Uka nuk e pranon familjen e tij në vizitë

Djali i ish-Presidentit Rugova, Uka, i arrestuar si i dyshuar për krim të organizuar, ndihet i ‘turpëruar’ me rastin dhe për ketë arsye edhe më tutje nuk e ka takuar asnjë prej anëtarëve të familjes, thonë burime të Gazetës Express.
Gazeta Express ka mësuar se i dyshuari për krim të organizuar, Ukë Rugova, edhe më tutje nuk ka pranuar që të takohet me asnjë prej faniljarëve të tij, të cilët përmes avokatëve kanë dashur t’i shkojnë për vizitë.
“Deri tash ka refuzuar të takohet me familjarët”, ka thënë një burim nga organet e drejtësisë.
Burimet thonë se arsyeja kryesore e këtij hezitimi për t’u takuar me të afërmit e tij është ‘turpi’ që Uka mendon se i aka shkaktuar familjes.
“Ka kërkesë për ta vizituar. E fundit është nga nëna”, tha burimi i gazetës i afërt me rastin. Uka është duke u mbajtur në paraburgim në burgun e Lipjanit.
Uka, deputet i Kuvendit të Kosovës, dyshohet se me një grup prej disa personave, te lidhur me punonjës në Ambasadën Italiane, kanë shitur viza Schengen – rreth 400. Sipas hetuesisë, ai dyshohet se vizat i ka shitur në kundërvlerë prej 2000 – 3000 euro.