Turqia, vend i rrezikshëm për gazetarët

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve akuzon autoritete turke se kanë ”burgosur gazetarë në masë me akuza terrorizmi ose për veprimtari anti-shtetërore dhe se kanë filluar me mijëra procedime ligjore me akuza të ndryshme kundër gazetarëve.
Komisioni Për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në New York, botoi kohët e fundit një raport prej 53 faqesh në të cilin vë në dukje ”persekutimet e gjithanshme kriminale si dhe burgosjet e gazetarëve, përfshirë edhe përdorimin nga ana e qeverisë, të lloj lloj forma presionesh, për të detyruar krijimin e një atmosfere të vetcensurimit nga ana e gazetarëve.”
Shkurt, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se kufizimi i ”Lirisë së shtypit në Turqi ka arritur një nivel krize.” Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve akuzon autoritete turke se kanë ”burgosur gazetarë në masë me akuza terrorizmi ose për veprimtari anti-shtetërore dhe se kanë filluar me mijëra procedime ligjore me akuza të ndryshme kundër gazetarëve.
Raporti vazhdon duke thënë se vet kryeministri Erdogan ka kritikuar publikisht gazetarët dhe u ka bërë thirrje pronarëve të mediave të ndryshme që të disiplinojnë, ose madje edhe të pushojnë nga puna gazetarët që kritikojnë qeverinë.
Duke reaguar ndaj raportit, autoritetet turke kanë thënë se vlerësimet e pavarura – siç është raporti në fjalë – të problemeve të lirisë së shtypit në vend, janë të ekzagjeruara. Autoritetet qeveritare kundërshtojnë numrin e arrestuar të gazetarëve duke thënë se shumica e atyre që janë të burgosur mbahen për krime serioze dhe se nuk kanë të bëjnë aspak me gazetarinë. Ministri turk i Drejtësisë, Z. Sadullah Ergin, në përgjigje ndaj raportit tha se ”Turqia po përpiqet të krijojë një balancë midis nevojës për të ndaluar lavdërimin e dhunës dhe propagandën e terrorizmit, me nevojën për zgjerimin e lirisë e fjalës. ”
Mirëpo, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia është vendi numër një në botë për arrestimin e gazetarëve duke nënvizuar se në përgjithësi Ankaraja ka arrestuar më shumë gazetarë se Kina, Irani dhe Eritrea së bashku, vende këto që cilësohen si shtetet më shtypse në botë ndaj gazetarëve dhe lirisë së medias.
Raporti mbi lirinë e medias në Turqi identifikon 76 gazetarë të arrestuar deri në muajin Gusht të këtij viti — që sipas raportit është numri më i madh i gazetarëve të arrestuar në dhjetë vitet e fundit — dhe thotë se pas një shqyrtimi të secilit rast, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, ka ardhur në përfundimin se 61 prej këtyre gazetarëve janë arrestuar për arsye të botimeve të tyre ose si rrjedhim i punës së tyre gazetareske. Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 30 për qind e gazetarëve të arrestuar në Turqi, janë të akuzuar për komplot me qëllim për të rrëzuar qeverinë.
Qeveria turke e Kryeministrit Erdogan ka filluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian që prej vitit 2005 dhe krenohet me zgjerimin e demokracisë në vend, por raporti nënvizon shqetësimet serioze të organizatës në lidhje me mos tolerancën e qeverisë turke ndaj kritikave në shtyp.
Në një letër bashkangjitur raportit, Drejtori Ekzekutiv i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Joel Seaman i bëri thirrje kryeministrit Erdogan që “të ndalojë sulmet e tij kundër shtypit dhe të sigurojë drejtësi për gazetarët, ndërsa në të njëjtën kohë, të ndërmarrë reforma dhe të garantojë lirinë e të shprehurit.’’ Në një raport të botuar në fillim të Tetorit, edhe Komisioni Evropian ka shprehur “shqetsime serioze’’, në lidhje me numërin e të arrestuarëve për mungesë të lirisë së të shprehurit në Turqi.
Edhe nga mbrenda Turqisë ndëgjohen zëra kritike ndaj politikës së qeverisë së Erdoganit ndaj kufizimit të fjalës së lirë dhe arrestimit të gazetarëve që ushtrojnë këtë të drejtë universale. Nën-kryetari i Partisë Republikane Popullore turke në opozitë, Z. Erdogan Toprak, sipas gazetës Milliyet, e cilësoi raportin mbi lirinë e shtypit në atë vend si një provë se qeveria është duke u bërë më autokratike, dhe shton se qeveria, “ka ndërmarrë një operacion të madh presionesh dhe frikësimesh kundër gazetave, televizioneve, medias në përgjithësi, intelektualëve, artistëve dhe demokratëve”. Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, si rrjedhojë e kufizimit të lirisë së fjalës, edhe marrëdhëniet e ngushta midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara – të cilat të pakën pjesërisht janë ndërtuar e zhvilluar në imazhin e Turqisë si një vend model rajonal i demokracisë – mund të jenë në rrezik.’ (INA)