta, në kampe riedukimi dhe nën trysninë e alarmeve agresive, do të heqë dorë nga të përshtaturit dhe do të mbyllet në veten e tij, pa asnjë ëndërr jetësore, pa asnjë kërkesë dhe pa më të voglin tundim. Pra personazhi ikë nga të gjitha palët, nga të këqijtë dhe nga të mirët… thjesht një jetë njerëzore ikë nga njerëzit. Ai thjesht ka dashur të mbesë kopshtar…

Mobi Casa

Majkëll K. bredh nëpër kohën e të tjerëve duke e lënë “kohën e tij” që të rrjedhë krejtësisht e zbrazët, natyraliste; ai fillimisht është peng i së ëmës së sëmurë, pastaj peng i luftës (qytetare) që s’e pranon si të tij. Ai ikë nga secili soj njerëzor, tërë jetën.

I painteresuar përjashta!

Derisa Noel, oficer ushtrie kërkon “të vërtetën” e Majkëll K.-së, duke kërkuar nga ky me çdo kusht që të trillojë një histori, për ta pasuruar raportin e tij për shefat, kinse ka zbuluar një armik të shtetit, qoftë edhe të fabrikuar (sic!), në anën tjetër infermieri, mjeku ushtarak përpiqet të jetë racional. Por asnjëri në thelb nuk ka të bëjë më të vërtetën e Majkëll.K.

Ai as që ka një histori të tij. Ka dashur të jetë kopshtar.

S’e kanë lënë!?

E ka brakstisur secilin kontakt me njerëzit e kësobotshëm, pos atyre që i imponohen dhunshëm. Madje Majkëll K. nuk dëshiron të mbesë fare njeri korrekt, sepse mu “ata korrektët” janë të përshtatur, të pështirë…

Infermieri racionalizon duke menduar se Majkëll K. po e ndiqte lirinë e vet personale, pa e kuptuar se as liria për të s’ka asnjë kuptim. Majkëll K. thjesht do me e sosë jetën e tij brenda fortifikatës së “unit”.

Jo korrekt – po natyral.

“Unë nuk jam në luftë” është deklarata e tij, për më tepër filozofia e tij në raport me të tjerët të përfshirë në histori dhe që kanë historitë e tyre. K-ja ikë prej të gjitha palëve në luftë, jo vetëm nga ata që identifikohen si “të këqij” dhe atyre “të mirë”, por edhe nga të tretët, rebelë pa arsye, dezertorë, kureshtarë… K-ja ikë edhe nga secila strehë “shtetërore”, kamp pune, kazermë, spital… Thjesht i mjaftojnë shkurret dhe burimet e ujit, saqë do ta lidhte një lugë të lakuar çaji me një spagë dhe të pinte nga pusi – aq pak kërkon nga jeta dhe as në këtë nuk e lënë!?

Pse njerëzit e shkrimit, njerëzit e debatit dhe të mendimit ndryshe në këtë vend paragjykohen e gjykohen deri në stigmë?

Madje tepër shumë njerëz e legjitimojnë ende dhunën dhe persekutimin ndaj atyre që i shmangën mendimit kolektiv dhe të vërtetave të gatshme, doktrinare, sidomos në portalet dhe sajtet në internet, ku vrasja është shprehja më e dendur, shumëfish më e shpeshtë se sa fjala “dashuri”, “vëllazëri” ose “paqe”. Kjo llavë sharësish të dhunshëm është indikator i mjaftueshëm se komentet në portale duhet të kodifikohen ligjërisht, sepse kjo armatë injorantësh (llumi i shoqërisë) kërkojnë kokat e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, ose thjesht mendojnë!

Ata, harbutët, madje përjargen deri në çjerrje: “Në gijotinë!”

Pse ka aq shumë agresion e destruksion në këtë bashkësinë kosovare?

Cili kod i fshehtë e bën këtë soj njerëzish kaq të egër e mizor?

Injoranca dhe tri herë injoranca!

Si përgjigje ndaj këtyre përgojuesve me e pa pagesë, Ernest Koliqi e favorizon modelin shpotitës, tallës, duke e marrë si shembull Hasan Prishtinën.

Koliqi këtu e gati një shekull me parë shkruante: “Tue bisedue para shum kohe me nji të dashun t’êmin, Shqiptar mendesquet e i rysun nëpër ngjarje të ndërlikueme të historís shqiptare, ra fjala mbi grindjet qi e shuejnë ndër né përpjekjen në daç politike në daç shoqnore e letrare. E më tregoi se nji herë në Tiranë Hasan Prishtina, Atdhetari i njoftun kosovar, ishte qênë sulmue keqas nga nji gazetar me nji artikull plot kritika t’ashpra. Hasan begu kishte do djelm si petrita mbas vetes. Njâni prej tyne, si mori vesht sulmin e pësuem nga zotnija i vet, i tha: – “Beg, m’ep lêjen të shkoj e t’i ap nji drû të shëndoshtë atij edepsyzit qi na ka dokanisë aqë randë… “. Atdhetari i Prishtinës i u përgjegj: – “Morè budallë, atij duhet t’i jemi mirnjohës. Deri sa bota më shajnë ndër gazeta e kafehaneve don me thânë se dishka vlej. Atëherë kur mos të flasin mâ kush për tê, nji njerí politiket ka mbarue… Lazër Shantoja thonte: – “Për m’u bâ njerí i madh në Shqipní, duhet me fitue s’paku nji anmik në ditë. Gjindja kur ndigjojnë se dikush shahet pajadá e me ngulm, fillojnë e brehen nga kureshtja m’e njoftë, me dijtë pse përmendet e pse urrehet me aqë furí. Fitò nji anmik në ditë dhe syt e botës kanë m’u sjellun kah ti…” (Ernest Koliqi, “Shêjzat”, 1973.)

Personalisht e zgjedh modelin e Majkëll K.

Sepse, besoni: Unë nuk jam në luftë!!!