Ujkani: Kundërshtimet për vizat vijnë nga shtetet ku ka kosovarë

Tri javët në vijim janë përcaktuese nëse Kosova do të mundë të hyjë sivjet në agjendën e Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave. Ndërkohë që deri tani mbi 10 shtete të Bashkimit Evropian po hezitojnë ta mbështesin heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Këtu përfshihen shtete të rëndësishme si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Austria, vendet skandinave, si dhe vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Për këtë çështje profesori i së drejtës evropiane, Emrush Ujkani, për “Zërin” ka thënë që kundërshtimet për heqjen e vizave për Kosovën vijnë nga shtetet ku ka më së shumti banorë nga Kosova.
Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Austria, sipas tij, janë shtetet që mund ta kundërshtojnë këtë proces.
“Kundërshtimet më të mëdha vijnë nga ato vende ku Kosova ka mërgatën e vet, si në Gjermani, Francë, Austri, një pjesë e vendeve skandinave, Belgjikë e Holandë, pra në këto vende pritet të ketë reagim më shumë. Vlerësoj se këto vende kanë qenë edhe hezituese të deritanishme, dikush më zhurmshëm e dikush më pak, sido që të jetë ato kanë dhënë opinionin e vet, mirëpo qëndrimin e tyre ende nuk e dimë”, ka thënë Ujkani.
Ai është shprehur pesimist se liberalizimi mund të ndodhë këtë vit. “Procesi i liberalizimit të vizave ka hyrë në një fazë shumë kritike me arsyetimin se tanimë kemi një qëndrim të disa prej shteteve anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë mbështetëse të Kosovës gjithmonë, por në këtë pikë nuk janë të sigurt nëse do ta votojnë ose jo çështjen e liberalizimit të vizave. Por institucionet tona duhet të jenë të matura në veprimet e veta karshi Bashkimit Evropian, por edhe karshi shteteve anëtare. Duhet të kuptohet një gjë se jemi në një fazë shumë sensitive”, ka theksuar ai.
Ai po ashtu ka thënë që problemet e shumta që ka BE-ja në këtë fazë e bëjnë edhe më të komplikuar procesin e heqjes së vizave për Kosovën.