Mobi Casa

U mbajt mbledhje komemorative për gazetarin vitias, Ibrahim Sefedini

/ 3 minuta lexim

Viti – Me rastin e vdekjes së gazetarit vitias, Ibrahim Sefedini, sot nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe në mbështetje të gazetarëve vitias është mbajtur mbledhje komemorative.

Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, në fjalën e tij, ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, gazetarëve dhe shoqërisë civile.
“Sot është ditë pikëllimi jo vetëm për familjen, por edhe për shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e kolegët, por sidomos për komunitetin e gazetarëve, ngase Vitia por edhe Kosova në përgjithësi, humbi një profesionist dhe një gazetar të devotshëm, i cili bëri shumë në fushën e informimit publik”, u shpreh zv. Kryetari Aliu.

Ai tha se gazetari, Ibrahim Sefedini ka dhënë edhe një kontribut të madh në zhvillimin e shoqërisë civile në komunën e Vitisë, ku ishte pjesë aktive edhe e OJQ “Elita”, por përmendi edhe kontributin e gazetarit Sefedini të dhënë gjatë periudhës së viteve 1990-1999 në aktivitet e ndryshme.

Ndërkaq në këtë mbledhje komemorative kanë folur edhe Shqyqeri Halabaku, nga Klubi i Gazetarëve “Kerim Laëton”- Viti, Emrush Azemi, që ka bashkëpunuar dikur ngushtë me të në OJQ “Elita” si dhe Mentor Rexhepi nga Rotary Club – Vitia.

Ndërkaq në fillim të kësaj mbledhje është lexuar edhe biografia e gazetarit tani më të ndjerë Ibrahim Sefedini nga kolegu i tij, Avdi Lutfiu.

Moderimi u bë nga kolegu i tij gazetar, Tefik Salihu e nga familja ka folur djali i madh i gazetarit, Sefedini, Taulant Sefedini i cili falënderoj të gjithë ata që e kanë mbështetur babain e tij dhe familjen Sefedini.

Në këtë mbledhje u lexuan edhe dy telegram ngushëllimi një nga gazeta “Koha Ditore” ku edhe ka punuar si koorospodent lokal nga Komuna e Vitisë për gati 2 dekada dhe një nga Shoqata “Vitia” me seli në Gjenevë të Zvicrës.

Përndryshe Ibrahim Sefedini ka vdekur pas një sëmundjeje në Francë ku edhe po trajtohej. Varrimi i tij pritet të bëhet sot në ora 17:00 në fshatin e tij të lindjes, konkretisht Sllatinë të Epërme të Vitisë.

RCCOLA

Telegram ngushëllimi i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan

Telegram ngushëllimi për familjen e Ibrahim Sefedinit dhe komunitetin e gazetarëve në Viti

E nderuar familja Sefedini dhe ju koleg të nderuar të Vitisë më lejoni që në emrin tim personal dhe të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” të shprehi ngushëllimet më të sinqerta me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit Ibrahim Sefedini.

Ibrahim Sefedini punoj me shumë ndërgjegje dhe përkushtim në profesionin e gazetarisë, ishte aktiv edhe në organizimet të shumta në formë të debateve e tryezave.

Ibrahim Sefedini mbrapa ka lënë një punë shumë dobiprurëse për gazetarinë vitiase dhe ikja e tij në këtë kohë kaq të hershme është një humbje e madhe edhe për gazetarinë vitiase.

Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë kolegëve me të cilët Ibrahimi ka punuar përgjatë këtyre viteve.

Gjilan, 10 qershor 2019

Musa Sabedini kryetar