UBT ambasador i dijes dhe shkencës, nderohet me disa çmime ndërkombëtare
Prishtinë – Presidenti i UBT-së në një takim me mediet ka shpalosur rezultatet dhe punën e mirë e profesionale që ka bërë UBT në vitet 2013-2014. Hajrizi tha se UBT me të drejtë tani po konsiderohet si ambasador i dijes dhe shkencës në Kosovë pasiqë gjatë kësaj periudhe kemi marrë disa çmime të rëndësishme me kredibilitet ndërkombëtar. Hajrizi tha se stafi profesional, kushtet e mira dhe infrastruktura e avancuar kanë ndikuar që UBT të rangohet ndër universitetet më të mira në Evropë e në rajon.
UBT vlerësohet me çmimin e parë në Ballkan për Excellence nga Organizata Europiane për Menaxhimin e Cilësisë (EFQM), dhe çmimet tjera gjatë vitit 2014. Kjo ka qenë edhe arsyeja që presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi të mbajë një takim me mediet, raporton rajonipress.
Edmond Hajrizi është dukur inkurajues dhe motivues të mërkurën në një takim me mediet. Duke folur për rezultatet gjatë viteve 2013 – 2014 Hajrizi tha se s`ka si të mos ndihet krenar dhe i lumtur, kur kanë shënuar dhe kanë fituar disa çmime prestigjioze të cilat UBT e bëjnë universitet kredibil dhe të qëndrueshëm edhe në fushën e arsimimit cilësor e ndërkombëtar.
Hajrizi duke radhitur rezultatet tha se tashmë UBT ka marrë vlerësime ndërkombëtare për cilësinë e punës. “Këto vlerësime të fituara tregojnë se UBT ka arritur pjekurinë shkencore e arsimore. Në shtator kemi pranuar një vlerësim për excellence që tregon se UBT ka fituar pjekurinë dhe modelin për exellence. Realisht ky edhe është modeli më i vlerësueshëm në Evropë për cilësi dhe kjo ishte një ëndërr për ne. Këso certifikata e vlerësime nuk i ka askush nga vendet e rajonit, prandaj UBT është e privilegjuar” tha Hajrizi.
Hajrizi tha se këto vlerësime dhe këto çmime janë edhe një promovim i mirë për Kosovën. “UBT nuk po mendon vetëm për vetën, por ne po punojmë që përfitues i drejtpërdrejtë të jetë edhe Kosova. UBT ka pasur rezultate, hulumtime, publikime, dhe ka një infrastrukturë moderne, laborator modern dhe të gjitha këto kanë ndikuar që të marrim një vlerësim për cilësi edhe nga Universiteti Amerikan në Houston të SHBA”.
Hajrizi tha se UBT një vlerësim të tjetër e ka marrë edhe nga organizata BID derisa sërish ka fituar ricertifikimin nga ISO që flet se UBT i plotëson standardet dhe kriteret ndërkombëtare.
Një vlerësim tjetër UBT e ka marr edhe nga IPMA që flet për menaxhimin e projekteve dhe kjo na jep të drejtën që të japim edhe certifikime profesionale.”Mos harroni se këto vlerësime dhe çmime nuk është lehtë të fitohen sepse janë standarde dhe kritere të ashpra. Është një rrugëtim i gjatë dhe jo i lehtë, por UBT këtë e arriti në saje të punës së mirë të stafit, studentëve dhe në saje të punës shumë angazhuese që kemi bërë në të gjitha drejtimet”.
Edhe Korpusi i shkencës dhe inovacionit që ndodhet pranë UBT-së në Lipjan e ka marrë një vlerësim nga IASP derisa Rasmus Mundus i ka dhënë një vlerësim tejet korrekt UBT-së tha Hajrizi.
Hajrizi tha se UBT është institucioni i vetëm privat që ka fituar deri tashti projekte nga Komisioni Evropian. “Mua më bëjnë motivues dhe inkurajues njëkohësisht këto vlerësime të cilat janë të dobishme edhe për Kosovën. UBT po bëhet një ambasador i dijes dhe shkencës për Kosovën sepse po arrijmë ta afirmojmë edhe dijen dhe inteligjencën kosovare jashtë vendit” tha Hajrizi./rajonipress/


