UBT qendër e debateve dhe komunikimit

Prishtinë – Në ambientet e UBT-së, u mbajt sot tryeza me temën: “Roli i medieve dhe shoqërisë civile në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit” organizuar nga Fakulteti i Shkencave Politike dhe Fakulteti i Medies dhe Komunikimit. Referuesit Edmond Hajrizi, Behlul Beqaj, Lorik Arifaj, Bekim Kupina, Musa Sabedini, Bashmir Xhemaj e Kushtrim Sadiku kanë vlerësuar se mediet janë motor i rëndësishëm i zhvillimeve gjatë fushatës zgjedhore.
Pjesëmarrës në tryezë ishin përfaqësues të medieve të ndryshme në Kosovë dhe nga shoqëria civile.
Diskutimet u përqendruan në rolin e medieve në mbulimin e procesit për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, rëndësisë së tyre, sfidave me të cilat përballen mediet në mbulimin e procesit zgjedhor dhe veçorive që sjell ky proces për politikën në Kosovë.
Presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi tha se UBT-ja po shndërrohet si qendër për zhvillimin e debateve të hapura dhe analizave të mirëfillta profesionale. “Kjo temë në shikim të parë duket e nënkuptueshme, por nëse hyhet në aspektin pak më të thellë analitik ka një kompleksitet shumë të madh. Ka atribute të ndryshme që lidhen rreth zgjedhjeve, rreth mënyrës së qasjes etj. Do të ishte shumë mirë sikur mediat të ofronin tek qytetarët informacione për atë se kush çfarë ofron dhe pastaj u takon qytetarëve që të vendosin”, tha Hajrizi.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike, Belul Beqaj tha se UBT-ja dhe këto fakultete janë tani më edhe një mundësi e re e komunikimit me median dhe shoqërinë civile. “Ndoshta për dikë duket jo logjike tema, por në fakt kjo është bërë sepse mediet kanë një funksion specifik në zhvillime të tilla”, tha Beqaj.
Sipas tij, është shumë e vështirë në raportet aktuale të politikës ekzistuese të kesh gazetari profesionale dhe të mos jesh komercial dhe është gati e paimagjinueshme të jesh komercial dhe të bësh gazetari profesionale.
Lorik Arifaj, ushtrues detyre i kryeredaktorit të Televizionit të Kosovës tha se këto zgjedhje janë të rëndësisë historike dhe transmetuesi publik i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbulimin e fushatës. Sipas tij, RTK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e fushatës në gjithë territorin e Kosovës.
Ndërsa Bekim Kupina, nga Koha Ditore tha se më e veçantë për këtë fushatë është shtrirja e saj gjeografike se sa zgjedhjet mund të cilësohen historike. “Koha Ditore ka kapacitete për mbulimin e zgjedhjeve edhe në pjesën veriore të Kosovës” tha Kupina, duke theksuar si problem sidomos numrin e madh të subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje.
Kupina, përveç tjerash vlerësoi se diskursi politik i garuesve në këto zgjedhje nuk ka ndryshuar krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore në Kosovë.
Gazetari Bashmir Xhemaj nga Shkolla Politike, veçoi tri çështje që lidhen me rolin e medieve në këtë proces zgjedhor. Fillimisht nuk angazhohen ekspertë e fushave , së dyti aktiviteti po përqendrohet vetëm në Prishtinë, dhe së treti do të duhej , sipas mendimit tim të mendohet edhe për mediet qe do të kishin pozicionimin e qartë karshi subjekteve politike. mediet gjithashtu sipas tij duhet të bëjnë edhe filtrimin e qeshjeve që kane te beje me fakte reale dhe premtime te pabazuara.
Po ashtu gazetari dhe themeluesi i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress dhe pjesë e stafit akademik të UBT-së, Musa Sabedini, theksoi problemet me të cilat përballen gazetarët që raportojnë nga qendrat tjera jashtë Prishtinës. Ai tha se mediet në nivel qendror nuk iu kushtojnë vëmendje dhe nuk i mbulojnë si duhet aktivitetet e kandidatëve nëpër komunat tjera, pavarësisht se bëhet fjalë për zgjedhje lokale.
Kushtrim Sadiku nga Klan Kosova tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për shkak të mbajtjes së tyre në gjithë territorin e Kosovës. Mirëpo, ai tha se për mediet në Prishtinë problem të veçantë paraqet qasja në veri të Kosovës. Duke vlerësuar rolin e madh të medies në procesin zgjedhor, dhe veçoi shembullin e keqpërdorimeve në zgjedhjet e kaluara dhe ngritjen e këtij problem nga mediet, gjë që ka ndikuar në reagimin e instancave përkatëse dhe përmirësimin e gjendjes në këtë proces zgjedhor.
Në debat, morën pjesë edhe shume diskutues tjerë, të cilët dhanë vlerësime të ndryshme e për zgjedhjen e 3 nëntorit, por shpresojmë se kjo edhe shumë tema tjera do të trajtohen në mënyrë profesionale në të ardhmen meqë UBT-ja po shndërrohet në një qendër të debateve dhe komunikimit profesional. /nailedemiri/ubt/