RCCOLA

Ujërat e zeza dhe uji i pijshëm top prioriteti i Gjilanit dhe gjilanasve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në mbështetje të Fondacionit Friderch Ebert Stiftyng të premtën në Gjilan është diskutuar për ujërat e zeza dhe mungesën e ujit të pijshëm. Valentina Bunjaku Rexhepi deputete, Muhamet Suliqi kryeshef në “Hidromorava” thanë se ujërat e zeza duhet të trajtohen me shumë dinjitet dhe përgjegjësi sepse as pas 21 viteve pas luftës, Gjilani nuk po arrin ta zgjidhë këtë nyje jetike për qytetarët e saj.

Tema e debatit:”A janë ujërat e zeza dhe uji i pijshëm top prioritetet e qeverisjes komunale”, të premtën në Gjilan ka mbledhur deputet, këshilltar komunal, përfaqësues të kompanisë publike “Hidromorava”, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspert dhe mediet.

Fillimisht Besa Shema koordinatore e Fondacionit Friderich Ebert Stiftung ka mbështetur idenë për debate dhe tryeza promovuese, në interes të qytetarëve të Gjilanit dhe Anamoravës, ndërsa tha se pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile pushteti komunal e ka të vështirë menaxhimin e pushtetit. “Do të përkrahim dialogun e vazhdueshëm dhe ftoj qeverinë komunale që të jetë e pranishme në diskutimet e tilla përmbajtësore ku flitet për problemet jetike të qytetarëve të saj” tha Shema.

Ujërat e zeza janë një problem delikat dhe i kahershëm i qytetit të Gjilanit. Pothuajse të gjitha qeveritë komunale vetëm kalimthi përmendin problem këtë sepse kostoja e këtij projekti është shumë e kushtueshme dhe nuk mund të realizohet pa ndërhyrjen e Qeverisë.

Deputetja, Valentina Bunjaku Rexhepi tha se buxheti për vitin 2022 nga ana e Qeverisë ku flitet për ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza, është vazhdim i projektit nga viti 2021, kurse në vitin 2022 totali është zero investime, kurse për vitin 2023 janë paraparë 13 milion euro, derisa në vitin 2025 zero. “Lutfi Haziri i ka sjellur Gjilanit një projekt të madh dhe ky projekt duhet të realizohet nga Qeveria aktuale. Jam shumë e lumtur që qeverisja Haziri ka punuar shumë gjatë dhe me përkushtim për ujërat e zeza” tha Bunjaku.

Muhamet Suliqi nga “Hidromorava”, tha se ujërat e zeza dhe impianti kanë filluar në vitin 2019 si projekt në një vlerë prej 20 milion eurove nga donacionet ndërkombëtare por realisht ka ngecje të projektit për shkak të pandemisë.”Unë jam optimist se ky projekt është në rrugë të mbarë të realizohet, vetëm se duhet që fuqia politike dhe vendimmarrëse nga Anamorava të bëjë presion tek Qeveria, që ta përshpejtojë realizimin e këtij projekti kapital” tha Suliqi.

UBT

Isa Agushi nga iniciativa qytetare “Anamorava” tha se fatkeqësisht vetëm po përsëriten fjalët dhe po flasim kot sepse edhe kjo qeveri nuk ka nda buxhet për ujërat e zeza. “Ne kemi pakënaqësi nga Qeveria Qendrore sepse jemi të anashkaluar, dhe kërkoj edhe nga këtu që mos të jemi të diskriminuar. Edhe mungesa e ujit të pijshëm është problem jetik për Gjilanin dhe ne ende merremi me gjera banale për nevojat tona prioritare” tha Agushi.

Kushtrim Kadriu këshilltar komunal tha se kjo është një temë që po vendnumëron sepse faji është tek të gjitha qeveritë komunale dhe qendrore. “Gjilani është qytet i diskriminuar në shumë fusha sepse buxheti për Gjilanin është tallës dhe fyes. LVV s`ka plan e as strategji të detajuar për ujërat e zeza” tha Kadriu.

Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se deputetët s`janë aktiv në Parlament që ta trajtojnë këtë fenomen dhe ne ende duhet të merremi me gjërat jetike.

Mumin Morina nga “Hidromorava” tha se kolektori do të ishte zgjidhja përfundimtare për Gjilanin kurse për ujin e pijshëm janë të preferuara ndërtimi i pendave në Lumin Llapushnica, dhe tek Shushtë në Viti. Ky projekt do të zbuste përfundimisht mungesën e ujit të pijshëm dhe ka një kosto rreth 50 milion euro” tha Morina.

Shaban Musliu ekspert nga shoqëria civile tha se jemi të diskriminuar në të gjitha fushat si regjion.”Gjilani nuk e meriton këtë mos kujdes institucional dhe ne si shoqëri civile do të jemi aktiv dhe do të bëjmë presion tek të gjitha institucionet lokale dhe qendrore për të realizuar kërkesat dhe problemet tonë të përditshme qytetare” tha Musliu.

Në këtë debat ka qen i ftuar edhe Alban Hyseni, por nuk e ka parë të arsyeshme të marr pjesë./rajonipress/