Ujkani, ndër më të mirët në Evropë

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, e konsideron Samir Ujkanin si njërin prej portierëve më të mirë të rinj në Evropë. Portieri kosovar u huazua në Chievo gjatë janarit, pasi shfaqi pasiguri në portën e ekipit sicilian.
Megjithatë, kreu i klubit Rosanero është i bindur me kualitetin që posedon portieri vushtrrias, duke e kontestuar vendimin e trajnerit të Chievos, Eugenio Corini, për ta vendosur në portë Christian Puggionin, që nuk ka luajtur kurrë më parë përpara ish portierit të Anderlechtit dhe Novarës.
“Ujkani konsiderohet si njëri prej tre portierëve të rinj më të mirë të Evropës. Sipas meje, ai do të bëhet një portier i madh. Mirëpo, këtu përgjegjësitë e mëdha e kanë frikësuar”, ka thënë Zamparini në konferencë për shtyp.
Ai nuk e ka fajësuar direkt përfaqësuesin shqiptar për golat që i pësoi dhe për sezonin e dobët që po kalon ekipi, duke insistuar se ishte mbrojtja në përgjithësi ajo që dështoi në këtë edicion.