ARKATANA

Uglari e duan pjesë të historisë figurën e Rrustem Behlulit, kryengritësi që luftoi për Shqipërinë etnike

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kushtrimi i Rrustës kishte bërë që vullnetarët shqiptarë, në Rekë të Raincës, më 19 shtator 1944, të vrasin mbi 100 partizanë-çetnikë të Aradhes XVI Maqedonase dhe të zënë rob 206 të tjerë. Serbët u rikthyen një ditë për t`u hakmarrë, e morën Rrustën dhe e lidhin për një lisi, ku e therën mizorisht.“Baba Rrustë e kishte pas ditë se çka mund të vinte nga serbët. Ai kishte qëndruar tërë natën me shpinë nga oxhaku dhe nuk kishte vënë gjumë në sy. Të nesërmen, pesë çetnikë të Pasjanit kishin ardhur. Fillimisht kishin plaçkitur dyqanin. Pesë kuaj i kishin ngarkuar me thasë dhe më pas e kishin marrë Rrustën të lidhur dhe ishin nisur drejt Pasjanit” shprehet Ismet Rrahmon Behluli, nipi i Rrustës. Ramiz Isufi kryetar i këshillit të fshatit Uglar thotë se një rrugë e këtij fshati do ta mbajë me krenari emrin e Rrustem Behlulit.

Fshati Uglar ka propozuar emrin e Rrustem Behlulit, në njërën nga rrugët e fshatit. Ramiz Isufi kryetar i këshillit të fshatit ka ofruar një biografi të bujshme të Rrustem Behlulit, i cili nuk u trajtua si duhet nga institucionet komunale.

Por fshati Uglar e duan pjesë të historisë figurën madhore të Rrustem Behlulit, njeriu që la gjurmë e bëri histori në kohën e tij.

Ismeti: “Aq i fuqishëm ka qenë baba Rrustë, sa lisat nga mali i ka bartur me gjithë degë deri në shtëpi”

Kryengritësit shqiptarë nuk janë pajtuar asnjëherë me robërimin e trojeve etnike dhe kanë luftuar për çlirimin e tyre deri në frymën e fundit. I tillë ka qenë edhe Rrustem Behluli nga fshati Uglar i komunës së Gjilanit, të cilit partizanët ia morën shpirtin duke e torturuar të lidhur për lisi. Ishte dimri i vitit 1944. Po bënte acar dhe aradhet partizane, të mbushura me çetnikë, po merrnin tagrin e viteve të sundimit të Italisë në Karadak dhe në rrjedhën e lumit Moravë.

Isa Mehmeti, mbi 85-vjeç e ka të vështirë të kujtojë hyrjen e partizanëve në Uglar, fshat ky shtatë kilometra në lindje të Gjilanit. Më me dëshirë nuk do të kujtonte tmerrin që përjetuan fshatarët e Uglarit nga çetnikët-partizanë të fshatit fqinj Pasjan, të cilët e rrethuan katundin dhe kërkonin dorëzimin e armëve. “Tri qerre me pushkë janë mbushur dhe janë dërguar në Pasjan, bashkë me mbi 50 burra të fshatit, që u morën peng. Ata përfunduan në një xhami të Preshevës dhe shpëtuan falë Abdullah Preshevës. Ndryshe, asnjë nuk do të mund të shpëtonte, thotë Mehmeti.

Por partizanë-çetnikët e Pasjanit, çarmatimin dhe rrethimin e Uglarit e kishin si pretekst të arrestimit të Rrustem Behlulit, që në kohën e Italisë, të njohur në popull si “koha e Shqipërisë”, ishte kryetar katundi. Rrusta, që mbahet në mend në katund, që në kohën e faljes së namazit të Bajramit, kishte hyrë me bombë në dorë dhe u kishte thënë fshatarëve: “Do digjemi sot nga kjo bombë, apo do të shkojmë në Rekë të Raincës për të mbrojt kufirin e Shqipërisë etnike”.

Kushtrimi i Rrustës kishte bërë që vullnetarët e parë të mbërrinin në betejë, në Rekë të Raincës, ku më 19 shtator 1944 u vranë mbi 100 partizanë-çetnikë të Aradhes XVI Maqedonase dhe ku u zunë rob 206 të tjerë. Por Rrustës, këtë nuk do t’ia harrojnë serbët. “E patën lutur të gjithë që të largohet, sepse serbët do të ktheheshin për ta vrarë, por baca Rrustë nuk kishte pranuar. Kishte thënë se do të bëhem kurban i popullit e nuk e lë katundin me gra në duar të serbëve”, kujton Isa Mehmeti.

Familjes i mungon varri i Rrustës

Uji Dea

Të njëjtat kujtime i ka edhe Ismet Rrahmon Behluli, nipi i Rrustës. “Baba Rrustë e kishte pas ditë se çka mund të vinte nga serbët. Ai kishte qëndruar tërë natën me shpinë nga oxhaku dhe nuk kishte vënë gjumë në sy. Të nesërmen, pesë çetnikë të Pasjanit kishin ardhur. Fillimisht kishin plaçkitur dyqanin. Pesë kuaj i kishin ngarkuar me thasë dhe më pas e kishin marrë Rrustën të lidhur dhe ishin nisur drejt Pasjanit”.

Rrustë Beluli ishte një burrë shtatshkurtër, por me gjoks të gjerë dhe shumë i fuqishëm. “Aq i fuqishëm ka qenë, sa lisat nga mali i ka bartur me gjithë degë deri në shtëpi”. Serbët e kishin bartur Rrustën deri në fund të katundit dhe në një lug mali, që gjendet në trekëndëshin Uglar-Velekincë-Pasjan e kishin lidhur për një lis, që kishte përbri dy dardha. Aty, Rrusta do të theret mizorisht nga serbët, të cilët në trupin e tij po bënin lojën e satanës. Barinjtë e fshatrave kishin dëgjuar jehun e një burri që po prehej kurban, njëjtë si fati i kombit. Mbase këtu masakra e Gjilanit do të nisë për të marrë edhe tetë mijë burra të tjerë, nga partizanët-çetnikë që kishin gënjyer se po sillnin lirinë. “Sa herë kemi kaluar andej pari, baba ndalej te lisi, mbushej frymë thellë dhe me lot në sy më tregonte se në atë lëndinë ishte varri i babës Rrustë”, tregon Ismeti.

Partizanë-çetnikët, përveç që e masakruan të lidhur për lisi Rrustem Belulin, atij nuk i lanë as varr. Por, dy djemtë dhe katër vajzat e Rrustë Belulit e mbajnë të freskët kujtimin për të, brez pas brezi.

Rrusta ka reflektuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare

Rrustë Behluli, për shkaqe pothuajse të njohura, ka ngelur i anatemuar pas Luftës së Dytë Botërore. Ai i ka takuar plejadës së forcave vullnetare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Duke qenë i orientuar në grupin e forcave shqiptare, të cilat kanë pasur për qëllim të ruanin trojet etnike dhe bashkimin e tyre me trungun e atdheut, Shqipërinë, Rrusta jo vetëm që ka reflektuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, por njëkohësisht edhe në rëndësinë e mbrojtjes së tokave shqiptare nga ripushtimi serbo-jugosllav, më 1944, thotë historiani Fitim Rifati.

Në historiografinë shqiptare, në periudhën e komunizmit, për ngjarje e personalitete shqiptare që kanë përfaqësuar interesat kombëtare të shqiptarëve, përkatësisht luftën për liri e bashkim me Shqipërinë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë e ndaluar të flitet e të shkruhet, shprehet Rifati. Ai thotë se gjenerata e historianëve të Anamoravës në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të rrethanave politike dhe anatemimeve të sistemit komunist, deri në vitet ’90-ta ka qenë e shtrënguar dhe e detyruar të heshtë disa personalitete e ngjarje historike të kësaj treve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas rënies së sistemit komunist dhe pas luftës së fundit në Kosovë, janë bërë përpjekje serioze nga historianët e Anamoravës, të cilët me kërkimet e tyre shkencore kanë sjellë rezultate të konsiderueshme për historiografinë e kësaj treve dhe kanë shtruar rrugën për hulumtime dhe studime të mëtejme. “Për të hedhur dritë mbi personalitete dhe ngjarje historike nuk mjafton vetëm grumbullimi i të dhënave përmes rrëfimeve të kujtimeve, por është e domosdoshme të hulumtohet nëpër arkiva për ç’gjë është e nevojshme përkrahja e institucioneve përkatëse, përfshi edhe ato komunale”, thotë Rifati./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.