ARKATANA

UBT: Ne përgatisim studentë për tregun e punës

/ 18 minuta lexim
ARKATANA

Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) ka hapur konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online, presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi, jep arsyet pse një student duhet ta zgjedhë këtë kolegj dhe çka e dallon UBT-në nga kolegjet e tjera.

UBT-ja i ka aktualisht rreth 4500 studentë dhe sivjet planifikon të regjistrojë edhe 1500 të tjerë. Sivjet janë akredituar dhe tri programe të reja: Shkencat politike, ndërtimtaria dhe mediat e komunikimi.

Një interesim i madh pritet nga të rinjtë e komunës së Lipjanit, për të cilët UBT-ja ofron 50 për qind zbritje.

Hajrizi thotë se ky është njëfarë kthimi i borxhit, pasi Lipjani ka ofruar 3 hektarë për ndërtimin e kampusit të tyre modern.

Presidenti i Kolegjit UBT thotë se programet që ata ofrojnë janë atraktive për tregun e punës. Teknologjia dhe sistemet e informacionit, mekatronika, robotika, arkitektura, menaxhimi modern, e degë të tjera, disa nga të cilat janë zhvilluar për herë të parë në Kosovë, kërkojnë një angazhim të madh akademik, por UBT-ja nuk është larguar prej sfidave, thotë ai mes tjerash.

Si një kriter ose tregues për suksesin e një institucioni të lartë arsimor merret dhe përfshirja në tregun e punës e të diplomuarve. Hajrizi thotë se 90 për qind e studentëve të tyre arrijnë të punësohen pas diplomimit; shumë prej tyre kanë zënë pozita të mira në bankat e Kosovës, në Telekomin e Kosovës dhe kompani të tjera serioze vendase, por edhe jashtë vendit.

Hajrizi tregon se kanë bashkëpunim me rreth 100 universitete të ndryshme nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, me të cilat kanë shkëmbime studentësh, të stafit akademik dhe programe të përbashkëta.

Krahas bursave për studentët e rinj që vijnë me nota të mira, dhe studentët që tregojnë suksese gjatë studimeve, UBT përmes projekteve si ai “Erasmus” i financuar nga Komisioni Evropian, dërgojnë studentët për një ose dy semestra, në universitetet evropiane.

Në këtë intervistë, Hajrizi shpalos se synim i UBT-së është që të kontribuojnë që Kosova të bëhet një vend i specializimit të teknologjisë moderne. “Në mënyrë që kur të përmendet rinia dhe njerëzit me një përgatitje të mirë në edukimin e teknologjisë së informacionit të mendohet për Kosovën”, thekson ai.

Në vazhdim lexoni intervistën e plotë:
EO: Z. Hajrizi, Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) ka hapur konkurs për regjistrimin e studentëve të rinj? Pse duhet të regjistrohet një student te ju? Çka e bën të veçantë UBT-në? Çfarë programesh ka UBT-ja që nuk i kanë kolegjet e tjera?

Edmond HAJRIZI: Ishte një pyetje shumë direkte: pse te ne e jo diku tjetër? Kjo fillon edhe nga vetë themelimi i UBT-së. UBT-ja është krijuar me idenë që të gjenerojë një vlerë shtesë në arsimin e lartë. Dhe ato vlera shtesë nënkuptojnë që të fokusohemi më shumë në elementet që ndoshta kanë munguar – në përgatitjen e kuadrit, në kurrikulën moderne, në një infrastrukturë tjetër, me një metodologji të konceptit amerikan-europian, por edhe me programe të cilat janë shumë atraktive për tregun e punës si në Kosovë, ashtu dhe jashtë vendit; si dhe me programe që janë të shekullit 21. Po flasim për teknologjinë e informacionit, për sistemet e informacionit, mekatronikën, robotikën, arkitekturën, për menaxhimin modern, dmth shumë degë, të cilat ndoshta janë zhvilluar për herë të parë në Kosovë, dhe që kërkojnë një angazhim të madh akademik, por UBT-ja nuk është larguar prej sfidave, por e ka marrë një përgjegjësi t’iu ofrojë të rinjve kosovarë që të marrin kompetenca profesionale për të cilat ka nevojë tregu i punës në vend dhe jashtë vendit…

Ne kemi më shumë se 100 universitete partnere të ndryshme nga Evropa dhe bota dhe kjo lidhje, ky bashkëpunim, si në aspektin shkencor, mësimdhënie, mobilitet, afërsi me komunitetin vendas, bën që ne të kemi një përmbledhje të informacionit dhe ofertë shumë të mirë për studentët.

EO: Sivjet janë akredituar dhe tri programe të reja: Shkencat politike, Ndërtimtaria dhe Mediat e komunikimi. Po më intereson të dijë diçka më shumë për kuadrin, sidomos në fushën e medieve, a do të jenë profesorët ndërkombëtarë apo mendoni se ka mjaftueshëm profesionistë të kësaj fushe në vend; si do të zhvillohet puna praktike, a do të bashkëpunoni edhe me medie, apo do t’i improvizoni studiot në ambientet e UBT-së?

Edmond HAJRIZI: Ne kemi vazhduar sivjet edhe me tri degë të reja, që ta përmbyllim spektrin e ofertës në arsimin e lartë. Ne mendojmë se përkon me konceptin e UBT-së që të kemi shkenca politike, që të kemi politikë-bërje, e cila nganjëherë iu paraprin edhe elementeve strategjike, edhe zhvillimeve ndërkombëtare. Dhe aty kemi bërë tri specializime:

Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci – mendoj se është një “forefront”, të themi një paraprirje për zhvillime ekonomike dhe të tjera; prandaj mendoj që duhet të kemi kompetencë në këtë drejtim.

Pjesa e studimeve evropiane, apo e integrimeve evropiane – Mendoj që edhe në 10 vitet e ardhshme Kosova do të merret mjaft thellë me çështjen e integrimeve dhe se duhet të krijohen kompetenca të nevojshme për këtë fushë.

Dhe kemi dhe administratën publike – Modernizimi i administratës publike, qasjet moderne të një qeverisje të re, të themi.
Mandej jemi te ndërtimtaria, inxhinieria e ndërtimit, ambientit dhe infrastrukturës. Siç e shihni në Kosovë ka mungesë të këtyre kuadrove, sidomos në pjesën e infrastrukturë, të mirëmbajtjes së objekteve, e deri te ndërtimi i objekteve dhe kualiteti i ndërtimit. Dje kishim një bisedë me një investitor gjerman, i cili është duke e bërë një investim shumë të madh në rajon dhe ka shprehur interesimin që të jetë aktiv edhe në Kosovë. Dhe, në këtë drejtim ai shprehu një lloj kërkese që të kemi kuadro në këtë fushë. Prandaj, mungesa e kuadrove na ka shtyrë që të reagojmë në këtë fushë.

Dhe kemi kaluar dhe në pjesën e medieve dhe të komunikimit. Mendojmë që format e komunikimit, shkenca e komunikimit është një element shumë i rëndësishëm për shekullin në të cilin jetojmë, sepse lidhet me informacionin, me bartjen e informacionit. Dhe ju e dini që pastaj kalon në sistemet e informacionit, që ne veç e kemi si degë; kalojmë te pjesa e teknologjisë që përdoret, mediumet. Dhe mendoj që ne duhet të krijojmë njerëz kompetentë që të ngremë dhe efiçiencën e punës sonë, në përgjithësi. Do të thotë, nuk mund ta eliminojmë elementin e informacionit dhe komunikimit, por duhet të përgatitemi për të ardhmen, mediat dhe teknologjitë e reja që po vijnë, për shkak të revolucioni të teknologjisë moderne…

Një pjesë të stafit e kemi, njerëz që kanë studiuar qoftë gazetari, qoftë media,qoftë komunikim, jashtë vendit apo brenda, por duhet të bashkëpunojmë ngushtë dhe me partnerët e tjerë universitarë, profesorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Unioni Europian, në mënyrë që kompetencat të cilat mungojnë. Siç e dini ka një mungesë në shkencat e komunikimit në përgjithësi në Kosovë dhe në rajon, t’i mbulojmë dhe të krijojmë kuadrot tona të reja, në të cilat pastaj mund të mbështetemi në aspektin afatgjatë.

EO: Sa studentë ka aktualisht UBT-ja dhe sa planifikohet të pranohen në vitin e ri akademik?

Edmond HAJRIZI: UBT-ja i ka aktualisht rreth 4 500 studentë. Vitin e kaluar kemi pasur 1 500 studentë të rinj, plani është që një numër të ngjashëm ta kemi edhe këtë vit. Dmth një rritje graduale për neve, në kuptimin që tash kemi edhe infrastrukturë shumë më të madhe, kemi dhe kampusin e ri që e kemi ndërtuar vitin e kaluar. Kështu që mendojmë se kjo është një shifër reale dhe e arsyeshme për zhvillim.

EO: Përmendët se keni bashkëpunim me më shumë se 100 universitete ndërkombëtare? A mund të na i përmendni disa nga këto universitete që janë më të njohura, me të cilat keni shkëmbime studentësh, të stafit akademik ose programe të përbashkëta?

Edmond HAJRIZI: UBT-ja është krijuar në bazë të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Ne, qysh në fillim kur kemi filluar në vitin 2003, kemi pasur ofertën që e kemi sjellë në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës për Teknologji dhe Universitetin Oakland të ShBA-së dhe prej atëherë kanë filluar lidhjet e vazhdueshme, duke sjell profesorë, duke vazhduar me projekte të përbashkëta. Gati nuk ka asnjë vend në Evropë që ne nuk kemi një universitet partner. Ndërkohë kemi pasur shumë projekte të Komisionit Evropian, Tempus, Erasmus. Ju që e dini që Erasmus është një projekt i mobilitetit, të sjelljes së studentëve nga Evropa dhe shkuarjes së studentëve dhe profesorëve tanë në Evropë, dhe në kuadër të kësaj kemi pasur bashkëpunim me shumë universitete, si City University nga Londra, me Freie University nga Berlini, me Universitetin e Varshavës nga Polonia, me Universitetin e Salzburgut nga Austria dhe universitete të tjera. Kështu është krijuar një gamë e gjerë e bashkëpunimeve me institucione serioze dhe që kanë një kulturë dhje histori të gjatë në arsimin e lartë.

FIDANISHTJA

Edhe ne jemi aktivë në ligjërim në universitet jashtë vendit. Dhe kjo krijon edhe një ndjenjë që edhe po të jesh në Kosovë, kualiteti më i ultë se në vendet e tjera. Dhe kjo na jep një shtysë shtesë.

EO: UBT-ja ndan dhe bursa për studentë të dalluar. Cilat janë kriteret për të qenë përfitues? A merren për bazë vetëm notat dhe suksesi në testin e maturës, apo ata iu nënshtrohen dhe testeve e intervistave këtu në UBT?

Edmond HAJRIZI: Ka forma të ndryshme. Kriteri primar është që studentët të kenë treguar sukses në shkollimin e mesëm. Këta ne i motivojmë me një bursë që ta kenë më të lehtë studimin, por natyrisht edhe për të pasur studentë të mirë. Ne e kemi një moto, themi në humor, se “me motor të Zastavës, nuk mundemi me ba Ferrari”. Dhe kjo është logjika që të tërheqim studentë e mirë, sepse nëpërmes tyre ne mund të krijojmë kualitete dhe të gjenerojmë personalitete, të cilat do ta zhvillojnë vendin dhe institucionin ku ata punojnë.

Nga ky fakt ka rrjedhur që ne edhe kemi punësim të lartë të studentëve që kanë diplomuar, në pozita të mira, në bankat e Kosovës, në Telekomin e Kosovës, por edhe jashtë vendit.

Ne kemi bursa të ndryshme, për studentët e rinj, pastaj kemi bursa për studentët që tregojnë suksese gjatë studimeve, kemi mundësinë e mobilitetit, ne i dërgojmë studentët pasi në disa projekte e përfaqësojmë Kosovës, si në Erasmus dhe është mundësia e dërgimit të studentëve jashtë vendit me bursa. Studenti shkon një semestër ose dy, studion atje dhe kthehet sërish. Të gjitha shpenzimet e udhëtimit, studimeve hiqen nga Komisioni Evropian.

Po ashtu, kemi shtetin norvegjez një projekt të tillë mobiliteti. Kemi edhe programe për ngritje kapacitetesh, duke i dërguar studentët dhe stafin tonë për studime doktorate, po ashtu me mundësi bursash dhe përkrahjeje.

EO: Infrastruktura, pas ndërtimit tani dhe të kampusit të ri në afërsi të Lipjanit, besoj është optimale? Po si qëndron puna me literaturë për studime, a ka mjaftueshëm literaturë në gjuhën shqipe, përkthime, apo studentët shfrytëzojnë dhe libra në gjuhën angleze?

Edmond HAJRIZI: Degët që ne ofrojnë janë mjaft dinamike dhe ndryshojnë shpejt, sidomos në pjesën e teknologjisë, prandaj literatura në gjuhën shqipe nuk është e mjaftueshme që të kesh njohuritë e fundit të teknikës dhe teknologjisë. Prandaj jemi të detyruar gjithherë, siç është e detyruar dhe Gjermania ose shtete të tjera shumë të mëdha, që të punojmë me literaturë në gjuhën angleze.

Në vitet e para, të gjitha studimet në UBT kanë qenë në gjuhë angleze dhe tani kemi filluar të ofrojmë studime dhe në gjuhën shqipe, pasi tani kemi dhe kuadër. Kështu që gjatë rrugëtimit, studenti ka mundësi të studiojë edhe anglisht, edhe shqip; por edhe këta që studiojnë shqip, i përkrahim që sa më shumë të shfrytëzojnë literaturën anglisht. Ekzistojnë shumë ndërlidhje me libraritë elektronike botërore, ku studentët tanë kanë mundësi t’i qasen. Kemi dhe libra tanë të cilat gradualisht jemi duke i punuar për studentët tanë…

EO: Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, patët paralajmëruar se do të shikohen mundësitë për ngritjen e një inkubatori për biznese. A ka diçka konkrete në këtë drejtim?

Edmond HAJRIZI: Ne jemi duke punuar që në bashkëpunim me Komunën të krijojmë një inkubator modern të bizneseve afër Qendrës Universitare. Mendoj se do të jetë një model modern i inkubimit, krijimit të bizneseve të reja dhe i sigurimit të vende të reja të punës, natyrisht duke u bazuar në teknologjitë e reja dhe inovacione. Dhe besoj që duke pasur përballë universitetin dhe kuadrot që mund të gjenerojnë gjithherë hulumtime, zhvillim dhe ide bashkë me studentët atëherë mund t’i përkrahim në krijimin e bizneseve të reja. Dmth një cikël prej inkubatorit universitar në inkubatorin e bizneseve e deri te themelimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Dëshirojmë të krijojmë diçka që do të sjell rezultat të mirëfillta e jo vetëm t’ia vëmë emrin inkubator. Ne jemi anëtar edhe të disa qendrave ndërkombëtare të transferim të teknologjisë dhe inovacioneve dhe kjo na mundëson të bashkëpunojmë edhe me inkubatorë nga vende të tjera, dhe të kemi shkëmbim të ideve dhe përvojave. Ne gjithashtu jemi duke ndihmuar edhe regjioneve të Kosovës që të krijojnë zona ekonomike të mirëfillta, siç është rasti në Gjilan, duke u bazuar në studime të fizibilitetit…

EO: Si pjesë e këtij bashkëpunimi me Komunën e Lipjanit, UBT-ja ka ofruar zbritje prej 50 për qind për studentët lipjanas. A ka pasur shtim të interesimit? Më kujtohet, kur e patëm botuar lajmin në agjencinë tonë, nga lexuesit ka pasur komente se ky është diskriminim i komunave të tjera. Si do t’iu përgjigjeshit këtyre komenteve?

Edmond HAJRIZI: Nuk kemi menduar për diskriminim, por jemi munduar gjithherë që oferta jonë t’iu përshtatet rrethanave sociale që eksitojnë, jemi munduar që të kemi një ofertë financiare të arsyeshme në relacion me mundësitë që studentët kanë.

Me këtë ofertë, një student studion me më pak se 1000 euro vitin, ka literaturën brenda, ka infrastrukturën dhe të gjitha mundësitë e tjera, në shkenca kompjuterike, në arkitektura dhe drejtime të tjera…

Keni parasysh se Lipjani na ka ofruar diku 3 hektarë që ta zhvillojmë kampusin e UBT-së, na është dhënë për 99 vjet në shfrytëzim; një ndihmë e madhe financiare për neve dhe kjo është tokë e qytetarëve të Lipjanit dhe ne duam që t’ua kthejmë këtë “borxh”.
Ky është një shembull i partneriteti si mund të bashkëpunojnë një institucion publik dhe një privat për të mirën e qytetarëve. Dhe ne kemi dashur të japim një shembull, së pari me ofertën e studimeve, pro do të vijnë dhe programe të tjera zhvillimore.

Ne nuk punojmë vetëm për Lipjanin natyrisht, ne punojmë për tërë Kosovën, por në këtë rast ka qenë edhe një obligim moral dhe të themi, pak a shumë kontraktual, që ne t’i përkrahim të rinjtë e Lipjanit.

EO: UBT-ja është e njohur gjithashtu për garat në robotikë, me ç’rast studentët tuaj kanë dalë me sukses. Për kuriozitet, këta studentë që marrin pjesë në gara, a janë të familjarizuar me robotët, dmth kanë punuar me ta në laboratorët në UBT?

Edmond HAJRIZI: Robotët janë pronë e UBT-së, zhvillohen në UBT, mandej me ata robotë shkohet në garë, luhet loja dhe fiton ose humb… Ne kemi disa lloje të robotëve, kjo është njëra prej teknologjive moderne që i ka UBT-ja, ka edhe tjera edhe shumë forma të tjera, por njëra prej tyre është robotika. Dhe ju e dini, që në një garë të Evropës e kemi zënë vendin e parë, Kosova është radhitur në vendin e parë dhe ky është një mesazh shumë i mirë, dhe eliminim i frikës se studentët kosovarë nuk munden të punojnë në robotikë se munden vetëm vendet e zhvilluara. Mendoj se faktori njeri, inteligjenca e tij dhe përdorimi i tij në mënyrën e duhur mund të reflektojë shumë në zhvillim…
Robotët nuk përdoren vetëm në gara, por edhe në laborator, për hulumtim, për mësimdhënie. Tani jam duke punuar dhe vitin e ardhshëm prapë do të marrim pjesë në gara botërore. Dhe mendoj se ky është një promovim i mirë edhe për neve.

EO: Natyrisht, si një kriter ose tregues për suksesin e një institucioni të lartë arsimor merret dhe përfshirja në tregun e punës e të diplomuarve. A keni ju të dhëna, ndonjë statistikë, sa për qind e atyre që dalin nga UBT-ja arrijnë të punësohen?

Edmond HAJRIZI: Sipas raporteve të fundit të vetëvlerësimit që i kemi bërë, kemi një punësim të lartë të studentëve. Diku rreth 90 për qind të studentëve, ata që kanë diplomuar, janë punësuar, për të mos thënë edhe më lart. Kjo nuk do të thotë që duhet të jemi të kënaqur me rezultate, jemi duke punuare dhe më tutje me modele të tjera. Kemi krijuar Qendrën e Karrierës brenda UBT-së, e cila kujdeset që ta përgatisë sa më mirë studentin tonë për vendin e punës, duke filluar me informimin si aplikohet, fillimi paraprak të praktikave, me trajnime shtesë për punë dhe sjelljen në punë e deri te aplikimi dhe punësimi dhe përcjellja e tij në punësim.

Po ashtu e kemi Qendrën për Alumni, me studentë që veç i kanë përfunduar studimet. Dhe ne kemi kontakte të vazhdueshme me ta, i përcjellim në karrierën e tyre, botojmë, raportojmë, kemi revistë të veçantë për ta dhe në këtë mënyrë marrim edhe një “feedback” prej tyre sesi po zhvillohemi ne, çka duhet të ndryshojmë. Alumni janë dhe anëtarë të Bordit të UBT-së, kanë zërin e tyre në vendimmarrjet tona strategjike…
Ne kemi një raport shumë të mirë me bizneset, por dhe me institucionet publike. Jemi shumë afër tyre dhe dëshirojmë të jemi afër probleme të tyre… Tani jemi duke shikuar mundësitë që të gjenerojmë vende të punës nga investitorët e huaj, sidomos në teknologjinë e informacionit, sepse ne jemi shkolla më e madhe e shkencave kompjuterike dhe inxhinerisë në rajon. Nuk ka asnjë institucion, as publik as privat, studentë më shumë. Dhe dëshirojmë që këtyre studentëve t’iu sigurojmë më shumë vende të punës sepse nganjëherë tregu i Kosovës nuk ka mjaftueshëm hapësirë. Prandaj për të krijuar vende të reja pune i kemi tri mundësi: të krijojmë investime direkte të huaja, të krijojmë ndërmarrësi të re dhe njëherësh t’iu ndihmojmë ndërmarrjeve ekzistuese që t’i rrisin aftësitë konkurruese.

Dje kishim një takim me investitorë gjermanë me të cilët biseduam rreth mundësisë së bashkëpunimit dhe krijimit të qendrave të teknologjisë së informacionit, në mënyrë që të ofrojmë shërbime dhe programe për Evropë. Dhe mendojmë që iniciativa të tilla do të gjenerojnë vende të mira pune dhe do të mundësojnë që Kosova të jetë një vend i specializimit të teknologjisë moderne. Në mënyrë që kur të përmendet rinia dhe njerëzit me një përgatitje të mirë në edukimin e teknologjisë së informacionit të mendojmë për Kosovën.

EO: Ju faleminderit z. Hajrizi. Ishte kënaqësi të ju kemi në intervistë!

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.