UBT

Udhët e historisë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Poezi nga Atdhe Geci

Mbushni rrugën njerëz të flamurit
mbushni rrugën njerëz të nderuar
jam fitorja juaj, i juaji i kryeherit
në flamur i kam të gjitha betejat

Këtë liri që gjaku ynë e mbolli
duajeni është e imja, e juaja, jona
Kosova kujtoj është e mençur
Shqipëri e Kosovë ju kam atdhe

Hapeni rrugën qytetar të nderuar
duajeni njëri- tjetrin, bashkohuni
vij nga stërgjyshërit e lashtë, nga
pleqtë me 10 mijë, e 15 mijë vjet

Kosovë,jam Isa, jam dardani juaj
Kosova e lirë më solli mes jush.
Dardani o nënë, fshima sot lotin
se historia asgjë askujt s ́ i falë

Luftuar kam Krajlin e Serbisë
Pashanë e turkut dhe Malin e Zi
Plagët në trup i kam shok udhe
armikun mik kurrë se kam bërë

2
————————-—————

Në Boletinin ku unë jam lindur
kumbuese është lëkura daulleve
paqja dhe lufta, toka dhe stuhitë
këtu e kanë të njëjtën moshë

Kosovë, jam Isa, biri Shqipërisë
po ju pyes, a jeni njeh së afërmi
po dëgjoj, shumë jeni degëdisë
Kosova qenka jo pak e vogëluar

Në Boletin kam plisin e gjyshit
veshjen e dasmave dhe të luftës
u ktheva në lavdinë e betejave
të kremtoj edhe unë sot me ju

Që liria e fituar të ketë shëndet
pyes, Azemi a është në Drenicë
pyes, Hasani a është n ́Prishtinë
Molla kuqe pse qahet në Shkup

Kosovë, kremto mos u shqetëso
Shqipëri është dhe Boletini im
U kënaqa me daullet e fitores
Por ç´u bë me flamurin kuq e zi!..

3
—————————————

Fundamenti

Në vendet ku liria është e huaj
ka trazira, ndeshje kundështish
fjalët e tiranëve ende dëgjohen
dhe kërcënojnë at ́ që e fituam

S ́më mjafton të jem i nderuar
eunukët historinë e poshtërojnë
mendja njeriut si kap të gjitha
Shqipëri e Atdhe është Kosova

Shqiptar, duajeni atdheun, mos
ia nxini kraharorin me babëzi
Këtë liri që gjaku ynë e mbolli
është fitorja që sot po festojmë…

Në këto gjëmime të historisë
jem pjesë e luftërave të mëdha
Burra, liria sot ka një plagë më
pak, që ta përjetojmë këtë çast

O Dritë e këngëve të shtëpisë
asgjë s ́kemi ngrënë dhe pirë
nga argjendet që i ka Kosova
Kosova, nuk është atdhe pa zë..

4
—————————————

Kosovë, Shqipëri, dhe Çamëri
trim më bëri dashuria për atdhe
unë e pata guximin për luftën
që t ́i dalim zot vetë vendit tonë

Ky përbashkim i atdheut tonë
është pjesë e gjaktë e historisë
pjesë e jetëve tona të jetuara
pjesë e mendjes të këtij populli

Po vij nga më të lashtit e tokës
në një qytet tjetër të të lashtëve
gjuha e eshtrave sot flet qartë
ADN-ëja sot shkruhet e lexohet

Atdhe, ti je antiku i të lashtëve
popull i flamurit më të bukur
jepi krahë lirisë tuaj, dhe krijo
uji i thëllimave i shton cilësitë

Në këtë tokë të pasur me lufta
asgjë s ́ka më të shenjtë se liria
Kosovë, kam ADN e këtij dheu
Shqipëri e Çamëri i kam atdhé!…

Atdhe Geci