RCCOLA

U promovua libri i Kushtrim Kadriut “Enough is Enough”

/ 34 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kushtrim Kadriu autor i librit tha se ka një kohë të gjatë që merret me shkrime publicistike, opinione për tema të ndryshme politike e sociale në vend.

Të shkruarit nuk është se nuk e kam provuar më herët, por që nuk kam marrë ndonjë iniciativë serioze për të botuar diçka për publikun. Tani i erdhi çasti që të prezantoj librin tim të parë. Për botimin e këtij libri jam inspiruar nga fjalimi i famshëm i Presidentit Amerika Georg W. Bush në Tiranë, kur ai në fjalimin e tij tha:“Mjaft është Mjaft, ! Kosova është e pavarur!” Që nga ajo kohë janë bërë dymbëdhjetë vite, e që ne ndodhemi prapë në gjendjen e njejtë, e ballafaqohemi me problemet e njëjtë. Kjo më ka bërë që të thyej heshtjen, të shkruaj këtë libër me poezi. Kam pas nevojë gjithmonë të shprehem dhe të flas për thirrjen nga thellësia e qenies, që gjithë atë që e ndjej përbrenda –ta them. E kuptueshme se ka një normë civilizuese për shprehjen dhe kjo është gjuha e artit. Kështu deshta që me gjuhë të artit e mësimeve të flas e të shkruaj, të korrespondoj me lexues. Një të shprehur pra kështu, me urti arti e sharmi për gjithë çka njerëzore në ne. Kam mbajtë në këtë edhe një dialog jashtë artit, me përimtime nga lëmitë tjera dhe kam treguar nevojën për të kontribuar në ndryshimet pozitive në shoqërinë dhe kombin, me një theks kritk të bazuar në dukuritë negative të cilat na përcjellin ne në jetën tonë të përditshme. Duhet të ndërtojmë të mirën dhe heqim të keqën! Pra unë them se mjaft është – mjaft, – ne duhet filluar të kthjellemi e të rrezistojmë kundër të keqës në gjitha sferat e jetës, si në politikë, kulturë, letërsi, etj.

Ndërkohë duhet të shkojmë përpara me punë e mund, që jeta jonë të jetë sa më e mire! Shaban Emini tha se Kushtrimi Kadriu ka pasur kohë të gjatë prezantime të ndryshme në portale, televizione, radio e gazeta ditore. Përpjekjet e tija kanë qenë të ndryshme, por kanë mbisunduar komentet e analizat sociale e politike, thirrjet dhe zërat e arsyes shoqërisë e kombit tonë sidomos pas lufte, kur u shfaq mundësia e parë për t’u emancipuar si shoqëri dhe si komb.

Në komentet e në zërin e tij kam vërejtë se ka thirrje njerëzore e kombëtare për të shkuar rrugës e mbarë, si i ka hije e si janë mundësitë. Një gjë e tillë pak u bë tek ne pas lufte, -përkundrazi, me shumicë çdo gjë doli jashtë arsyes dhe degjeneroi në shoqëri e komb. Autori për këtë, në çdo prezentim të tij, ka kërkuar e thirrur t’i kthehemi arsyes e të duhurës dhe në këtë tutja autori është munduar që edhe vetë të tregojë rrugën e drejtë të shoqërisë dhe kombit. Kam vërejtur se Kushtrimi kishte edhe shkrime të gjinive të ndryshme, që prej referimeve sociale, politike, filozofike, -e deri tek ato të letërsisë dhe artit. Një sharm universal hetova në shënimet e tija në të gjithë shkrimet, por sidomos në poezi, -që më pëlqeu veçmas, -prandaj edhe i propozova autorit që të bënte diçka e të nxirrte sa për fillim një libër me poezi!

Me gjithë hamendjen e mosdeklarimin, Kushtrimi pas njëkohe të gjatë pranoi të mundohej të bënim një libër unik me shkrimet e tija në vargje. Mandej iu rrekëm punës dhe përmblodhëm disa vjersha nga shkrimet në fletore e ditare që kishte dhe e bëmë një libër të vogël, -që është tani ky para juve të pranishëm të nderuar, -sa për fillim! Në shkrimet poetike mandej tek autori pashë se kishte dy mënyra qasjesh artistike dhe stilesh, -që është edhe normale për fillim tek të gjithë autorët dhe këtë ia shtrova autorit, me këshillën që të merrte nga të dy mënyrat e shkrimeve poetike e të bënte një përmbledhje me poezi kështu –dhe me dy natyra temash! Kështu në në një mënyrë kemi një përshkrim poetik universal me plot sharm e magji të jetës dhe domethënies së saj, -kurse në mënyrën tjetër kemi skica reale të karaktereve marciale të njerëzve, sidomos të të rinjëve –në shoqërinë bashkëkohore, -përplot me ndryshime të shpejta karakteresh, që bëjnë njeriun e kësaj kohe të ndryshëm nga e kaluara. Këtë mbase e bënë -teknologjia me ndërhyrjen e shpejtë në jetën e njerëzve si dhe ndryshimet e mëdha të shpejta sociale që ndodhë tridhjetë vjetët e fundit përbrenda kombit tonë këtu në Kosovë.

Që të dyja mënyrat e qasjeve ishin mjaft të suksesshme dhe të arritshme, -secila mënyrë kishte bukuritë e saj, -e që menduam se duhej të spikatehin, -prandaj edhe bëmë radhitjen e këtillë në dy pjesë e me shumë nëntituj në cikle, për’i rritur sharmin artit poetik dhe për t’i ofruar lexuesit një qasje më të afërtë me botën shpirtërore të autorit! /rajonipress/

Kushtrim Kadriu

Enough is enough
(Mjaft është mjaft)

Poezi

Gjilan
Vjeshtë 2019

Kushtrim Kadriu

Enough is enough
Redaktimi
Femi Halimi

Lektori
Femi Halimi

Ballina
Kujtim Kosumi

Gjilan, Janar 2020

Hyrje

PJESA E PARË

-I-
KTHIMI

Kthehu thërret dikush
pas çdo ikjeje

Një zë nga thellësia
thërret

Sado larg të ikësh
dikush të pret

DO TË VIJË NJË DITË

Dielli një ditë do të rrezojë
e hija e secilit nga ne do të dalë
të tregojë kush ishim
e çfarë bëmë

JETA NËN DIELL

Dielli udhëton për një ditë
sa njeriu gjithë jetën
prej lindjes në perëndim

Një frymë mbush mushkëritë
një frymë tjetër nxjerr –
e tjetrën me radhë merr

Kështu çdo gjë e gjallë
mundohet të zgjas ditët e jetës
nën diell

Sado qoftë –
edhe një hap
edhe një orë

edhe qoftë një sekondë

Edhe një agim e perëndim
me shpresë

ZEMRA E NJERIUT

Çka kapë mendja
çka shohin sytë –
është zemra e njeriut

E pa anë –
që nuk matet me asgjë
zemra e njeriut rrahë
orë e jetës

Njeriu hedh hapat
po dikush vendosë
kah të shkojë njeriu

Si t’ia bën
e ku të jetë

Dikush thërret
brenda thellë

Hej njeri
-ku je?!

DORA DORËS

Dora që jep
qëndron gjithmonë
mbi dorën që merr

Ajo dorë që shtrihet
zgjatet
e dora që ndrydhet
prehet

Kështu dorë për dore
gjithë njerëzimi mund të kapen
përreth gjithë botës

Le të shtrihen duartë prandaj
në lindje e perëndim –
sepse bota është e njerëzve
në trashëgim

Të mëshirshmit do të trashëgojnë botën
e të drejtët do të qëndrojnë
përgjithmonë

JETA

Gjëja më e mrekullueshme
është jeta vetë

Për jetën u bë tokë e qiell
për njeriun shtëpi strehë

Jeta shkon me njeriun
me njeriun gjithçka emër merr

Ç’e do gjithë Gjithësinë
pa njeriun po të jetë

Si një shtëpi pa njerëz
që bjerret shpejt

Kështu jeta shkon me njeriun
që tokës gjallëri i jep

NJERËZIA

Gjithçka nisë e mbyllet me njerëzi
në nderim kur njeriu njeriun pret

Pa njerëzi nuk ka gjë
që njeriu arrin në jetë

Nuk mund të ketë të dijshëm
as të zotë në arte e shkathtësi
as në besim e dashuri
pa të çmueshmen njerëzi

Pa njerëzi kot është çka bëhet
gjithçka kërkon për kusht dëshmi
as besimi në Zot nuk mbahet
pa të çmueshmën njerëzi

Njerëzia qelë portat
e të madhes jetë –
ku dielli rrezon e ngroh sipri
Ata që i ka të vetët

Njerëzia është ajo
që në fund ka mbetë –
është kushti për gjithçka që bëhet
sa njeriu në botë të jetë

ZËRI I NDËRGJEGJES

Njeriu është ky që bie e çohet
e kurrë nuk dorëzohet

Është njeriu që humbë rrugë
e kthehet e gjen vetë

Është njeriu që ngutet e gabon
po mandej mpreh mendjen të qetë

Njeriu është që humbet
po që mandej kthehet

Kështu njeriu është i tillë
i pandreqshëm në jetë

Që pendohet -por gjithnjë
e kthehet në strehë të vet

Një diçka që na mëson gjithnjë
si të sillemi –vëni re –
është Zëri i Ndërgjegjës
-në shpirt thellë
që na thërret:
–“Ku je?!”

LIBRI

Është libër i vërtetë
ai që të mëson për mirë
që të jep mësim –
e të bën të lirë

Në libër ka vetëm mësime
fjalë të ëmbla me gëzim
me njerëzi si mësohet
e me përkushtim

Tani dalin shumë libra
veç në dukje janë të tillë –
përbrenda ndërkaq nuk kanë gjë
veç mundim e të pështirë

Me thashetheme e me sharje
nuk mbushet libri i shkretë –
me poshtrime nuk mësohet
as shkohet kjo jetë

Le të mendojë –ai që boton
“libër” emrin s’e ka për kot
le të boton veç kush din –
nëse ka çka të thotë

-II-
DALJA

Gjithmonë ka një dalje
në fund të çdo udhëtimi

Nuk zgjasin gjithmonë në jetë
as e mira –as e pështira

Prandaj ka shpresë
sikur dita me ditë

Shkon njëra –vjen tjetra
për udhëtarin në pritë

DITURIA DHE HIJESHIA

I dijshëm dhe i hijshëm
ashkush nuk mund të jetë

Dikush kështu është i hijshëm
por nuk është i dijshëm

Dikush është i dijshëm
por nuk është i hijshëm

Shumë kërkohet fjala që udhëzon
në portale e televizion

Dalin njerëz që flasin e rroptojnë
të hijshëm mediat si i kërkojnë

Kot është kjo si edhe ndodhë –
të hijshmit nuk dijnë

Të dijshmit janë dikund nëmes nesh
por që bota i përqesh

Prandaj kurrë nuk gjendet një udhëzim
për të nevojshmin drejtim

RRUGËT

Rrugët janë dejtë tanë
deri në udhët që çojnë
në skaje të botës
e kthejnë –
në votrën e ngrohtë

Një mësim jete
gjurmët te të gjithë len

Rrugë është ajo
që të çon
e të kthen

NDARJET

Ndarjet janë kufij tjerë
sikur dimër e verë
vjeshtë e pranverë

Ndarja është gjuhë
ndarja është ngjyrë
është race –
është mënyrë besimi
është dallim klasash

Në ndarje jeton bota
me kufij hije –
ligjesh e ndalesash
kushtesh për hyrje e dalje

Në të katër anët e botës
njerëzia ndahen e vetmohen
në shekullin e bashkimit
të dijes e dritës

Kështu bota vazhdon të vetmohet
në vend se të qëndrojë bashkë
ndahet e përdredhet -si në hell
ag e terr -nën diell

ATDHEU

Të shkosh kah të shkosh
të zbresësh ku të zbresësh
të hipësh ku të hipësh
atdheu është vendi i shenjtë
ku ti e gjen vetën

Edhe gjithë bota po të bëhet e jotja
atdheu bën më shumë –
sepse mendja e zemra
shpirti në drithërim
kanë paqë vetëm në atdhe

Si njeriu në mes gjelbrimit
si ai tjetri në mes shkretëtirës
si njeriu në mes akujve polarë
si i burgosuri përjetë –
atdheun e kanë në zemër

Atdheu ka vendlindjen
sikur trupi zemrën –
çdo njeri e mba mend
sado larg në shkoftë
e të arratiset për jetë

LIRIA DHE ROBËRIA

Ka dallim nëmes lirisë e robërisë
duhet t’u spjegohet të rinjëve tani
kusht që qëndron në udhë –
për të shkuar në ardhmëri

Duhet t’u mësohet të rinjëve
ka dallim nëmes tyre –
liria nuk është sikur robëria
as robëria sikur liria-
tani që jemi në liri
kur erdhën breze të shumtë pas lufte
ka nisë të harrohet si erdhi
kjo liria

Se dikur ishim në robëri
me frikë gjithmonë ag e terr
e në gjumë e në gdhirje –
nga armiku që qëndronte sipri
e zinte diellin me dorë

Duhet t’u mësohet të rinjëve
e tjerëve që vijnë gjithmonë –
se ishte një kohë robëri
derisa erdhi liria

NUSE ME TEL

Ishte Ushtria Çlirimtare
që nisi luftën për liri –
ndaj sunduesit të huaj këtu e këndej
me armë e zjarr stuhi
nisi lufta për liri
pasi kaloi të gjitha pengesat
këndej e andej

Ishte rëndë të nisej
sepse armiku pështjellonte e prishte
sa vëllau vëllaut mos t’i besonte
e në frikë të mbahej përjetë

Ata që e nisën luftën
ishin krushqët e lirisë
në udhën e madhe të jetës tonë
pas nuses me tel –
e dhëndrrit me flamur
me mollë në shtizë
e armë në brez

DITURIA

Dituria ka shtatë shtylla
që e mbajnë –
ka tryezë buke e dritë në mur
shkallë për ngjitje
e oborr me porta hapur

Në porta thërret ajo
dituria vetë-
njerëzit të shkojnë tek ajo
të hanë e të pijnë
e të ngopen përjetë
të heqin etjen përgjithmonë
e të jetojnë në paqë

Në portat e diturisë
dielli qëndron gjithmonë sipri
rrezon -e s’pran së nxeri
përjetësisë

-III-
DITAR JETE

Një “Ditar jete” fsheh gjithë ditët
në një tempull praruar
e roje në mes

RINIA

Nga mëngjesi -e deri natën vonë
gjithë qyteti nga të rinjtë vlon
andej -këndej kudo -e kahdo
jashtë e brenda -deri në skaje

Është rinia jonë -që rendë në jetë
gjallëri e kombit -me fuqi pa fund
përtëritje gjithmonë -në tokë tonë
e shëndetshme -kjo rinia jonë

Ka për tërë botën -rini tonë
dhe prapë këtu mbeten -sa të duash
sepse gjaku ynë kështu është -i fortë
si janë të fortë njerëzit

Janë mësimet e doket
traditat e zakonet –
si duhet të jetohet e të vdiset
si duhet të shkohet drejt
që njeriu -njeri të jetë

Është atdheu ynë që i bën të tillë
burrëria e njerëzia shqiptare –
që botën mëson dhe e bën me fuqi
kudo që të rinjtë tanë ka

PUNA NË BIBLIOTEKË

Puna më e mirë në botë
është puna ime në Bibliotekë të Qytetit
nëmes librave plot –
e lexuesve -që vijnë e shkojnë

Një ndërtesë bashkëkohore
me kushte për punë e shërbim
me rend e pastërti –
me ajrosje e qetësi

Kush është duhanxhi
mund të del jashtë të tymosë
të heq mërzi o të merr –
brenda duhet ajër i shëndoshë

Më të dashurit janë fëmijët
të vegjlit gaztorë të gjallë –
që vijnë pas librave të tyre të zemrës
e dijes që nisin të nxënë

Në zemër të qytetit tonë
është tempulli i jetës së re
që rrezon dritë e ngrohë zmrën
e mendjen mprehë

DILEMAT

Gjithë jetën e çojmë me dilemë
si të qëndrohet e të bëhet mirë

Në bisedë a ndejë si të kthejmë fjalët
me maturi të gjykojmë e prejmë
të dijmë çdo dalje e dritë kredhur
nëmes kuptimesh me mjegull

Të qëndrojmë si duhet për çdoherë
është mësimi që nuk ndryshon
për të mirën tonë e të të tjerëve

Fjala matet në peshojë
me peshore zemre e mendjeje
që gjithmonë të kemi paqë
e të ndahemi me nderë

LUFTA PËR PUSHTET

Nuk ka gjë më të pështirë
se lufta për pushtet –
vëlla me vëlla kur prishen
e s’flasin më

Për pushtet aget e erret
kthjellet e ngryset njerëzia
në marramendje pas pushtetit
harrohet Perëndia

Pushteti ndan njerëzit
i bën armiq –në bisha i kthen
që nuk kanë më gjë njeriu
në veten e vet

TEATRI I QYTETIT

Njerëzia vrapojnë në Teatër
saherë shfaqje të ketë –
Premierë a përsëritje -njësoj
ka mbetë –çka ka mbetë

Dramat janë të rralla
ani se dramë është jeta vetë
tekste për dramë mund të shkruhen
me mijëra herë

Ky vend është vend i dramave
teatër këtu është jeta vetë
dramë është që nga lindja
e deri kur njeriu të prehet
përjetë

JETA NË KOSOVË

Për dikend parajsë
për dikend ferr –
dikush gjithë jetën jep
e dikush veçse merr

Dikush qanë e shqyhet
dikush gjithë kohën qeshë

Skamja dikend e mba në pranga
dikend pasuria e ngritë në qiell

E një komb jemi thonë
të mirat bashkë i kemë

FËMIJËT

Më e bukura e këtij vendi
janë fëmijët shend e verë

Edhe në qofsh
në më të madhin dëshprim
fëmijët ta kthejnë në gëzim

Fëmijët e kombit tim
më japin shpresë e zemër

Sytë e vegjël të fëmijëve tanë
kur i shikoj në kalim

Ndjej dhëmbshuri e ngushëllim
për atdheun tim

PJESA E DYTË

Sarkastike

-IV-
NDRYDHJA

Diçka por prore ndrydh
shtypë me dy duartë
zemrën

ARRATISJA NGA ATDHEU
Termini në ambasadë
nuk dëgjon gjë tjetër në këtë
pos kur e ke terminin e shkretë
a je vetë –a i le vetë

Zhurma e spikeres përzihet
me lodhjen e të arratisurve
që kërkon të humbur një nënë
në fund të natës së mbramë

Nuk dëgjon gjë tjetër
në këtë vlim –
pos termin, termin, termin
termine është mbushur kjo jetë
iku ai -iku ky -e kush s’pyetë: kur
rrëfime tmerri me sy zgur

Dje -sot -nesër
termin atje e këtu –
mbet vetë -ai plak me plakën
e u shua kjo shtëpi -e ajo atje
kush mbet e kush shkoi -e çka the

Europa parajsë -ag e terr
ngrysë e gdhinë
çdo gjë me ankth përbinë

LIBRI NË KOSOVË

Libri në Kosovë lexohet me ket
në kohë të vet –
ajo kohë është
vera e nxehtë

Një lexuese
Në Bibliotekë të Qytetit
kërkon libër të mirë për të gjetë
një libër thotë për pushim
kam për të ikë në det

Librari i propozon libra
me vlera botërore –
por lexuesja don diçka tjetër
don një libër të hijshëm
me kopertinë lara -lara
sepse s’do t’i dalin shoqet
në story përpara

Don një libër
siç e dua thotë –
të hijshëm nga dukja
se për lexim -nuk me del koha
këtë libër e dua -të më shohë bota

DYSH NË PLEQËRI

Jam kryetar deri në pleqëri
unë di të bëj magji –
di besa -edhe të pi raki
di edhe horë për të kërcy’
di ku dal e ku hy –
çka e ha -s’e pështy’

Di të falem edhe në xhami
di të lutem edhe ne kishë
dikur isha bari dhishë –
përnjëmend -o përmahi
krejt gjërat unë i di –
jam kryetar deri në penzi’

Uji Dea

S’ka kush ma luan -këtë dëshirë
punë tjetër s’di -për mirë
për të urtët kam mëshirë

Rrenën mirë ta mbaroj vetë
sa të duket e vertetë –
se e kam zanat këtë

BABAI MILIONER I POLITIKANIT

Jam politikan -pa mahi
kam bërë para -jam zotëri
baba im ka punu’ në Gjermani
njëherë në vit vinte në shtëpi

Kam mësu’ -të pi raki
e duhan -tu’ kallxu’ burrëri
krejt këto vese i kam
sepse zotëri jam

Mësu’ jam në Gjermani
baba më merrte për mërzi
veç të bahesha zotëri –
për të mbajtë shtëpi

Unë i kam -një dy million
krejt këto pare të babës janë
mos t’ju shkoj mendja për sherr
se paratë i kam me nderë

Dyshtetësinë e kam heqë
me ata atje jam ndreqë –
e kur të vi njëherë -në vjet
votën ia jap -kujtë dua vetë

TUXHARI I BANESAVE

Jam bos -e zotëri
unë eci me “Audi” –
kerri jem i ka do drita
kuq e mavi

Ku të du’ -e v’noj banesën
ku të du’ -i vë presën
ku të du’ i vë pikën –
nënë e kam politikën

Se këtë shehër e kam timin
se kryetari më ka në zemër
më ka në zemër -e më don
këtë shpesh ma kujton

Këtë të madhe dashuri
e kam fitu’ pa mahi
me dije e me zotësi –
se atë në hise -e kam shti’

KONTRATA NË VEPËR

U punësove me kontratë
kjo kontratë shum pak zgjatë
se kontrata është në vepër
derisa nuk bëhesh tepër

1 deri ne 6 muaj
tutje s’ka siguri –
shefi vetë të çon në shtëpi
e kur vjen koha
me qitë kokrrën –
shefi kontratë të shkruan në vepër
e pas zgjedhjeve me një shqelëm
të hedh sërish -se je tepër

Ka këtu edhe bëma tjera
fate të liga e të mjera –
në këtë kohë -ndodhë çkamos
se vetë bota tani -u sos

Nuk ka ligj -as drejtësi
gjithçka vlen veç për zotëri
qysh u mendua -nuk po del
kur nuk mbjell -s’ke çka vjel

I BURGOSURI POLITIK

I burgosur në rini
i tillë deri në pleqëri –
ndërroi regjimi -dy tri herë
për të -nuk pati kurrë verë

nuk e thërret kush -as për krushqi
i keq për shtet -e për parti
i përziu liri e robëri –
i pa pëlqyer për demokraci

nuk lejohet të del -në pari
se tregon vargevi –
kush e ka pyetë në Hetuesi
se kush e pyeti -tani është në kry’

Në luftë i pari -priu ai
në armik bëri kërdi
e pas lufte -në penzi’
se ky shtet do demokraci

E ata që ishin -atje sipri
duhet prapë të prijnë në liri
e ju me “social” -e me penzi’
boll e kini -gjallë që jini

-V-
VJESHTË E VONË

Gjithçka zbehet e erret
ditëve që shkurtohen
e netëve që zgjaten

Në vjeshtë të vonë
ka një kënaqësi
jete e një kotësi
bashkë si janë –
dy netë -me një natë

KURIOZITETE

Në vend tonë ka shumë kuriozitete
nga gjuha e deri në këngët
veçori –luginë pas lugine
sikur të ishim shumë popuj

Ka ndryshime e veçime
në gjuhë, në këngë, në valle
në gjithçka -ka ndryshime
në përralla e në tregime

Veçse një gjuhë na lidhë
e na kujton gjakun një të arbërit
që tani është –ai që ishte

LETËRNJOFTIMI PËR KINEZ

Letërnjoftim në dashësh
herët me mëngjes –
hajde shkruaju se je kinez
për një orë në dorë e merr
merr passport e vargevi –
kështu është në demokraci

Diçka të tillë -por nuk ka
për të Luginës -e për vëlla
le të marrin udhën e kthimit
s’është rendi i letërnjoftimit

Le’ më -pasportë
që s’sheh me sy –
kah ke ardhë
ke për t’u kthy’

INSTAGRAMI

Në Instagram sheh xhenet
sheh jetën për lezet –
vrapo të marrësh dituri
ajo të sjell pasuri

Ajo bëhet me punë të vështirë
me punë pa ndalë -mbarë e mirë
e jo me ndejë -e me pahir
prit prej mërgatës -mëshirë
në laptop duke gdhirë

Paratë të shumtët nuk i kemi
që të bëjnë pasurinë –
për të qenë mbarë e mirë
pa një ditë të vështirë –
duhet punë e mund -tërë jetën
për të mbajtë vetë vetën

Mos të presim ringeraja
rroftë axha -e rroftë daja
rroftë edhe ndonjë teze
e kështu të kalojmë vitin
pa pasë në xhep –
as edhe për një xhevze

SPONZORIMI

Qika e re -plot bukuri
don xhip -me xhama të zi

Shokët e saj të gjeneratës
nuk kanë para –
ajo as i kqyrë fare
don të ketë jetën film
don të jeton me një trim
pa punua as një ditë –
don një jetë
si në amshim

Për çdogjë -zgjidhje ka
një burrë plak -maskara
një qejf plaku -kryet në thes
vajza e re merr Mercedes

Në Mercedes -thotë hyra
nuk ia ndin -pse shkon fytyra.

MILITANTI

Jam militant në politikë
katër vjet s’mi shef sytë
kur të duhem unë në parti
online aty me ke-
30 ditë bëj çka thotë shefi
kur vjen ndonjë tender
unë e kapi menjherë
bëj biznis si Rokfeler

Unë tani nuk kam mjete
punë të nisi –ku të vete
krejt çka kam përmbi kry’ –
një betoniere -me dy kaci
kështu niset -në demokraci

Sa të dal njëherë -në dritë
burri duhet shumë -pritë
nuk po dua të bëhem -i pari
bajraktar është -veç kryetari

DASHURIA ME INTERES

Kam djalin për qejfi
e kam qikën për lezeti
djai është 1.80
qika 1 .70

Djali ka kry’ magjistraturë
e qika arkitekturë –
i martoj në Gjermani
nuk i lë këtu -për të zi

Nuk ma ndin -për nuse
a e re -a babushe
a e trashë –a me kthetrra-
nuse bën -veç a ka “letra”

Dashuria ka vdekë -qëmoti
nuk kërkohet për së koti
tani në jetë është interesi
se duhet jetë -për qejfi

PRONARI I SEKTORIT PRIVAT

Biznismeni thotë me qeJf
kam punëtorë pa mahi –
as të dielën nuk shkojnë në shtëpi
ata punën e kanë hak –
po punojnë për merak

Të bëzëjnë -nuk guxojnë
se nuk kanë ku të shkojnë
pak p’i frikoj liberializimit
më shumë se demokratizimit

Po ndodhi -e u qel dera
mua të mjerin -më merr era
nuk do të kem më -teveqelë
krejt kjo firmë -do mëshelë

Kend ta mashtroj më -me premtime
veç në punoftë -nëna ime

-VI-
BOTA E DËSHIRAVE

Jeta është -një enë dëshirash
gjithë kohën -sa jemë

Në dëshira shkon jeta
disa arrihen e vilen –
e të shumtat mbeten
pa prekë

KOSOVA SIKUR ZVICRRA

Ishim me shpresë
sa ishim në robëri –
se do të bëheshim
Zvicërr në liri

Sa ishim në robëri
ishim me shpresë –
se Kosovën do e bënim
Shqipëri

Sa ishim në robëri
shpresonim e besonim
se do e bënim –
Kosoven -shtëpi.

Erdhi lira -më në fund
me shumë mundime
Afrikë të bëmë –
oj Kosova ime

Erdhi liria –po erdhi
njëmend -tani jemi në liri
por Kosovën më parë e bashkojmë
me Serbi -se me Shqipëri
e shtëpinë tonë e kemi thy’
e portat -ndry’ n’dry
GËZIMI PËR ARDHJEN E LIRISË

Të gjithë e duan lirinë
ku do që janë në botë
askush nuk do robëri
as vrasje -as lotë.

Duam lumturi e dashuri
duam të jetojmë të lirë
e ti vrasës barbar –
ik -nga ke ardhë

Gëzohu -o puplli im
liria është e jote
falë jetës së dëshmorëve –
të lavdëruar qofshin
për jetë e mote.

POLITIKANI DHE STUDENTI

Shkon studenti te politikani
ankohet e qahet –
po dua vende ku të mësojë
e kushte të studiojë

Politikani qeshë -e i thotë
dëgjo këtu -more i shkretë
unë këtu kam arritë
pas asnjë ditë shkollë

Le’ ti shkollën –
hajde ngjit postera
se me shkollë e studime
të është mëshelë dera

POLICI

Merre rrogën -e mos fol
je polic -djalë i ri
je polic -i gjatë me shtat
i bukur në të parë –
veç mëso -si e lypë bota
për të qeshë -e për të qarë

I mençur -e i sjellshëm
je polic -kqyr ndo’j radar
le’ krimin -se s’kemi kohë
me të për t’u marrë –
edhe në radar kqyr mirë
e hapi sytë-
se po e ndalë nonëj politikan
as deti s’të lanë

Rri në punë -merre një rrogë
mbaje shtëpinë –jeto për qejfi
tjerat punë i din Meta-
Meta yt -jam unë shefi

BLERJA E MANDATEVE

Një qytetar -deputet
bëhet me zor -e me gazep
krejt paria çohet -në një anë
e çon në maje -e çon në hënë
pare të madhe pasi shqepë –
paraja e çon ujët përpjetë

Pas pak ditë –kur fiton
i bëhen shokë –një batalion
jarana për krye –një çetë
që kurrë parë -s’i kishte në jetë

Këta jarana -me qanta të zeza
me pozita -e me tendera
hajde tenderët –me e pa qare
ia mbushin gushën me pare

Del në zgjedhje -e matë vetën
e në fund -e han qepën –
e han qepën -kogja të madhe
nisë një jetë -me marre

DOKTORI MILIONER

Jam doktor -për marak
sikur unë -nuk ka të ngjarë
kam dëshmi një diplomë
që s’e di -ku e kam marrë
parja e çon ujët përpjetë
kjo punë ishte e vërtetë

Jam doktor -për merak
pacientët i çoj në këmbë
i çoj në këmbë -vdekë e pa vdekë
veç duhet paguar -lekë

Pa lekë nuk mund të shërojë
jo që nuk dua –po nuk mundem
nuk mundem -sepse nuk dua fare
se xhepi don shumë –“pare”

BORXHLIU I RËNDË

Borxhliu i zorit e ka kiamet
i mbyllet rruga –i mbyllet dera
se borxhi i ziu -kështu e ka
vjen dimri –ikë vera

Mos le borxhin të vjetrohet
se nuk ke më rrugë -kah i bjen
ai që merr borxh -e nuk kthen
në zjarr është –
kah shkon –e vjen

Mbyllen rrugët
prej borxhdhënësit
Si të shkohet në shtëpi –
mendon borxhliu -kah të sillet
të del atje -në çarshi

Njeriu i mençur i heq borxhet
borxh kur hyn- me kohë i kthen
e matë vetën -sa mund çon
keq vetën nuk e len

QIKAT DHE VETURAT VEZULLUESE

Këto qikat e reja -ia kanë nisë
t’i duan BMV –të mbuluara
veturat e shtrenjta superluksoze
për qejfe e aventura

Tani po i njohin edhe firmat
po i dallojne edhe ngjyrat
krejt këto punë janë bërë interes
shërbime -me krye në thes

Këto punë shumë janë përhapë
shumë lokale janë në shërbim
ku kërkohet fati i jetës –
pa dashuri –veç me dëfrim

INSTRUKTORI I LEJEVE

Instuktor -se jo mahi
lejet i jep në çarshi
për pak pare -kryekreje
të gjithë bëhen tani me leje

Ditë e pa ditë –del e vozitë
e mbytë tjetrin -e mbytë vetën
punë e madhe -se dikush u shua
për leje ai -ka pagua

Si në luftë njerëzit shkojnë
mbeten rrugëve -mbarojnë
për kohë që nuk mësojnë
lejen me euro që e fitojnë

ASFALTI

Asfalt, asfalt, aspfalt
asfalt mbushë kryet 2o vjet
me asfalt merret vota
në asfalt zihet çorba

Në aspfalt merret vota
me ato vota zihet çorba
zihet qorba në tendera
e asfalti nuk qëndron
as dy vera

Me asfalt bëhet fushata
mbushen portalet me postere
fëmijët por nuk hanë asfallt
punësim don popullata

GAZETARI ME PAGESË

Jam gazetar -marak në pare
të shkruarën e kam mjeshtri
këtë të shkruarën e dua shumë
sikur hoxha me hajmali

Se e shkruara më bën mirë
e shkruara ime shitet shtrenjt
sa të shkruajnë njëqind hoxhë
çdo sëmundje ka për të meitë

Punoj për atë që më paguan
si thotë bosi –si kërkon
katër vjet prapshtë e çoj
mandej në jetë përparoj

Argat të dreqit duhet bërë
katër a tetë vjet
-sa ka nevojë
njeriu duhet -shumë të vuajë
që në fund të fitojë

SHOKU I IDEALIT

Jam idealist -që kur jam lindë
jam idealist e atedhetar –
në ‘80-at kam qenë në rob’i
për liri -bashkim kombëtar

Në ‘90-t me pacifistë punova
paqën e përfaqësova –
e kur erdh puna
-në luftë kam dalë
me armik jam përballë

Pas luftës -fillova një jetë të re
jetën e re nisa -shijova
një shtëpi të re mbarova
3-4 kerre i parkova
plot diploma kam për fund
doktor honoris kauza
të gjitha i bëra me mund
ma din shpina e z…

Jam emru’ -shumë herë
v.d. -e lart nëpër ministri
politika vaj më ka ecë
jetën vonë e kam mbërri’
Edhe nusën e kam ndrru’
e kam marrë një të re
TENDERASHËT

Tenderashët nën krahë më kanë hy’
xhipi i tenderashit kuqezi
tenderashi me një kaci
u çu’ jerm -ka qelë firmë

i ka ble dy karroca
pak më vonë një betoniere
aplikoi të ndreqte rrugën
Kuks -Morinë

Është çudi si me pahir
ai doli firma më e mirë
ai doli për merak-
kusheri e ka axhën plak

Axha plak ka luftua
sëpari me armiq
mandej me qeveri
u mësua axha
të rrij përmbi –
krejt këto punë ai i kryen
e çdo rrotë -mirë e lyen

Prej bicikletës -si ka qenë
kaloi në “able xhip” me pesë rrota
katra në tokë –një rezervë
Për merak -e me nderë.

Kur vjen puna -e votimit
kusha i vogël bythën shqyen
duhet shqyer –të vrapojë
vota kushës t’i sigurojë

por pusheti -ymër shkurt
keq ka humbë kusha plak
ky milet -me mësim të ri
ka parë kushën plak
-e ksuhën e ri
sa janë dallaverxhi

Pas pak kohe xhipi u shit
kushha plak shkoi në penzi’
e kusha i ri -në lule të rinisë
u desht sërish -t’i grahë kacisë

PJESA E TRETË
-VII-

TOKA E PREMTUAR

Na u premtua dymijë vjet
nuse me tel –
krushqët shkuan
pas saj -vargevi
e s’u kthyen kurrë

Kot pritën defatoret
krushqët shpatit –
mbi shtëpitë e strukura
ajo -as ata nuk erdhën
kurrë

Vonë dikur
krejt vonë –
ajo e ata erdhën
të stërlodhur
e Toka e Premtuar
i pranoi në gji
si fëmijë…

NATYRA

Ndërkohë shkojmë -përtokë
ecim -o zvarritemi
sikur të tjerë që notojnë
o në qiell fluturojnë

Një jetë është për të gjithë
e një shtëpi strehë

VETËTIMA

Një ditë kur të vijë
qielli i kaltër do të mbyllet
vetëtimat do të godasin të zinjtë
të cilët morën bekimin
nga Zoti i Vetetimës
për ta heqë errësirën

ta kthej shpresën
e ta hedh andej maleve
e fushave të blerta
me kaltri

Një ditë -do ngrohë dielli
e do hapet qielli –
vëtëtima do të shkrehë
e lulja do të qelë

ERA

Errësirë
ftohje
lagështi
vivivi

Vjen fishkëllima nga mali
fryejnë erërat me shpejtësi
në qoshe trokëllin djepi
dëgjohet krisma në derë
bëhet gati martina
të hapet dera –
çfarë të shfaqet

Mandej fryma pushon
martina kthehet në vend
jeta ecën rrugës së vet
rëndë e rëndë

ZJARRI

Nga zjarri ngjitet
tymi përpjetë –
me zjarr lindet e rritet
çdo krijesë në jetë

Me zjarr rritet e ngritet
çdogjë që në vete ka jetë
zjarri në njeriun fshihet thellë
në dej mbahet qetë

E kur shpërthen nga njeriu -flakë
thonë muar zjarr –njeriu i shkretë

UJI

Uji mba gjithçka në jetë
me ujë u ngjiz jeta –
me ujë mbahet çdogjë e gjallë
me ujë mbahet toka mbarë

Me ujë mbrohet toka
që mos të merr zjarr

Me ujë toka njomet
pyjet hidhen plot gjallëri
me ujë shtrihen luadhet
në mal -e në vërri

Lumejt sjellin ujë
shpatijeve në luginë
liqejt ruajnë ujët
që lumejt u bijnë

Kështu ujët është
kusht për jetë –
për gjithë gjallesat që gëlojnë
në tokë, ujë e ajër –
kudo që banojnë

MËSIMET

Mësimet mbeten mësime
kur humbim -a kur fitojmë

Mësim është fitorja
më mësim humbja

Nga çdo provim jete mësojmë
jeta zgjatë si shumë

Si një lumë që rrëkëllen prore
shtratit të njomë…

TITUJT

Kushtrim Kadriu

Enough is enough

PJESA E PARË

-I-
Kthimi
Do të vijë një ditë
Jeta nën diell
Zemra e njeriut
Dora dorës
Jeta
Njerëzia
Zëri i ndërgjegjes
Libri

-II-
Dalja
Dituria dhe hijeshia
Rrugët
Ndarjet
Atdheu
Liria dhe robëria
Nuse me tel
Dituria

-III-
Ditar jete
Rinia
Puna në bibliotekë
Dilemat
Lufta për pushtet
Teatri i qytetit
Jeta në Kosovë
Fëmijët

PJESA E DYTË
-Sarkastike

-IV-
Ndrydhja
Arratisja nga atdheu
Libri në Kosovë
Dysh në pleqëri
Babai milioner i politikanit
Tuxhari i banesave
Kontrata në vepër
I burgosuri politik

-V-
Vjeshtë e vonë
Kuriozitete
Letërnjoftimi kinez
Instagrami
Sponzorimi
Militanti
Dashuria me interes
Pronari i sektorit privat

-VI-
Bota e dëshirave
Kosova sikur Zvicrra
Gëzimi për ardhjen e lirisë
Politikani dhe studenti
Polici
Blerja e mandateve
Doktori milioner
Borxhliu i rëndë
Qikat dhe veturat vezulluese
Instruktori i lejeve
Asfalti
Gazetari me pagesë
Shoku i idealit
Tenderashët

-VII-
PJESA E TRETË

Toka e premtuar
Natyra
Vetëtima
Era
Zjarri
Uji
Mësimet..

SHËNIME PËR AUTORIN
Autori Kushtrim Kadriu ka lindur më 05.08.1991 në Gjilan
Kushtrim Kadriu të kryer Fakultetin Juridik –Universiteti i Prishtinës, – Dega në Gjilan.
Punon nga viti 2011 Përgjegjës i Sektorit Shkencor në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan.
Kushtrim Kadriu që nga viti 2007 është aktiv në jetën politike, duke bartur disa përgjegjësi politike.
Nga viti 2014 / ’15 zgjedhet Koordinator i Parë i Zyrës për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Nga 2015 / ’16 zgjedhet Kryesues i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Në vitin 2016 zgjedhet Kryetar i Lëvizjes “Vatra”.
Në Zgjedhjet e vitit 2017 fiton mandat të Ansambleistit në Kuvendin Komunal të Gjilanit me Lëvizjen “Vatra”.
Në vitin 2018 shërben Këshilltar Politik në Ministrinë e Tregëtisë.
Kushtrim Kadriu është i angazhuar edhe analist politik në disa prej gazetave e portaleve në Republikën e Kosovës e gjetiu.
Është gjithashtu hartues i Rezolutës për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në Kuvendin e Kosovës më 2013.
z. Kushtrim Kadriun e nderoi Shoqata “Çamëria” për Kontribut në Kauzën Kombëtare.
Autori, përveç shkrimeve letrare, analitike e eseistike, në kohë të lirë merret edhe me pikturë, kitarë,IT.
Ky është botimi i tij i parë!