U erdhi fundi mashtrimeve – me një çmim të lartë

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Berat Buzhala – LVV’ja po bëhej gati për zgjedhje lokale dhe për këtë kishte një plan. Por, për fatin e keq të qytetarëve, edhe COVID’i i kishte planet e veta, edhe ai po bëhej gati për këtë vjeshtë. Jo për zgjedhje.

Aq shumë u manipulua publiku në vitin e fundit, sa një pjesë e popullatës patën filloi të besojë që po të emërohet Arben Vitia ministër i Shëndetësisë, jo nga COVID’i, por as nga kanceri nuk do të vdesë askush. Sa herë që LVV’ja ka pasur telashe me marrëdhënie me publikun, ata, pa një pa dy e kanë nxjerrë në opinion Arben Vitinë. Arben Vitia për shëndetësi, Arben Vitia për Prishtinë, Arben Vitia për deputet; asgjë nuk ka qenë mirë në mandatin e parë të Shpend Ahmetit, përveç Arben Vitisë.

Pas rrëzimit të Kurtit vitin e kaluar, më pak lot u patën derdhur për kryeministrin sesa për ministrin e Shëndetësisë. “E rrëzuan Qeverinë MIDIS pandemisë” thuhej. Profesionistët e fushës patën vendosur që t’i quanin MIDIS të pandemisë javën e dytë dhe të tretë të saj. Tash po bëhen dy vjet e Fauci ende nuk është i sigurt nëse jemi në MIDIS të pandemisë. Me fjalë të tjera, Arben Vitia pati kohë të mjaftueshme për ta rifilluar luftën atje ku e kishte lënë. Për fatin e keq të tij dhe tonin.

Sigurisht që ishin lot taktikë ata që po derdheshin për “humbjen” e tij. Ishte një histeri totale, e përzier me një lloj përbuzjeje për ministrat që do ta merrnin detyrën e që nuk ishin me prejardhje nga Prishtina. “Beni jânë” ofshahej nëpër platformat e LVV’së. Nënteksti ishte: si është e mundur që tash në karrigen e një mjeku nga Prishtina do të ulej një fshatar nga Deçani? Këta “të tjerët” nuk ishin tanët. Këta ishin të ardhur. Ishin pushtues. A nuk u tha pas zgjedhjeve që “Kosova u çlirua”?. Pra, u çlirua prej këtyre që nuk dukeshin sikurse Beni dhe Bini. Që nuk ishin nga Prishtina. Që nuk kishin mindila në setër. Më shumë flitej për look’un dhe mënyrën se si fliste ministri Vitia sesa realisht për profesionalizmin e tij. Sepse nuk kishte çfarë të flitej për profesionalizëm. Ende nuk ishte bërë asgjë. Ishte presupozuar që do të bëhej shumë.

Ai e ushqente këtë sentiment sa herë që dilte nëpër konferenca për shtyp. Siç e donte rendi, Arbeni ndalej, kur radha i vinte imamit në xhami, në mënyrë që t’i korrnin disa pëlqime në Facebook, kurse në përputhje me rastet e bënte edhe çehren. Sa më shumë raste, aq më i ngrysur. Pr,a përgjatë gjithë veprimtarisë së tij si ministër, Arben Vitia e meriton notën 10’she për farsë, kurse, siç edhe treguan sot numrat e vdekjeve, e meriton notën 1’sh për ekspertizë.

Fundamenti

Kur e gjithë bota, gjatë gjithë kohës e edhe gjatë kësaj vere, ka folur për variantin Delta të virusit, kur të gjithë bënin thirrje për kujdes, ani pse i kishin vaksinuar me dy doza prej 50 deri në 70 për qind të popullatës, ministria Vitia iu printe valleve nëpër dasma. Bashkë me të, nëpër dasma po e hidhte vallen edhe varianti Delta. Madje ishte në krye të valles, por që nuk shihej edhe më tutje. Nuk shihej nga amatorët, sepse profesionistët e vërtetë e dinin këtë gjë.

Beni dhe Shefi i tij ishin të bindur që tashmë kishin një plan të mirë. Megjithatë, rezultoi se ishte një plan pa COVID’in. Pasi kishte arritur që t’i manipulonte mendjet njerëzore në Kosovë, Albini ishte i bindur që do të arrinte t’i manipulonte DISI edhe ligjet e natyrës: në rastin tonë, mënyrën e operimit të virusit dhe varianteve të tij.

Meqë shkalla e infektimit kishte rënë shumë, meqë Qeveria para kësaj i kishte grafikonët në gjendje shumë më të keqe sesa Qeveria e tyre, Beni dhe Bini menduan që kjo është një situatë e përkryer për t’i fituar zgjedhjet lokale. Prandaj, i dyti e vuri të parin kandidat për Prishtinë. Konsideruan – me logjikën e Naim Abazit në “Odeon” – se “e mundëm virusin, po, po, e them me kompetencë”. Krejt çfarë kërkohej tash ishte një masterplan. Duhej që procesi i vaksinimit të fillonte në kohën e duhur, në mënyrë që deri në javën e fundit para zgjedhjeve të vaksinohej mbi 50 për qind e qytetarëve, prandaj nuk nguteshin. Nuk kam ndonjë informatë, por intuita më thotë që dorën e fundit këtij plani, që po rezulton si një plan mortor, ia ka dhënë një gjeni tjetër i kësaj qeverisjeje, ai që ia hoqi kapelën Vitisë, Besnik Bislimi.

Sipas kësaj logjike, sipas planeve në letër, sipas matjeve të opinionit publik, LVV’ja po bëhej gati për zgjedhje. Por, për fatin e keq të qytetarëve, edhe COVID’i i kishte planet e veta, edhe ai po bëhej gati për këtë vjeshtë, por jo për zgjedhje. E sa herë që planet njerëzore ndeshen me planet e natyrës, fitojnë këto të fundit.

Propaganda e madhe, manipulimi i njerëzve, drejtimi i gishtit te të tjerët e kanë prekur fundin. Të gjitha këto nuk vlejnë as pesë pare, kur pasdite publikohet raporti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. As 1.000 gënjeshtra dhe arsyetime nuk mund t’i kthejnë dhjetëra persona që po vdesin çdo ditë për shkak të një qeverisjeje skandaloze.