UBT mbajti ceremoninë e diplomimit për vitin akademik 2018/2019

Të lumtur dhe duke bartur me krenari epitetin e absolventëve, më shumë se 800 studentë të UBT-së e përmbyllën ciklin e studimeve në profesionet e tyre E lumturinë që mbretëronte në sallë e shtuan edhe mijëra familjarë dhe profesorë, të cilët përgjatë këtyre viteve e mundësuan dhe e lehtësuan përmbylljen e këtij rrugëtimi, që do të ndryshojë përgjithmonë jetën e studentëve tanë.

Për të shprehur krenarinë për studentët dhe falënderimin për kontributin e prindërve dhe stafit të UBT-së, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi tha se suksesi i ditës së sotme është rezultat i punës disavjeçare për të ndërtuar dije dhe personalitete lideri tek studentët e secilit profesion.
“Kemi nevojë për njerëz kompetentë që kërkohen nga institucionet dhe kompanitë, e ne si UBT kemi ndërtuar personalitete të tilla, sepse ndërtimin e gjeneratave të fuqishme intelektualisht ia kemi borxh Kosovës dhe mijëra prindërve që ia besuan UBT-së shkollimin e fëmijëve të tyre”, u shpreh Hajrizi.

Ai përmendi statistikat e larta të punësimit të studentëve të UBT-së, si një nga pikat më të forta të institucionit, që ndikon drejtpërsëdrejti edhe në uljen e nivelit të papunësisë në Kosovë.
“98 nga 100 studentë punësohen ende pa e përmbyllur ciklin e studimeve themelore, andaj nuk kam asnjë dyshim që edhe studentët e pranishëmnë këtë sallë do të jenë më të kërkuarit në tregun e punës, edhe pse, shumë prej tyre tashmë veç janë të punësuar”, theksoi ai.

Pjesë e kësaj dite të rëndësishme u bë edhe profesori nga State Universiy of Rome, Paolo Parisi, i cili solli në kujtesë periudhën kur e kishte vizituar Kosovën për herë të parë dhe se si, sipas tij, gjurmët e plagët e rënda të luftës ishin ende të pranishme në trupin dhe mendjen e kosovarëve, por edhe se si pas disa vitesh kishte ndërruar plotësisht përshtypjen kur kishte parë arritjet e UBT-së dhe të studentëve.
“Kujtimet e para nuk ishin të mira, por tani shoh shumë progres dhe punë që është bërë, e ju do të jeni klasa udhëheqëse e këtij vendi. Ju duhet të jeni krenarë me atë që keni arritur, sepse keni zgjedhur studimin më të mirë të mundshëm, por mos harroni asnjëherë të jeni mirënjohës ndaj njerëzve që ju ndihmuan të vini deri këtu, prindërit dhe profesorët tuaj”, i këshilloi ai studentët.

Duke përfaqësuar zërin e të gjithë studentëve, studenti i UBT-së, Blert Podvorica përmendi sukseset e studentëve të UBT-së përgjatë një viti, teksa i motivoi kolegët që ndonëse në rrugë e drejtime të ndara, të punojnë së bashku për ta bërë Kosovën një vend më të mirë dhe ta nderojnë në këtë formë edhe UBT-së, si institucionin ku morën bazën e ndërtimit profesional.

Pasi dhanë betimin akademik dhe pasi morën certifikatat, në fund të ceremonisë, studentët hodhën kapelat studentore, si traditë e përmbylljes së ceremonive të gradimit./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).