Fundamenti

Ulpiana Lama përjeton nga pesë aksidente në javë

/ 13 minuta lexim

Tiranë – “Krahasuar nga niveli emocional, siç tregojnë studimet, edicioni i përditshëm është i barabartë me një aksident me makinë. Pra unë bëj pesë aksidente me makinë, në një javë”, thotë Ulpiana Lama, moderatorja e emisionit Pasdite në Top Channel”, duke qeshur në përgjigjen e parë të intervistës dhënë për revistën Bluethooth.

Ulpiana, sa i lodhshëm është një program i përditshëm? Pse, dukem e lodhur? (qesh)… Edicioni i përditshëm është një sprint i përditshëm. Krahasuar nga niveli emocional, siç tregojnë studimet, edicioni i përditshëm është i barabartë me një aksident me makinë. Pra, unë bëj pesë aksidente me makinë, në një javë (qesh). Kjo është një metaforë për të treguar shkallën e ngacmimit emocional që të jep një emision i përditshëm që zgjat plot 90 minuta. Nga ana tjetër, “Pasdite në Top Channel” është një format që të jep mundësinë të bësh shumë gjëra. Është si të bësh disa lloje emisionesh në një, pra ta sprovosh veten në disa lloje formatesh. Të jep mundësinë të bësh një emision filozofik, informues, artistik… Ta jep këtë mundësi sepse është një gjë e përditshme dhe ka hapësirë kohore. Por nuk të jep mundësinë për të bërë gjëra të tjera. Marrëdhënia me një emision të përditshëm kaq të gjatë është një marrëdhënie obsesive.

Ndërkohë ne dimë që ti, veç këtyre “pesë aksidenteve”, bën dhe të tjera me makinë…

(qesh) Ç’është kjo histori? Kush jua ka thënë këtë?! Aksidente nuk kam bërë. Më kanë qëlluar nga mbrapa në një rast. Provova adrenalinën e shoferit. Madje për herë të parë në jetën time kam filluar të përdor dhe sharje kur jam vetëm në makinë. Shpresoj të mos përkeqësohet gjendja (qesh). Të paktën nuk do të marr pasagjerë derisa të kaloj këtë fazë. Është një liri lëvizjeje, të cilën ma jep makina dhe them me vete pse e kam shtyrë për 17 vite… Ishte momenti që të ndodhte dhe ndodhi tani, a thua se ç’trimëri kam bërë (qesh). Por jam ende si një fëmijë që ka marrë një lodër të re dhe po vazhdon t’i gëzohet, dhe po mëson se si përdoret.

Në “Pasdite” trajtohen tema të ndryshme… Cila është tema që ndjen më afër vetes? Të pëlqen më shumë aktualiteti, trajtimi i një personazhi…? Çfarë bën më kollaj?

Lehtësia e të bërit të një emisioni varet shumë edhe nga bashkëbiseduesi, prandaj është ‘talk show’. Nëse nuk ka bisedim, duhen elemente të tjera të spektaklit, pra nuk është më ‘talk show’, por është një gjë tjetër. Unë ndihem mirë çdo herë që kam bashkëbisedues, bashkëpunues të mirë. Përpiqem që ata të ndihen komodë në emision, por kjo është edhe çështje e secilit prej tyre. Ata janë përgjithësisht njerëz të mësuar me televizionin, me ritmin e tij, nevojat e audiencës, nuk frustrohen nga koha që kanë në dispozicion, me përjashtim të ditës së premte. Është një emision që do ritëm, nuk është emision i kohës së dytë. Kështu që, kam përshtypjen që është kuptuar kjo gjë. Tani njerëzit e njohin dhe dinë se çfarë të presin nga “Pasditja”.

Je ndjerë ndonjëherë e papërgatitur apo në siklet nga reagimi i ndonjë të ftuari apo ke parë që dikush të dalë i pakënaqur nga studio?

Mund të ketë ndodhur që personazhi është ndarë i pakënaqur, por gjithmonë ka qenë për mungesë të kohës. Në të tilla raste unë përpiqem t’ua bëj të qartë që në fillim sa është koha, duke i këshilluar ta përdorin mirë atë hapësirë që u jepet, duke evituar kështu daljen e tyre të frustruar nga emisioni. Për mua është e rëndësishme që njerëzit të ndihen mirë. Kam parimin “bëji të tjerët të ndihen ashtu siç do të doje të ndiheshe ti me ta”. Edhe unë në fillimet e mia kur dilja e ftuar nëpër emisione, kisha frustrime nga mungesa e kohës. Koha televizive nuk është një auditor akademik, ku mund të parashtrosh teorira të mëdha. Natyra e emisionit nuk është e tillë. Por mua më pëlqen ky lloj elasticiteti që ka emisioni. Ti shkon tek njerëzit që jetojnë tek fshatrat e humbura të Shqipërisë, por edhe tek njerëzit elitarë të cilët kanë bërë ndoshta famë edhe nëpër botë. Tek e fundit është një spektër ngjyrash. Mua më pëlqen të jetoj me ngjyra, kështu që e shijoj këtë përvojë.

Ke ndryshuar shumë punë, pavarësisht se kanë qenë thuajse të të njëjtit zhanër. Ke provuar edhe politikën… Çfarë kërkon ti, Ulpianë?

Më kujtohet një roman fantastiko- shkencor, në të cilin personazhet punonin pesë vjet në një punë. Mendohet që pesë vjet janë një kohë e mjaftueshme për t’u perfeksionuar në gjënë që bën, të marrësh më të mirën prej saj dhe të punosh i motivuar. Pas pesë vitesh shfaqet nevoja për të kaluar në një gjë tjetër. Unë gjithmonë them “Zot, dërgomë sinjalet, kur duhet të zgjedh një rrugë tjetër”.

Domethënë kjo është rruga që duhej?

Kjo është rruga që më duhej tani.

Do të na veçosh një eksperiencë nga ato që ke provuar, si më të mirën e jetës tënde?

Ndër më të vështirat mund të them që kanë qenë fushatat elektorale. Fushata elektorale është përvoja më ezauruese njerëzore. Janë periudha kur truri punon gjatë gjithë kohës, duhet të prodhosh nga 12-15 spote për një muaj, me qindra billbordera, ke punë me mijëra njerëz… Një fushatë është një përvojë e jashtëzakonshme. Unë kam kaluar nëpër dy fushata, një si kandidate, dhe tjetrën si stratege e fushatës. Të dyja ishin emocione të llojeve të ndryshme, nuk krahasoheshin me njëra-tjetrën. Është si të jesh prezantues televiziv dhe regjisor apo autor programi, pra puna shihej nga dy këndvështrime të ndryshme. Në një rast isha prezantuesja, pra ajo që ndodhej në dritat e vëmendjes publike, në rastin tjetër isha në prapaskenë. Përvojë tejet e lodhshme, por e nevojshme, zbuluese; kuptova shumë gjëra përmes saj. Kam shijuar shumë përvojën e ligjërimit në universitet. Është si një lloj kanali komunikimi që krijohet. Natyrisht që je e përgatitur, por një pjesë është dhe spontanitet i asaj që vjen nga zbulimet që bëhen po aty, sepse e tillë është natyra e komunikimit. Ndërkohë që flet, nuk je duke zgjedhur tulla parafabrikate, që, këto janë dhe pranojini si të tilla. Sfidohesh duke u sfiduar ; është e rëndësishme të jesh i hapur për të ndryshuar mendje, por edhe kjo është një përvojë shumë e bukur. Pastaj televizioni është tjetër gjë, provon shumë adrenalinë. Është një profesion që tashmë ka filluar të studiohet kudo nëpër botë. Por nuk e di nëse bëhet histori në televizion. Këtë nuk di ta them.

E mendon sërish veten në politikë?

Nuk e di nëse e kam lëkurën aq të trashë, sidomos për këtë nivel politik që kemi në Shqipëri. Është tejet agresiv. Përgjithësisht fantazia na lejohet neve që jemi pjesë krijuese… Televizioni, fiction-i etj. Por imagjinatë që kanë politikanët (qesh)…! Ne jemi nxënës mesatarë krahasuar me ta. Jeta në politikë është perceptimi publik. Në gjithë këtë agresivitet është shumë e vështirë të jesh ai që mendon se je, që edhe publiku të të perceptojë për atë që je. Nëse do të kishte ndonjë moment pastrimi, katarsisi në politikën shqiptare, ndoshta do jepja dhe unë kontribut.

Shqipëria apo Kosova?

Në gjeografinë time të atdheut nuk i ndaj dot. Nuk ndaj dot as urën e Mitrovicës, as urën e Beratit (Urën e Goricës). Janë të dyja pjesë e relievit të atdheut. E kam thënë dhe jam shumë transparente në këtë gjë: unë jam për një konfederatë shqiptare. Kush do të ishte ai burrë apo ajo grua e mençur që do të na krijonte Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë…? Më kujtohet që Kalderon nisi një fushatë për ndryshimin e emrit të Meksikës, nga ‘Shtetet e Bashkuara të Meksikës’ në thjesht ‘Meksikë’. Ky është një ndryshim i vogël linguistik por që u hap rrugën shumë ndryshimeve të tjera. Natyrisht që nuk nis dhe nuk përfundon me ndryshimin e një emri , por është një tregues.

Eco Higjiena

Ne dimë shumë pak për jetën tënde private. A do të na tregosh sot diçka më shumë?

Njerëzit janë gjithmonë kuriozë për jetën private të tjetrit, dhe në një farë mënyre është e justifikuar sepse njerëzit duan të dinë nëse personi që shohin nëpërmjet ekranit është apo jo i vërtetë. Nëse e keni vënë re nëpër emisionet e mia, unë e maskoj kureshtjen. Më duket brutale, mungesë takti, mungesë maniresh të mira të sjelljes, pyetjet që kanë të bëjnë me intimitetin e njeriut. Tek e fundit, gjithë këto qindra vite sofistikimi njerëzor duhet të na shërbejnë për diçka. Tani më thoni çfarë doni të dini pas gjithë kësaj paranteze (qesh).

Duam të dimë për Ulpianën si zonjë shtëpie…

Ju e keni vënë re që unë nuk jam as moraliste, as konformiste. Nuk jam e tipit ‘bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë’. Unë besoj tek etika. Të gjithë ne, pavarësisht besimeve të ndryshme morale që mund të kemi, hajde të mblidhemi në një bashkësi ku të arrijmë në disa vlera të pranuara, duke hyrë kështu në një nivel më të lartë. E kam bërë zonjën e shtëpisë për shumë kohë, edhe për faktin që kam studiuar jashtë. Kam një burrë i cili nuk bën asgjë, nuk i vjen doresh. Është shumë i mirë, shumë i ëmbël, por nuk i vjen doresh për asgjë. Në 14 vjet, dy herë në jetën time më ka skuqur dy kokrra vezë dhe më ka sjellë mëngjesin në shtrat. Madje më duket se kam pasur ditëlindjen në këto dy raste (qesh). Më është dashur t’i bëj vetë të gjitha. Tani kam një lloj komoditeti, sepse që kur kemi ardhur në Tiranë, jetoj bashkë me prindërit e tim shoqi. Kjo ka qenë dhe zgjedhja ime, pasi është djalë i vetëm. Prandaj jam pak e tërhequr nga këto punët e mëdha të shtëpisë. Jam marrë me rregullime, sepse të gjitha nuk mund t’ia lë vjehrrës në dorë.

Na trego si i ke marrëdhëniet me vjehrrin dhe vjehrrën?

Më vjen keq t’i quaj vjehrri dhe vjehrra… Janë njerëz të mrekullueshëm. Ai është profesor historie dhe mua më trajton si një kolege të tijën, me shumë elegancë, me dashamirësi. Ndërsa vjehrrën time, më vjen keq ta quaj kështu. Është një mbështetje shumë e rëndësishme për mua. Edhe në palestër shkojmë bashkë (qesh).

Meqë jemi tek palestra, na trego pak sa kujdesesh për veten tënde? Sa e rëndësishme është pamja për ty, sepse për një figurë televizive përkujdesja duhet të jetë e dyfishtë, apo jo?

Kisha njëzet vjet që i thosha vetes “do shkoj në palestër”… Më “detyroi” dhimbja e shpinës, dhe shkoj sepse më duhet të forcoj muskujt e shpinës dhe të barkut. Unë kam qenë një lloj argati, ‘white color’ që i thonë jashtë… Më është dashur të rri me orë të gjata përpara kompjuterit, të shkruaj fjalime, të përgatis materiale. Dhe ky qëndrim prej 15 vjetësh para kompjuterit më ka bërë që të vuaj paksa… Sa i takon pjesës tjetër, unë thonjtë deri dje i kam mbajtur të shkurtra, por tani duhen rregulluar. Flokët gjithashtu mund t’i kem lënë edhe dy muaj pa lyer, por tani duhet t’i lyej (qesh). Nuk dua të krijoj marrëdhënie obsesive me gjërat që kanë të bëjnë me dukjen. Gjatë ditës sime, shumë orë kalojnë në punë, në ndonjë takim, pastaj me ndonjë punë shtëpie, filma, libra…

Fundjavat e lira, preferon t’i kalosh në Tiranë, të dalësh për drekë… ?

Jo, nuk më pëlqejnë më këto daljet për drekë. Kam ndryshuar. Dikur më pëlqente të dilja. Nuk i konceptoja dot fundjavat në shtëpi. Por tani këtë e bëj shumë rrallë.

Edhe bashkëshorti juaj është pjesë e botës së medias. Ai drejton një emision në radio…

Ai në fakt është inxhinier me profesion, pra i takon të merret me pjesën teknike të medias. Por është absolutisht një ndër personat më të lexuar që unë kam takuar në jetë. Madje është lexues edhe më i rregullt se unë. Nëse unë ndonjë ditë e kaloj dhe me ndonjë revistë, ai prej vitesh lexon tri orë në ditë në mënyrë sistematike. Ka një sens humori të lindur. Ai ishte i ftuar në emision nga Albani dhe Bieta, dhe formuan një treshe shumë të bukur, shumë të këndshme.

A jeni ju, kritikët e njëri-tjetrit?

Kur e do dhe e respekton dikë, është pak vështirë të jesh kritiku i tij. Je më tepër një dashamirës. Por të jep mundësinë që, kur vë re diçka dhe e thua, ai të merr shumë seriozisht. Mua mund të më thonë të gjithë njerëzit që s’jam në rrugën e duhur, por kur Ardiani më thotë që jam mirë, zgjedh të besoj atë, edhe në rast se ndodh e anasjellta.

Për ta mbyllur, cili është projekti i radhës? Çfarë do të bëjë tani Ulpiana?

Do botoj ato që kam shkruar deri tani. Pjesën analitike timen publiku në Shqipëri e njeh shumë pak. Kjo është ajo që po mendoj të bëj tani, dhe kam një projekt, të përfundoj librin që kam nisur për sociologjinë e modës.

Pra do ta lësh televizionin?

Kam dëgjuar vajza të reja që thonë se duan të bëhen prezantuese televizive. Kjo është si të të bjerë lotaria. Sa shans ke të fitosh një lotari, aq shans ke edhe të bëhesh një prezantuese televizive. Nuk është një profesion në të cilin ti mund të arsimohesh si i tillë. Unë asnjëherë nuk e them të parën prezantuese televizive. Unë jam sociologe. Ky është formimi im, kjo është zgjedhja ime. Shpresoj të vdes si sociologe. Është e rëndësishme që dikush të ketë një profesion, që t’i bëhet edhe identitet profesional.