TVSH-ja që i bën zeher ilaçet
Nga Alban Selimi – Pakoja e re fiskale e vendosur për produktet farmaceutike ka ndikuar direkt në çmimin e barnave, duke u rritur së paku për 8 për qind shumica e çmimit të ilaçeve në Kosovë.
I
Njerëz që futen në borxhe për t’i blerë ilaçet takojmë sa herë që mund të qëndrojmë në barnatore pak më gjatë për ta konsultuar farmacistin lidhur me efektin që jep ky apo ai ilaç.
Pakoja e re fiskale e vendosur për produktet farmaceutike ka ndikuar direkt në çmimin e barnave, duke u rritur së paku për 8 për qind shumica e çmimit të ilaçeve në Kosovë.
Si gjithmonë, edhe kësaj radhe vendosja e një takse të re i faturohet drejtpërdrejt qytetarit.
Problemi është shumë më i thellë sesa vendosja e Tatimit për Vlerën e Shtuar për 8 për qind për ilaçet. Nëse kësaj takse i shtohet vetëm një rregull normal që e kanë edhe shtetet e rajonit, atëherë qytetari i Kosovës jo që nuk paguan më shtrenjtë ilaçet, por përfiton nga vendosja e kësaj takse.
Problemi kryesor që ndërlidhet me tregtimin e ilaçeve në Kosovë është mosunifikimi i çmimeve në sektorin farmaceutik. Ilaçin që në mesditë mund ta blesh me 50 centë, në të njëjtën barnatore në mbrëmje, kur zakonisht nuk është aty farmacisti, mund ta blesh me çmim të dyfishtë.
Këtu është çelësi i gjithë kësaj enigme, që nga taksat të përfitojë pacienti.
Shtetet fqinje kanë taksa pothuajse të ngjashme me këto të Kosovës. Por kanë edhe rregulla strikte, përmes të cilave jo vetëm se kanë ndikuar në uljen dhe kontrollin e çmimeve, por edhe shmangien e evazionit fiskal. Përmes unifikimit të çmimeve goditet rëndë edhe korrupsioni, që ka lëshuar rrënjë të thella ndërmjet kompanive farmaceutike dhe vetë mjekëve.
II
Shqipëria ka arritur të bëjë stabilizimin e çmimeve në tregun farmaceutik, duke përdorur metodën e çmimeve referente në rajon dhe duke taksuar me TVSH të njëjtë produktet farmaceutike.
Kjo është bërë në këtë mënyrë. Nëse një ilaç “Paracetamol” në Greqi shitet për 1 euro, në Mal të Zi shitet për 80 centë dhe i njëjti në Kosovë shitet për 75 centë, atëherë çmimi më i lirë referent në rajon, ai prej 75 centësh, është i obligueshëm për shitjen e produktit në gjithë shtetin. Asnjë cent më shumë e as më pak.
Në Kosovë gabimi është bërë qyshkur është vendosur taksa doganore prej 10-përqindëshit për ilaçet që origjinën e kanë nga vendet e BE-së, kurse falë Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Vendet e Evropës Juglindore (CEFTA) nuk paguajnë taksë doganore produktet farmaceutike që prodhohen në vendet e përfshira në këtë marrëveshje, si Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia, Moldavia dhe Serbia.
Kështu, barnat me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian që janë mjaft të kontrolluara, në tregun e Kosovës kanë një çmim prej 10 për qind më të lartë sesa në Evropë, kurse këto të vendeve që për nga kualiteti i prodhimit lënë për të dëshiruar, deri më tani janë futur në treg pa paguar asnjë taksë.
Andaj, Qeveria duhet të mendojë të heqë taksën doganore për ilaçet e BE-së, duke lënë TVSH-në aktuale dhe duke stabilizuar tregun përmes unifikimit të çmimeve. Kështu, ndikon në uljen e çmimit të produkteve me origjinë nga BE-ja.
Nuk ka nevojë të zbulohet uji i nxehtë. Kemi shembujt dhe praktikat e mira të rajonit.
Nëse depot doganore fitojnë miliona euro nga importi i ilaçeve, pse ato të mos paguajnë nga tatimi në fitim? Pse e njëjta ngarkesë t’u faturohet qytetarëve kur çmimet mund të unifikohen dhe kjo faturë nuk paguhet nga qytetari i varfër, por nga milionerët e farmaceutikës?!
III
Unifikimi i çmimeve ka edhe anën tjetër të medaljes. Kjo ndikon direkt që të “shkulen” rrënjët e korrupsionit në relacionin kompani farmaceutike – mjekë. A iu kujtohen ato pamjet e trishta kur shumica e mjekëve të Klinikës së Pediatrisë kishin udhëtuar në “Shkollën Pediatrike” në Belek të Antalyas, i financuar kryekëput nga kompania farmaceutike “Altupharma”. Në këmbim, shkruheshin ilaçet e kësaj kompanie. Nuk janë vetëm këto udhëtime, por edhe qindra e mijëra euro që iu jepen mjekëve për të shkruar ilaçet e kompanive. Gjitha këto mjete mjekët i pranojnë ilegalisht, pa menduar për pasojat në shëndet.
Raportet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kanë treguar se kosovarët janë përdoruesit më të mëdhenj në rajon të llojeve të ndryshme të antibiotikëve, duke ndikuar këtu në shkatërrimin direkt të shëndetit të popullatës e sidomos të fëmijëve.
Kjo mundësohet falë çmimit tejet të ulët të blerjes së ilaçeve dhe mundësisë së shitjes së tyre me çmime shumëfish më të larta. Nëse kompania blen në Turqi një ilaç për një euro dhe të njëjtin mjekët do ta përshkruajnë për fëmijët kosovarë, atëherë prindërit janë në gjendje të njëjtin ta blejnë edhe nëse ai në treg shitet dhjetëfish më shtrenjtë.
Fitimi i lartë dhe vendosja e çmimeve, sipas mundësisë së ushtrimit të ndikimit, mundëson që derisa ilaçi të shkojë tek pacienti, nga ai të përfitojnë: prodhuesi, importuesi, depoja farmaceutike, farmacisti dhe doktori që e shkruan ilaçin. Faturën e gjithë këtij vargu përfituesish e paguan qytetari. Me unifikim të çmimeve, kjo praktikë bie. Dihet sa mund të shitet ilaçi që në vendin e origjinës mund të shitet për vetëm një euro. Askush nuk mund të përfitojë nga përshkrimi i panevojshëm dhe kontrabandimi i ilaçit deri tek pacienti.
IV
Vendosja e TVSH-së jep rezultate edhe nga këndvështrimi tjetër. Përveç që depot farmaceutike detyrohen të paguajnë tatimin në fitim, përmes vendosjes së TVSH-së jepen të dhëna në Administratën Tatimore për secilin produkt farmaceutik.
Kështu, ky institucion është një databazë shtesë ku tashmë ka të dhëna për secilin ilaç. Këto të dhëna deri më tani i kanë pasur në dispozicion vetëm Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale. Kjo rrit domosdoshmërisht sigurinë, pasi krijon një databazë shtesë informacioni duke rritur edhe transparencën në lidhje me ilaçet që konsumohen në Kosovë.
Secili nga ne jemi në gjendje të paguajmë një çmim më të lartë të ilaçit me kushtin që ai të jetë i sigurt. Megjithatë, kurrsesi qytetarit nuk duhet t’i faturohet rritja e sigurisë së konsumit të barnave, kur shteti paguan po me taksat e qytetarëve mekanizmat tjerë për kontrollin e barnave, duke filluar nga Inspektorati Farmaceutik, Laboratori për Kontrollin e Ilaçeve, Policia dhe Doganat.


