Fundamenti

U përurua vepra “Dritëhëna” e autores më të re Rita Ademaj nga Shtimja

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Thonë, libri është dritare e botës. Është edhe dija e njeriut. Pa libër, si pa sy, si pa ardhmëri. Kush e adhuron librin, e do jetën. Me libër, njerëzit komunikojnë në mes vete. Afrohen dhe i rrëfejnë njëri-tjetrit dhimbjet dhe të mirat e jetës. Kjo është fuqia e librit. Pse jo? Me libër, njerëzit e pushtojnë botën. Bëhen miq të pandarë. Jo vetëm kaq.

Edhe Rita Ademaj, tash nxënëse e shkollës fillore, ka herë ka hyrë në botën librit. Ajo, duke lexuar vepra letrare, sikur ka hyrë në botën e “çudirave” dhe s’ndalet se lexuari.

Andaj, ditë më parë, në Shtëpinë e Kulturës, në Shtime, para një numri mjaft të madh të adhuruesve të librit, u bë promovimi i veprës “Dritëhëna” e autores 11- vjeçare, Rita Ademaj, nga qyteti Shtime.

Në këtë eveniment kulturor të promovimit të librit, morën pjesë shumë përfaqësues nga Komuna e Shtimes, përfaqësues nga KFOR-i, drejtorë të shkollave, përfaqësues nga OJQ- të vendore, përfaqësues nga shoqëria civile dhe shumë qytetarë të këtij lokaliteti.

Fillimisht, Drejtori i Drejtorisë të Arsimit, z. Mensur Neziri, ka shtuar se komunës së Shtimes ju shtua edhe një emër i krijimtarisë letrare e artistike, duke vlerësuar Ritën, si një talente shembull për moshatarët e saj. “Autores më të re të komunës sonë, Rita Ademaj i uroj shumë suksese me rastin e promovimit të librit të parë të saj. Në komunën tonë kemi krijues të vegjël e të zotë, por edhe të talentuar, siç është edhe Omer Mahmuti, një krijues që premton. Por, Rita Ademaj, me tregimet e saj, ka arritur të botojë librin mjaft të mrekullueshëm dhe joshës për lexuesit në përgjithësi. Mensur Neziri tha edhe këtë se, Komuna e Shtimes, si më parë, por edhe tash do t’i përkrahë talentët e rinj. Urojmë të kemi sa më shumë Rita dhe emra të tjerë në krijimtari letrare.

Mësuesja Ibadete Arifi, në fjalimin e saj shtoi se e dua pa masë këtë shkollare të re. “Rita po më befason me talentin e saj. Është e re, por puna e saj, si shkollare, po tregon se premton. Te kjo shkollare e re kam vërejtur talentin e saj për shkrimet qysh kur ka qenë e vogël. Andaj, ndihem me fat dhe krenare që kam qenë mësuesja e saj. Kjo ndjenjë e papërshkruar qenka tek të gjithë mësimdhënësit, kur dëgjojnë për nxënësit e tyre kur arrijnë të bëhen mjekë, inxhinierë, poetë e shkrimtarë, pra jam krenare që e kisha nxënëse Riten, të cilës i uroj shëndet edhe suksese në krijimtarinë që emri saj të depërtojë edhe përtej kufijve tanë…

UBT

Albin Mehmeti, recensent i librit në fjalë, tha: “Autorja e re, Rita Ademaj, po vjen si një yll i ri në qiellin e letërsisë shqipe, me librin e parë të saj “Dritëhëna”. Edhe pse vetëm 11-vjeçare, Rita bashkon talentin dhe dijen për të sjellë para nesh një përmbledhje me tregime, paralajmërim i një talenteje të re, që do të lë shenja të pashlyeshme në letërsinë tonë shqipe. Në tregimet e saj, Rita e vogël i mëson bashkëmoshatarët e saj, por edhe neve të rriturëve se pasuria e vërtetë është edukata dhe dashuria e njeriut, dhe jo pasuria materiale. Në tregimin “Rrobat”, ajo shpalos historinë e dy vajzave, Jarës dhe Majindës, e para e varfër, kurse e dyta e pasur. Pavarësisht që Majlinda ka pasurinë, ka rroba e para, në fund të fundit, madhështia e edukatës dhe sinqeritetit të Jarës triumfon mbi krenarinë boshe dhe pasurinë.

Rita na këshillon që të jemi të kujdesshëm ndaj çdo gjëje, për vetën dhe prindërit, për kohën dhe jetën, për shokun dhe shoqen, për atdheun dhe ambientin, për të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Në tregimin “Livadhi i lirisë”, Rita Ademaj evokon të kaluarën tonë të dhimbshme, ku, nëpërmjet rrëfimit të të saj, paraqet të tashmen tonë më të dhimbshme se e kaluara, për shkak të përçarjes e urrejtjes mes vete. Pra, Rita, autore, përmes personazheve simbolikë, paraqet vrasjen e njëri-tjetrit, dhe, si rezultat i saj profetizon një të ardhme të amulltë, ku ekzistenca jonë, si komb, është në rrezik, drejt shfarosjes apo zhbërjes nga faqja e dheut.

Në tregimin “Dritëhëna”, emër të cilin e bartë edhe vetë libri, kemi historinë e Artiolës jetime, e cila vdes e vetmuar. Pra, ajo vdes nga uria dhe i ftohtit. Përmes Artiolës së tregimit, Rita Ademaj, para nesh sjellë një tabllo të hipokrizisë njerëzore, të cilët heshtin para Artiolave tjera. Artiola e tregimit është vetëm njëra nga miliona Artiolat e tjera, të cilat vdesin para syve tanë, por edhe para syve të botës, të cilët Rita i quan botë vrastare. Dhe, kjo vdekja na bënë të ndjehemi fajtorë unë, ti e bota që na rrethon.

Rita na mëson se vullneti është alfa dhe omega e çdo gjëje në këtë botë. Ajo na sjellë para nesh historinë e Bashkimit, për t’na mësuar neve që vullneti për të arritur diçka, thyen çdo barrierë dhe kalon çdo kufi, të cilin na ka imponuar jeta. Po ashtu, edhe në tregimin “Vullneti”, autorja e veprës në fjalë, para syve tanë vërejmë Bashkimin, i cili, pavarësisht vështirësive e sfidave të tjera, arriti që ta realizojë ëndrrën, falë vullnetit për jetë, vullnet për të plotësuar ambiciet e për t’i mposhtur sfidat e jetës.

Albin Mehmeti, tha edhe këtë se, Rita Ademaj, autore e re, është dëshmi e një rinie të shëndoshë kosovare, e cila me punën e saj shembull, na mëson shumë se si ta duam vetën, tjetrin e atdheun, mësime që shpeshherë po i harrojmë”.

Në fund, Rita Ademaj tha se, nga këto fjalë të bukura, sikur po e ndjej vetën tepër të gëzuar e të emocionuar. “Jam tepër e gëzuar për këto fjalë miradije që u thanë për mua dhe veprën time. Ju faleminderit të gjithëve!/tefik selimi/rajonipress/