UKZ ka prezantuar rezultatet e hulumtimit “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në Anamoravë”

Gjilan – Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur prezantimi i rezultateve të hulumtimit me temën, “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në Anamoravë”, organizuar nga Fakulteti i Edukimit i UKZ-së.

Në këtë organizim përpos Rektorit dhe stafit të UKZ-së, ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë Heset Sahiti, drejtor të drejtorive të arsimit në komunat e Anamoravës, drejtor të shkollave fillore dhe të mesme të kësaj ane, si dhe studentë të UKZ-së.

Para prezantimit të studimit Rektori Bajram Kosumi në fjalën e tij ka përgëzuar studentët dhe profesorin e Fakultetit të Edukimit për punën e bërë.

Ai ka thënë se nga ky hulumtim përpos Universitetit përfiton Komuna dhe shoqëria në përgjithësi. Sipas tij, këto hulumtime mund të përdoren edhe për nevojat e tregut të punës.

Rektori Kosumi ka inkurajuar studentët dhe profesorët që të vazhdojnë të punojnë në këto hulumtime të cilat janë të nevojshme edhe për përgatitjen e tyre profesionale.

Nga ana e tij zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, në emër të Ministrit Shyqyri Bytyqi ka përshëndetur punën e grupit punues, deri sa ka thënë se politikat e MASHT-it janë të orientuara në arsimin gjithëpërfshirës.

Ai tha se arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor është një prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse një sistem arsimor i avancuar, gjithëpërfshirës dhe cilësor është një objektivë parësore e Kosovës për të ndërtuar standardet e një shoqërie demokratike, e cila investon në të ardhmen e saj.

Kurse Profesori i Fakultetit të Edukimit në UKZ Mensur Neziri, ka prezantuar punën e hulumtimit, “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në Anamoravë”.

Sipas tij ky hulumtim është kryer në komunën e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Ferizajit, ku janë marrë të dhënat për 30.9 % e mësimdhënës nga klasa I – V. Në pyetjen e hulumtimit për mësimdhënësit se a janë të gatshëm të hartojnë plan individual i cili është i mbështetur në nevojat e nxënësve, 42% prej tyre janë deklaruar se PO, ndërsa rreth 21% nuk janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.

Në pyetjen se, në klasën tuaj a keni ndonjë nxënës që kërkon trajtim apo kujdes të veçantë? 54% e mësimdhënësve janë deklaruar se PO kanë nxënës që kërkon një kujdes apo trajtim të veçantë.
Kurse numri i nxënësve që kërkon trajtim apo kujdes të veçantë në klasë janë 1 deri 3 nxënës. Nëse marrim një mesatare nga mostra e përzgjedhur, numri i nxënësve me nevoja të veçanta në ciklin fillor, klasa I – V në Anamoravë është rreth 54% nxënës.

Sipas profesorit Neziri, aatyra e vështirësisë më e theksuar është në vështirësitë specifike në të nxënë pastaj vështirësitë në të folur, në të pamur, dhe nxënësit me inteligjenca të shumëfishta.

Nga rezultatet e studimit shihet se shumica e nxënësve me nevoja të veçanta, rreth 66% nuk posedojnë mjete që u mundësojnë edukim dhe arsimim të suksesshëm.

Nga rezultatet e studimit, profesori Mensur Neziri tha se, mund të konstatojmë se rreth 52% e mësimdhënësve nuk kanë ndjekur trajnime për punë me këta nxënës, ndërsa vetëm 21% prej tyre kanë ndjekur trajnime për punë me FNV dhe pjesa tjetër 27% pjesërisht janë të trajnuar për punë me këta nxënës.

Sipas vlerësimeve të mësimdhënësve, nevoja më e theksuar për trajnime është në fushën e vështirësive specifike, çrregullimeve emocionale dhe në sjellje, pastaj puna me nxënësit e talentuar etj

Po ashtu grupi punues i hulumtimit ka prezantuar të gjeturat e tij, ku rreth 42% e mësimdhënësve janë të gatshëm të hetojnë PIA, 54% e mësimdhënësve kanë nxënës me NV në klasat e tyre, sipas rezultateve 98% e mësimdhënësve shprehen se numri i nxënësve me nevoja të veçanta në klasë është 1 – 3 nxënës, vështirësitë specifike në të nxënë, çrregullimet emocionale dhe në sjellje janë ngecjet më të shpeshta të vështirësive gjatë procesit mësimor, rreth 66% e nxënësve nuk posedojnë mjete që i mundësojnë arsimim dhe edukim të suksesshëm, vetëm 21% e mësimdhënësve kanë ndjekur trajnime për punë me këta fëmijë NV, nevojat më të theksuara për trajnime janë në fushën e vështirësive specifike, çrregullimeve emocionale, dhe puna me nxënësit e talentuar.

Nga hulumtimi “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në A..namoravë”, janë nxjerr edhe rekomandimet:
Për MASHT & DKA:
Krijimin e politikave strategjike për integrim dhe inkluzion të nxënësve me NV në klasat e rregullta;
Sipas mundësisë buxhetore të siguroj mjete për arsimim të nxënësve me NV;
Të siguroj mësimdhënës mbështetës që do të punojnë me nxënës me NV në klasat e rregullta.
Për UKZ:
Të hartoj programeve trajnuese për punë me fëmijë me nevoja të veçanta;
Të zhvilloj programe të veçanta studimi për punë me fëmijët me nevoja të veçanta;
Themelimi i institutit që hulumton nevojat e tregut të punës.
Pas përfundimit të studimit, nga pjesëmarrësit pati interesime të ndryshme e sidomos rreth temës,“Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në Anamoravë”./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).