Uji i kontaminuar nxit pushtetin komunal të bëjë analiza të hollësishme dhe të detajuara

Kamenicë – Dyshimet e para janë që përveç shkaqeve natyrore (thatësirave të mëdha), mund të ketë edhe shkaktar të tjerë për çka do të bëjmë një hetim të hollësishëm për të gjetur të gjitha shkaqet dhe për të eliminuar çdo mundësi tjetër të përsëritje të problemit ka thënë Qëndron Kastrati.
Postimi i plotë i Qëndron Kastratit
Me insistim të vazhdueshëm të komunës sonë, kanë filluar analiza të detajuara të ujit të pijshëm për qytetin e Kamenicës për çdo ditë. Menjëherë pas dyshimeve krahas analizave të KRU “Hidromorava”, kemi kërkuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, që të bëjë analiza të detajuara për të nxjerr rezultate sa më të sakta.
Njëri nga puset që furnizon një pjesë të qytetit të Kamenicës, ka dal të jetë ujë i kontaminuar. Fatmirësisht kemi ndërhyrë me kohë dhe tashmë uji është ndalur në të gjithë pjesët që furnizohen nga pusi në fjalë. Ndërsa puset e tjera kanë ujë brenda parametrave normale dhe pas pastrimit, kontrollit dhe vërtetimit të cilësisë së ujit, do të vazhdojmë me furnizim normal me ujë të pijshëm.
Dyshimet e para janë që përveç shkaqeve natyrore (thatësirave të mëdha), mund të ketë edhe shkaktar të tjerë për çka do të bëjmë një hetim të hollësishëm për të gjetur të gjitha shkaqet dhe për të eliminuar çdo mundësi tjetër të përsëritje të problemit.
Të gjithë banorët e qytetit që kanë furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm, janë jashtë zonës së kontaminuar dhe mund të vazhdojnë ta përdorin ujin duke evituar përdorimin e tij për pije deri në rezultatet përfundimtare të analizave.
Ata që kanë puse private në afërsi të lumit Krivareka, luten që ujin nga puset e tyre të mos e përdorin për pije, por të lajmërojnë KRU “Hidromorava” për të bërë analiza të detajuara.
Ndërsa të gjithë familjet që nuk kanë furnizim me ujë, le të vazhdojnë të furnizohen nga cisternat me ujë të KRU “Hidromorava”, duke kontaktuar në numrin e telefonit 044231767. Për çdo shqetësim ju lutem të lajmëroni në numrin 045549182 thuhet në njoftimin e Kastratit./rajonipress/