Uji Dea

Ulet mosha e pacientëve, probleme edhe 30-vjeçarët

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Diabeti – Studimi: një në dy të sëmurë paraqiten në stade të avancuara, ku u janë dëmtuar sytë, veshkat dhe nervat.

Mjekimi

Yndyrat – Në 64% të rasteve, pacientët diabetikë shfaqeshin me yndyra të larta në gjak, por vetëm në rreth 20% të rasteve mjekët rekomandonin mjekimin përkatës
Sëmundjet – 8 në 10 pacientë nuk merrnin mjekimin për yndyrat e larta në gjak, të cilat përbëjnë një faktor të rëndësishëm në sëmundjen e diabetit për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës që mund të jenë vdekjeprurëse

Diabeti në Shqipëri konstatohet shumë vonë dhe rreth një në dy pacientë paraqiten te mjeku me diabet të avancuar me zhvillim në komplikacione serioze (sëmundjeve diabetike) të syrit, veshkave, dëmtim të nervave (neuropatisë) dhe sëmundjeve të zemrës. Këto përbëjnë edhe shkakun kryesor të vdekjeve te pacientët diabetikë.

Ky ka qenë një prej përfundimeve të studimit të realizuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës nga prof.as. Florian Toti dhe dr. Taulant Muka. Ky studim u shtri në vitin 2012, brenda 6 muajve, duke përfshirë të gjithë pacientët e shtruar për herë të parë me diabet pranë pavijonit të endokrinologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Komplikacionet kronike të diabetit janë faktorët kryesorë të uljes së cilësisë së jetës dhe vdekjeve te pacientët diabetikë.

RCCOLA

Sipas statistikave të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, në Shqipëri numërohen rreth 64 mijë persona të moshës 20-74 vjeç të prekur nga diabeti. Ky numër pritet të dyfishohet në vitet e ardhshme.

Sipas studimit, mosha e fillimit të diagnostikimit të diabetit në Shqipëri është rreth 56 vjeç, ndërkohë që mosha e fillimit të diabetit është shumë më e hershme, kryesisht pas moshës 30 vjeç. Për këtë arsye, shumica e pacientëve që paraqiten te mjeku me diabet kanë të zhvilluar komplikacione serioze, si sëmundja e syrit që avancon drejt verbimit, dëmtime të veshkave dhe zemrës. “Mbi 40% për qind e personave që kanë diabet diagnostikohen kur kanë të zhvilluar të paktën një prej komplikacioneve të diabetit. Rreth 30.43% e personave në momentin e diagnostikimit kanë retinopati, sëmundje të syrit, mbi 40% kanë sëmundje të avancuara të veshkave me dëmtim të funksionit të tyre. 11.32% shfaqen me neuropati që përbën një risk për këmbë diabetike dhe amputime të gjymtyrëve. Gjithashtu, 11.32% e pacientëve shfaqen me sëmundje të zemrës dhe dëmtime të vazave të trurit”, thuhet në studim.

Një tjetër element i rëndësishëm që u vu re në këtë studim ishte fakti që në 80% të rasteve, pacientët nuk plotësoheshin me të gjitha ekzaminimet e nevojshme për të kapur komplikacionet afatgjata të diabetit, me qëllim mjekimin e hershëm të tyre dhe parandalimin e avancimit të mëtejshëm të sëmundjes, të cilat mund të çojnë në vdekje. Pra, 8 në 10 pacientë me diabet lihen të lirë, pavarësisht riskut të lartë për zhvillimin e komplikacioneve, siç tregohet edhe nga rezultatet e studimit. Ekzaminimet për sëmundjet e syrit realizoheshin vetëm në 45.28% të rasteve, ndërsa ekzaminimi për dëmtimin e nervave (neuropatisë) bëhej vetëm në 22.64% të pacientëve që paraqiten me diabet.

Gjithashtu, ekzaminimet e përdorura në vendin tonë nuk janë ekzaminimet e fundit të rekomanduara nga Shoqata Amerikane e Diabetit duke mos mundësuar kapjen e komplikacioneve të diabetit në fazë të hershme, por vetëm në fazë të vonshme. Një gjë e tillë u pa në ekzaminimin për sëmundjen e veshkave, ku ende përdorej urina 24-orëshe, e cila nuk mundëson kapjen e hershme të sëmundjeve së veshkave në diabet, por vetëm të fazave të avancuara të saj. Këto rezultate janë edhe më alarmuese kur të dhënat gjenden në një qendër mjekësore terciare si QSUT-ja.

“Ndërkohë që gjendja paraqitet edhe më e rëndë në qendrat parësore dhe dytësore, ku këto ekzaminime nuk mundësohen dhe numri më i madh i rasteve me diabet paraqitet pikërisht pranë këtyre qendrave. Mjeku i familjes dhe endokrinologu, mjeku specialist, duhet patjetër të rekomandojë ekzaminimet përkatëse për pacientët e sapodiagnostikuar me diabet.