UEFA do ta shqyrtojë pranimin e Kosovës pa qenë anëtare e OKB’së
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin.
Kryetari i FFK’së, Fadil Vokrri dhe sekretari, Eroll Saliun, janë takuar sot me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shalën ku e kanë informuar atë rreth zhvillimeve në futbollin e Kosovës, dhe veçmas rreth procesit të ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.
Përmes një komunikate për media, drejtuesit e FFK-së kanë bërë të ditur se e kanë njoftuar ministrin Shala me takimet që kanë pasur këto ditë me drejtuesit e UEFA-s, dhe vendimin që në kongresin e ardhshëm, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në krye me Mishel Platini, të ketë në rend të ditës votimin për pranimin e Kosovës në UEFA.
Kjo është komunikata e plotë e FFK’së:
Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, pas kthimit nga Malta ku qëndruan si mysafirë të ftuar nga UEFA prej 14 deri më 17 shtator, e ku u mbajt edhe mbledhja e KE të UEFA-s, u takuan me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala.
Krerët e FFK-së njoftuan ministrin Shala me takimet që kanë pasur në Malta me shumë kryetarë dhe sekretar të federatave nga të cilët morën edhe mbështetje. Si rezultat i këtyre takimeve dhe takimeve të mëhershme, KE i UEFA-s ka debatuar në Maltë për rastin e Kosovës dhe ka marrë që çështja e pranimit të Kosovës të shqyrtohet në Kongresin e UEFA-s që do të mbahet në Budapest në mars, kësisoj UEFA ka gjetur mundësinë e shmangies së pengesave ligjore.
Këtë e dëshmon edhe vendimit zyrtar të lëshuar nga UEFA-ja. Ku thuhet: “Është bërë pranimi i kërkesës së Federatës së futbollit të Kosovës për anëtarësim në UEFA dhe do të vendoset për vendimin e pranimit në kongresin e rregullt të UEFA-së më 2016”.
Kryetari Vokrri mendon se vullneti i mirë ka mbizotëruar këtë herë në UEFA, e cila ka vendosur që të drejtat esenciale njerëzore për lojë t’i marrë parasysh, para nenit famoz të vitit 2001, ku anëtarët e ri duhet të jenë anëtar të OKB-së. Prandaj krerët e FFK-së e përshëndesin këtë vendim me shpresë që në mars FFK-ja do të bëhet anëtare e UEFA-s. /Express


