“UFO-të” hapin festivalin e dramës shqipe në Gjilan
Gjilan – Mbrëmë në Gjilan është hapur Festivali i Dramës Shqipe, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2-15” që iu kushtohet heronjve dhe martirëve të kombit, ku “Talia e Flakës” është njëra ndër katër shtyllat themelore të tij, që prej themelimit, para 24 vitesh.
Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë, ka thënë se këtë festival do të marrin pjesë teatro nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat do ta begatojnë këtë manifestim, duke i kërkuar ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, që ta bëjë hapjen solemne të kësaj pjese të “Flakës së Janarit”.
“Gjilani po dëshmohet si qytet i kulturës ngase për më shumë se dy dekada me radhë po e mban festivalin e Dramës Shqipe dhe po sjell vlera të mirëfillta kulturore”, ka thënë me këtë rast ambasadori Minoxhozi.
Natën e parë të festivalit është prezantuar Teatri vendës, me shfaqjen “UFO-të”, me autor Bashkim Hoxhën e regji të Erson Zymberit. Shfaqja trajton problemin e lëvizjes së lirë, në një botë ku ka shumë kufij, siç është edhe Kosova, e cila përballet me këtë problem me shumë se gjithë të tjerët.
Shfaqja është pëlqyer shumë nga publiku. Në debatin e organizuar pas shfaqjes, që tashmë është traditë e këtij manifestimi, regjisori Erson Zymberi tha se ideja e tij ka qenë që të sjell një variant tjetër të kësaj shfaqjeje, duke trajtuar lirinë e lëvizjes në këto kohë kur Kosova mëton liberalizimin e vizave.
Bashkim Shala, autor, tha se i ka pëlqyer ekuilibri dhe trajtimi si një dramë absurde. Tahir Dalipi, tha se me shumë zotësi e besnikëri, regjisori e ka realizuar shfaqjen, në të cilën pati një situatë jashtë njerëzore në një skenë njerëzore.
Josif Papagjoni, dramaturg nga Shqipëria, veçoi kreativitetin e Kushtrim Qerimit, të cilin e quajti aktor organik dhe të natyrshëm, kurse për regjisorin tha se ka pasuri regjisoriale dhe fantazi. Ngjashëm është shprehur edhe dramaturgu Nebi Islami, që tha se shfaqja në tërësi ka një strukturë të qëndrueshme dhe se i plotëson kriteret për të nderuar një manifestim siç është “Talia e Flakës”.
Në shfaqjen “UFO-të” u paraqitën aktorët: Kushtrim Qerimi, Mejreme Berisha, Ernest Zymberi, Safete Mustafa Baftiu, Nnomëza Kalaveshi, Muharrem Sylejmani dhe Bashkim Nexhipi. Skenografia dhe kostumet ishin të Bekim Korçës, muzika Florim Gagica, dritat e Fatmir Halilit, inscipient dhe organizator Raif Haziri, garderobierere Sahedete Arifi, realziatorë të skenografisë Medi Hoti, Haki Aliu e Fehmi Hoti, rekuizitat Suad Berishe dhe pjesëmarrës ishte edhe Kori i Shkollës së Muzikës – Gjilan.
Në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Për pushtet jap” nga Teatri i Tetovës, me autor e regjisor Burhan Amiti./rajonipress/


