Udhëheqja e Vitisë i jep mbështetje maksimale Universitetit të Gjilanit

Gjilan – Nexhmedin Arifi i shoqëruar nga Abdyl Bajrami kanë vizituar të premten Universitetin e Gjilanit ku për ecurinë e këtij tempulli të Anamoarvës janë njoftuar nga prorektorët Xhevdet Thaçi dhe Sabri Tahiri. Arifi ka ofruar mbështetje maksimale për Universitetin e Gjilanit.
Në takimin në mes të delegacionit të Komunës së Vitisë dhe drejtuesve të Universitetit të Gjilanit u tha se ky Universitet po ecë në këmbë të shëndosha dhe është një tempull i dijës që kaherë i është dashur Anamoravës raporton rajonipress.
Xhevdet Thaçi prorektor për mësim në Universitetin e Gjilanit duke e njoftuar delegacionin e Vitisë për ecurinë e punës dhe përgatitjet që po bëhen për të nisur mbarë ky universitet tha se synojmë një universitet ambicioz për të qenë edhe lider në rajon.”Kemi përkrahje nga të gjitha institucionet e ndryshme dhe jemi në rrugë të mirë për ta bërë sa më funksional dhe më të qëndrueshëm këtë universitet” tha Thaçi.
Thaçi tha se Universiteti i Gjilanit do të jetë i hapur për të gjithë dhe në këtë drejtim do të jetë i hapur edhe për kuadrot e Vitisë. “Universiteti i Gjilanit do të jetë një shansë i mirë për të gjitha komunat e rajonit të lindjes, qoftë për të studiuar, por edhe për tu avancuar në fushën shkencore e studimore” shtoj Thaçi.
Edhe Sabri Tahiri prorektor për buxhet dhe financa tha se Universiteti i Gjilanit po ndërtohet në themele të shëndosha dhe bashkërisht me të gjithë do të rritet e integrohet ashtu siç dëshirojmë ne dhe siç kërkojnë kriteret dhe standardet evropiane.
Ndërkaq Nexhmedin Arifi i cili shoqërohej edhe nga Abdyl Bajrami e Fehri Qerimi tha se Anamorava ka pasur nevojë kaherë për një universitet të tillë.”Tani popullata e Anamoravës dhe studentët e rinj e kanë shumë më të lehtë që të studiojnë sepse është krijuar afërsia dhe ngjashëm është edhe për studentët e Kosovës Lindore. Nuk dyshojë në kualitetin e këtij Universiteti sepse Anamorava ka kuadro e njerëz të dëshmuar dhe unë ju sigurojë se Komuna e Vitisë do ta përkrah e mbështet maksimalisht këtë universitet”.
Arifi ka propozuar që në të ardhmen të kihet parasysh edhe nevoja për disa drejtime të reja sidomos të lëmive teknike , pastaj përpunimi i drurit, bujqësia etj./rajonipress/