Eko Higjiena

U sakatuan

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Lëndimet e shpeshta dhe të rënda të futbollistëve po e karakterizojnë edicionin e sivjetmë të Superligës së Kosovës. Në katër xhirot e fundit, tre lojtarë janë ‘sakatuar’, duke i thyer këmbët në luftë për topin. Sipas njohësve të futbollit, mungesa e përgatitjes fizike dhe mos kontrollimi i veprimeve të tyre në fushat e blerta, ka bërë që futbollistët të rrezikojnë seriozisht me karrierë.

Nuk mbahet në mend që ndonjëherë të ketë pasur futbollistë të lënduar rëndë nëpër fushat e blerta të Superligës së Kosovës më shumë sesa në këtë edicion.

Tani kur kanë kaluar vetëm trembëdhjetë xhiro të këtij kampionati, për tre futbollistë ky edicion veç ka përfunduar. Kjo pasi të tre ata i kanë thyer këmbët, në luftë për topin. Madje, të tria këto lëndime të rënda ndodhën gjatë këtyre katër xhirove të fundit.

I pari që u ‘sakatua’ ishte Përparim Osmani i Dritës, i cili e theu këmbën në duel me Trepçën ’89, në kuadër të xhiros së dhjetë.

Ndërkohë, xhiroja e fundit, respektivisht e trembëdhjeta, ishte fatale për dy futbollistë tjerë. Në fakt, dueli mes Lirisë dhe Llamkos Kosovës u kushtoi shtrenjtë Faton Palushit të Lirisë dhe Armend Ibrahimit të Llamkos Kosovës, të cilët thyen këmbët.

E këto lëndime po vijnë si rrjedhojë e asaj që skuadrat nuk po e kursejnë as aplikimin e lojërave të ashpra, vetëm e vetëm që të nxjerrin rezultate pozitive. Por, kjo nuk është arsyeja e vetme. Përgatitja e dobët fizike e futbollistëve po bënë që këta të fundit të lëndohen shpesh, e madje edhe rëndë.

Mobi Casa

Kështu thotë edhe ish futbollisti i njohur, tani trajner, Bekim Isufi. “Shumë skuadra janë të dhëna për të korrë rezultate sa më pozitive dhe ato mundohen t’i arrijnë me çdo kusht, dhe në këtë mënyrë, futbollistët nuk i kontrollojnë veprimet e tyre nëpër ndeshje, me ç’rast pësojnë lëndime. Pra, zgjedhin lojën e ashpër, ngase para ndeshjeve nuk bëjnë përgatitje psikike dhe kjo nuk është e mirë”, thotë Isufi, i cili shton se sikur futbollistët të kishin përgatitje më të mirë fizike, atëherë lëndimet do ta kishin më të vështirë t’i atakonin ata.

Njëjtë shprehet edhe trajneri tjetër, Musa Selimi, njohës i mirë i kulturës fizike. “Janë disa faktori, por më i theksuari është ai i përgatitjes së dobët fizike të futbollistëve. Por, shpesh lojtarët nga dëshira e madhe për ta mbizotëruar topin, dhe për të rënë në sy të trajnerit e tifozëve, i kalon ato suazat e fair-play’t, dhe kështu pëson lëndim që edhe ia rrezikon karrierën”, tha Selimi.

Sipas tij, në futbollin kosovar futbollistët nuk kanë arsye të rrezikojnë karrierën, prandaj duhet të jenë më të kujdesshëm. “Te ne nuk ka kushte sikur në vendet tjera, që futbollistët e lënduar t’i shërojmë më shpejt. Shkojnë vite derisa futbollisti të shërohet, madje ndoshta vetë e paguan shërimin, ngase klubet heqin dorë nga lojtari, porsa ai ta thyej dorën apo këmbën, dhe kjo është njëra prej pikave më të zeza të sportit kosovar”, potencoi ai.

Realisht, kur futbollistët po pësojnë lëndime të tilla, futbollit kosovar po i prishet akoma imazhi, i cili edhe ashtu është shumë i zbehtë. Mungesa e autoambulancave nëpër stadiume, ka bërë që lojtarët kur po lëndohen në spital të transportohen me vetura private, gjë që nuk ndodh askund në Evropë, përveç Kosovës.

E Federata e Futbollit e Kosovës është në gjumë karshi këtij fenomeni, duke mos i obliguar klubet që t’i sigurojnë autoambulancat nëpër ndeshje, përkundër fjalëve që i ka dhënë se do ta bëjë një gjë të tillë.(express)