Turneu qesharak i Kuvendit sjell vetëm shpenzime

Shkuarja e një delegacioni të Kuvendit të Kosovës në Austri dhe disa vende të BE-së nga njohësit e rrethanave politike, deputetët e opozitës dhe qytetarët tanë po konsiderohet të jetë një vizitë qesharake dhe tepër mjerane dhe lirshëm edhe mund të quhet se ka qenë një shëtitje turistike gjoja për të lobuar për vizat, kur paraprakisht dihet se çfarë duhet plotësuar kriteret për t’i hequr vizat.
Sipas specialistëve të kësaj fushe, ky është një mision i dështuar i lobimit për vizat, nga delegacioni i Kuvendit të Kosovës që ia ka mësyrë Evropës në krye me Kadri Veselin, gjoja për t’i bindur shtetet evropiane në kryeqendrën në Bruksel, se Kosova kinse i paska përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga BE-ja për liberalizim të vizave.
Sipas analistëve, kjo do të jetë një lojë e humbur e mashtruese e pushtetarëve tanë të korruptuar që po e pengojnë luftën kundër krimit e korrupsionit në vend dhe po provojnë që me agjenda mashtruese, duke shpenzuar kot buxhetin e shtetit, ta bindin BE-në që t’i mbylli sytë para krimit dhe korrupsionit që po i bren themelet e shtetit të Kosovës.
Liberalizimi nuk falet
Analisti Ilir Fetahu për “Kosova Sot” tha se shkuarja e delegacionit tonë në Austri, kinse për të lobuar për vizat, është e papranueshme.”Sikur ky delegacion të ishte në përbërje të të gjitha partive politike dhe nga të gjitha institucionet dhe veç saj edhe mirë i koordinuar ndoshta edhe do t’ia vlente. Duhet të vizitohen organizatat ndërkombëtarë dhe shtetet që ende nuk na kanë pranuar e jo që bëhet vizita në një shtet mik tradicional, sikurse që është Austria”, theksoi ai.
Ndërsa analisti politik Ymret Reshiti për gazetën “Kosova Sot” tha se shkuarja e delegacioni të Kuvendit të Kosovës në BE për të lobuar për liberalizimin e vizave paraqet skandal.”Ky veprim i organit më të lartë të shtetit assesi nuk duhet të kuptohet ndryshe veç si tentim për t’i amnistuar kriminelët dhe të korruptuarit”, vlerëson ai. “Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është kushti që duhet të plotësohet për liberalizim të vizave. Ky kusht nuk plotësohet me vizita, me lutje ndaj Brukselit, por duhet që të punohet seriozisht për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi më tej Reshiti.”Sigurisht këtë turne të Kuvendit të Kosovës e kanë “sponzorizuar” bosët e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në vend se këta deputetë të mbështesin dhe të kërkojnë rezultate konkrete nga organet e drejtësisë ndjekjen dhe ndëshkimin e ‘peshqve të mëdhenj’ të krimit dhe korrupsionit këta na turpërojnë para zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Lutja e tyre që BE-ja të na falë liberalizimin e vizave nuk mund të kuptohet ndryshe veç si lutje që t’i falin zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës për korrupsionin që kanë bërë dhe për krimin e organizuar”, ka thënë ai.
Lobimet bëhen në vendet që nuk na njohin
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Faton Topalli (i pavarur), për gazetën “Kosova Sot” tha se vizitat e tilla për lobime njohjesh dhe heqje vizash nuk janë të dobishme, sepse kemi një varg shtetesh të BE-së që nuk na kanë njohur si shtet i pavarur. “Në këtë kuptim edhe nuk është për t’u hedhur poshtë kjo vizitë, por këso lobishmesh si kjo në Austri janë qesharake dhe nuk duhet pritur momentin e fundit, por vizita të tilla të krerëve të institucioneve shtetërore dhe të diplomacisë duhet që të bëhen në kontinuitet dhe tërë kohën e jo të pritet moment i fundit që të lobohet për këtë çështje”, vlerësoi ai. “Lobimet për njohje dhe heqje vizash do të duhej të ishin bërë tek ato vende që nuk na kanë njohur sesa që e kanë bërë kryekuvendari Kadri Veseli me suitën e tij në Austri, që është një vend miqësor”, vijoi më tutje Topalli. “Nuk ka pasur lobime që do të duhej pasur tek shtetet që nuk na kanë njohur, sepse punën nuk e kanë bërë as Kuvendi, as Qeveria e as diplomacia jonë”, ka thënë ai. Veç analistëve dhe deputetëve të opozitës edhe qytetarët tanë janë tejet të pakënaqur me vizitën e kryekuvendarit Kadri Veseli në Austri. Sipas tyre, është qesharake e tepër mjerane shkuarja e një delegacioni të Kuvendit në vendet e BE-së që lirshëm mund të quhet një vizitë për shëtitje turistike, gjoja për të lobuar për vizat, kur dihet se duhet plotësuar kriteret për t’i hequr vizat. Kësisoj qytetari Jahja Gashi nga Prishtina për gazetën “Kosova Sot” tha se me vetë faktin se në këtë vizitë nuk ka shkuar delegacioni i LDK-së, që e ka refuzuar ftesën, kjo na tregon se në delegacionin kosovar ka pasur mosunitet, madje edhe për çështjet kruciale. “Ndarje e thyerje të tilla janë për keqardhje dhe nuk do të duhej bërë fare”, ka theksuar ai.
(Kosova Sot)