UBT

U godit derisa ishte duke kaluar rrugën, policia jep detaje nga rasti i bashkëshortit të Shkurte Fejzës

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Hajrush Behluli bashkëshorti i këngëtares Shkurte Fejza është goditur sot nga një veturë në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi konfirmoi për Telegrafin rastin, duke thënë se Behluli është goditur derisa ishte duke kaluar rrugën.

“Sot më datë 23.02.2024 rreth orës 10:50 është raportuar për një aksident trafiku. Aksidenti ka ndodhur në rrugën ‘Adem Jashari’, ndërkaq, deri te aksidenti ka ardhur kur këmbësori ka qenë duke e kaluar rrugën dhe është goditur nga një automjet. Viktima ka pësuar lëndime të rënda, por jashtë rrezikut për jetë”, tha ai.

Bytyqi bërë të ditur se policia ka intervistuar palët e përfshira dhe është njoftuar prokurori kujdestar. Me urdhër të prokurorit rasti procedohet me procedurë të rregullt.

Ndryshe, vajza e tij, Gresa Behluli më herët tha për Telegrafin se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

RCCOLA

Ditëve të fundit, Hajrush Behluli është përfshirë në një debat publik, pas deklaratës së hoxhës Shefqet Krasniqi për Shkurte Fejzën, i cili kishte thënë se muzika në përgjithësi nuk është e pëlqyeshme për të.

“Shkurta tekstet i ka të mira, por më dhimbet shumë se nuk është shumë fetare aq sa duhet, ndoshta një ramazan e ka, por është pak. Do të doja që Shkurta si një figurë e njohur kombëtare të ishte fetare, sepse edhe ajo ka me vdekë si unë, edhe hiq larg nuk e ka se i ka bërë disa vjet të mira”, kishte deklaruar Krasniqi.

Pas kësaj, kishte reaguar bashkëshorti i këngëtares, Hajrush Behluli, i cili ka theksuar se feja e tyre është shqiptaria.

“Sa për informacionin e të gjithë juve që e keni shitur shpirtin te padronët tuaj ju them shumë kjartë: Shkurte Fejza dhe familja ime besojmë fuqishëm, me bindje dhe me zemër në të madhin Zot e sa për ideologjitë tuaja fetare dhe vlerësimet e lloj lloj të çmenduri as që e vrajmë mendjen. Besojmë vetëm në Zot dhe feja e jonë është vetëm SHQIPTARIA. P.S ky tipi po gënjen sepse ky nuk e ka ditur a jemi fetar apo jo sepse fatmirësisht kurrë në jetë nuk e kemi takuar e as biseduar në telefon andaj le të merret me ata që komunikon”, kishte deklaruar Behluli.

Lidhur me deklaratën e hoxhës ka pasur disa reagime./Telegrafi/