ARKATANA

‘UÇK, mos e prek’…1999-2015

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Arbana Xharra – “Zoti nalt, unë poshtë”, i thotë Rrustem Rukolli, një biznesmen ky i afërt me ish- komandantin e luftës Sami Lushtaku, blerësit legjitim të një lokali në qendër të Prishtinës, kosovarit nga Zvicra, Xhevat Sadrijaj, i cili ka paguar 144 mijë euro në vitin 2011 në procesin e privatizimit dhe tash katër vjet nuk mund ta ketë pronën e tij në dispozicion. Rukolli është uzurpator në qendër të Prishtinës. Pra këtij biznesmeni, që është ngritur në krah të një komandanti të luftës, tash 16 vjet s’ka çka t’i bëjë as Policia e as drejtësia. Një grup ky interesi, i fuqizuar në emër të luftës që sot pos fuqisë financiare kanë arritur të kenë pushtet edhe mbi ligjin dhe gjithçka që quhet shtetërore, është vetëm një nga disa rastet që kolegu im, Lavdim Hamidi, ka zbuluar nga hulumtimi i tij disamujor për uzurpatorët e pronave nëpër Kosovë dhe lidhjet e tyre me politikën.

Shtrirja e tyre është mundësuar me ndihmën nga të emëruarit politikë, derisa qytetarët e mjerë frikësohen me “tytën e pushkës që bart emblemën e matrapazëve të UÇK-së”. Këta nuk e njohin ligjin, sepse ata thonë se e “kanë bërë Kosovën shtet” e në emër të luftës sot arsyetojnë milionat që kanë bërë nga 1999-ta. Ec e guxo gjykatësit e prokurorët të merren me këto grupe, as mendja t’ju shkojë bile! Sistemin e drejtësisë e kemi për t’u marrë me kundërvajtjet në komunikacion. Për derexhenë e sistemit të drejtësisë tregon një rast kur gjykatësi i Themelores i ka dhënë të drejtë uzurpatorit të pronës, lokalit pak metra larg Kuvendit të Kosovës, organit më të lartë legjislativ në vend. Blerësi, i cili me vullnet kishte ardhur para disa vjetësh ta privatizojë lokalin me mbi 182 mijë euro, tash sa vjet ballafaqohet me uzurpatorin, i cili del të jetë zyrtar shtetëror që në “emër të Allahut” ka kërkuar vota për të qeverisur “me nder”. Fahredin Majkovcin, një zyrtar i lartë në institucionet shëndetësore të Kosovës dhe udhëheqës i Degës së Prishtinës në Partinë e Drejtësisë, parti kjo që identifikohet me islamin, qe dy vjet nuk ia lëshon pronën blerësit legjitim, duke thënë se “dikur i ka punuar në këtë ndërmarrje babai i tij”.

Hidromorava

Njëjtë sikur unë të nisem e ta zaptoj ndërmarrjen shoqërore “Metaliku” në Gjakovë, sepse babi im, Fehmi Xharra, ka punuar dikur aty! E sikur të fillonte dhe mbaronte fenomeni i uzurpimeve me një Sami Lushtak dhe këtë besimtarin e “ndershëm”, që i fal pesë vakte namaz. Në qendër të Prishtinës grafitet “UÇK, mos e prek” janë fshirë, por krahu i luftës e persona me lidhje direkte me politikën, shumica prej të cilëve mbajnë peng prona milionëshe të zaptuara, s’ka kush që i prek. Kjo mendësi e zaptuesve, e mbështetur institucionalisht nga politika ka bërë që sot mbi 100 ndërmarrje të privatizuara të mbesin për më shumë se një dekadë të uzurpuara, ku blerësve nuk u njihet e drejta ligjore e pronës. Sepse s’ka vendim gjykate e as prokurorie që guxon të merret me ta. Dëshmi, fakte e argumente, dokumente të vulosura… gjithçka ekziston, që në një shtet normal ku sundon ligji këta individë e grupe banditësh sot do të ishin në burgun e sigurisë së lartë, në Dyz, e jo në Qeveri dhe në Parlament. Ku nuk do të mjaftonte vetëm dënimi i tyre, por edhe konfiskimi i pasurisë që në mënyrë të jashtëligjshme është rritur marramendësisht. Cili investitor me dy parë mend në kokë ia mësyn Kosovës në krye me banditë e rrjete kriminale, të shtrirë në tërë Kosovën, pozitë e opozitë? Kush është ai i marrë që vendos të sjellë paranë e tij për të investuar në një shtet, ku bosët e krimit dhe korrupsionit kanë lidhje direkte me udhëheqës të shtetit dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, Selvie Zhushi, një biznesmene nga Prishtina me shtetësi kosovaro-britanike, ka blerë lokalin ku ndodhet kafeneja “PiazZa” për 402 mijë euro, por jo edhe të drejtën e posedimit të saj.

Uzurpatori me lidhjet e tij në politikë, Sami Xheladini, nuk e lëshon lokalin sepse i lejohet të përfitojë mijëra euro në muaj nga krahu i fortë, diku lart në Qeveri. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk merr përgjegjësi edhe pse paratë janë paguar në xhirollogarinë e saj. E pritshme sepse AKP-ja është në duart e pushtetit dhe si e tillë kërkohet të mbahet në vazhdimësi nga kushdo që vjen në Qeveri. Këtë e dëshmon edhe lufta e partive në koalicion për emërimin e njerëzve të tyre në Bordin e AKP-së, sepse është adresa ku shndërrohesh në pasanik me prona shtetërore. Kur lexova kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave, mu dukën qesharake në krahasim me gjendjen në terren. Një shtet si Kosova me kriminelë, që na bredhin sheshit të Prishtinës, nuk i duhet Evropës. Një shtet i gjunjëzuar karshi një grupi kriminal, që s’po ka kush çka i bën tash 16 vjet, ku 1.8 milion banorët e saj po e paguajnë faturën e izolimit. Evropa nuk ka faj për mosliberalizim të vizave, ajo ka faj për dështimin e misionit të EULEX-it, që la të lirë kriminelët e Kosovës!