Tubime të VV në Artanë e Viti

Gjilan, Viti – Të dielën, Lëvizja VV! mbajti tubim elektoral në Artanë. Tubimin e hapi kandidati për Kryetar të Komunës, Zekë Zeka, i cili tha se me fitoren e Lëvizjes VV!, interesi i qytetarit do të jetë prioriteti kryesor i administratës komunale.
“Në Artanë, të gjithë qytetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa dallime nacionale e partiake, si dhe do ta bëjmë transparente punën e Qeverisë Lokale. Me ne nuk do të ketë shpenzime për luks. Zyrtarët tanë do të jenë të kënaqur vetëm me të ardhurat e tyre dhe nuk do të ketë privilegje shtesë, nuk do të ketë ekskursione për zyrtar komunalë dhe nuk do të blejmë asnjë veturë për nevojat e Komunës, nuk do të ketë honorare për kryetarin dhe asnjë zyrtar komunal, nuk do të ketë dreka dhe udhëtime zyrtare, por do të ketë shërbime cilësore për qytetarët”, tha mes tjerash Zeka, duke shtuar se VV! do të angazhohet për ngritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi.
Duke folur për planin urbanistik të kësaj komune, Zekë Zeka tha: “Lëvizja VV! nuk do të lejojë ndërtime pa leje, por do të angazhohemi për respektimin e përpiktë të planeve urbanistike dhe masave te sigurisë në ndërtim. Po ashtu do të krijojmë një vijë buxhetore për rininë, do të ofrojmë hapësira dhe përkrahje financiare për qendrat rinore, do t’i përkrahim projektet e punësimit sezonal dhe do të përkrahim rininë për organizime sportive”.
Pas tij, fjalën e mori kandidatja për Kuvend Komunal, Egzoneta Ramadani, e cila tha se vajzat dhe gratë janë më pak të vlerësuara, më pak të punësuara, më pak të paguara, nuk janë në organe vendimmarrëse. “Ne synojmë që gruaja të jetë në pozitë shumë të avancuar shoqërore, politike dhe qytetare. Në vizionin tonë, ne synojmë që gruaja të jetë sa më e përfshirë në vendimmarrje. Ne duam që asambleistet tona të mos jenë zëdhënëse të burrave apo të shefit të partisë politike. Ne jemi të sigurt se gratë gjykojnë drejtë dhe kanë aftësi të barabarta me burrat”, tha Ramadani, duke shtuar se programi ynë qeverisës lokal, është programi që gratë i bënë subjekte dhe jo objekte.
Bartësi i listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal në Artanë, Lirim Gashi, tha se Artana ka mbetur një nga komunat më të varfra dhe më të pazhvilluara në Kosovë. “Kjo vjen si pasojë e keqqeverisjes dhe pushtetarëve të korruptuar. Ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore në Artanë. Ne e kemi dijen, guximin dhe ndershmërinë për t’i prirë këtij ndryshimi”, tha Gashi. Në fund të fjalës së tij, ai prezantoi me radhë të gjitha kandidatët e Lëvizjes që do të garojnë për Kuvendin Komunal të Artanës.
Kryetari i VV!-s, Albin Kurti, në fjalën e tij të rastit tha mes tjerash se Miniera e Artanës ka qenë shumë e pasur me plumb, zink, ar dhe argjend, ku vetëm në vitin 1450 në Artanë janë nxjerrë 6000 kg argjend për vetëm një vit. “Dikur këtu punësoheshin 2000 punëtorë, e sot për shkak të problemeve me modelin e mbrapshtë të privatizimit e likuidimit, dhe problemin me statusin ligjor të Trepçës për shkak të ndarjes së Mitrovicës, në Minierë në Artanë punojnë vetëm rreth 300 punëtorë”, tha Kurti, duke shtuar se me pushtetin e VV!-s, do të ndryshojë kjo gjendje, sepse pasuritë natyrore të Artanës, i përkasin popullit të Kosovës dhe ato duhet të zhvillohen në mënyrë që të përparojë edhe Artana, edhe e gjithë Kosova. Duke folur për procesin e decentralizimit, nga i cili Artana e ka pësuar shumë, me ç’rast i është zgjeruar territori, për t’iu ndryshuar përbërja demografike, Kurti tha: “Shqiptarët kanë qenë shumicë dërmuese në Artanë. Me trefishimin e territorit të Komunës së Artanës, shqiptarët përbëjnë 35% të popullsisë këtu. Ne jemi të vetmit që e kemi kundërshtuar gjithmonë këtë gjë, nëpër rrugët e fshatrave deh qyteteve anë e mban Kosovës, edhe në Artanë këtu posaçërisht. Prandaj, qysh nuk e kemi pranuar këtë decentralizimi edhe e kemi kundërshtuar përderisa ishim në opozitë, përderisa ishim jashtë institucioneve, ne këtë gjë do ta bëjmë posaçërisht atëherë kur do të jemi në pushtet e brenda institucioneve komunale këtu”.
Në fund të fjalës së tij, Kurti u bëri thirrje qytetarëve të Artanës me 2 nëntor të dalin masivisht në zgjedhje dhe asisoj ta konfirmojnë, vulosin dhe mbrojnë fitoren e VV!-s, fitoren e Zekë Zekës, fitoren e këtyre kandidatëve për Kuvendin Komunal, duke rrumbullakuar numrin e fitores, pra numrin 61.
Takimet e VV në Viti
Do ta ndalim keqqeverisjen në Viti
Me këto fjalë kandidati i Lëvizjes VV! në Viti, Salih Salihu e hapi takimin me banorët e fshatit Sodovinë të muhaxherëve të komunës së Vitisë, i cili takim filloi në orën 18:00 ku i pranishëm ishte edhe Rexhep Selimi deputet i Lëvizjes VV!
Profesor Salihu përveç tjerash diskutoi edhe për rëndësinë e arsimit dhe të bujqësisë në komunën e Vitisë, dy prej faktorëve më të rëndësishëm në Viti e për të cilat qeverisjet e deritashme kanë bërë pothuajse asgjë për to. “Arsimi dhe bujqësia janë të ndërlidhura ngushtë njëra me tjetrën, pasi që një njeri i paarsimuar nuk mund të ketë ide se si ta zhvilloj bujqësinë, dhe një bujk i papunë nuk ka të holla që të arsimohet” tha Salihu.
Pastaj fjalën e mori Rexhep Selimi i cili i siguroi banorët e fshatit Sodovinë që Lëvizja VV! do të garanton që votat e tyre nuk do të keqpërdoren e nuk do të vidhen. “Nëse në zgjedhjet e kaluara nuk kemi arrit që ta parandalojmë plotësisht vjedhjen e votës, kjo ka ndodh sepse nuk kemi pas shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës, mirëpo këtë vit është krejt ndryshe, këtë vit ne kemi shtrirje në të gjithë vendin, në secilin qytet e fshat të Kosovës dhe votën do ta mbrojmë në secilin vend me çdo kusht” tha Selimi.
Më pas vazhdoi bashkëbisedimi me banorë, ku të gjithë banorët tregonin nevojën, domosdoshmërinë dhe gatishmërinë për një ndryshim rrënjësor në Viti.
Sistemi i ujitjes i domosdoshëm për Vitinë
Pas Takimi të orës 18:00 në Sodovinë pasoi takimi i radhës me banorët e fshatit Skifteraj të po të njëjtës komunë.
Duke pasur parasysh që banorët e këtij fshati njihen si bujqit më të mirë të këtij regjioni, profesor Salihu shpalosi alternativën qeverisëse lokale në të cilën një prej prioriteteve kyqe do të jetë sistemi i ujitjes së tokave bujqësore.
“Një pikë ujë është energji, prej vetëm një përrocke të vogël mund të krijohet një hidrocentrali i vogël që do ta furnizonte një shtëpi me rrymë, ndërsa te ne në Viti, lumi Morava kalon nëpërmjet pothuajse gjithë territorit tonë dhe nuk shfrytëzohet për asgjë, e as për ujitje të tokave bujqësore” tha Salihu,i cili tregoi planin për sistemin e ujitjes në këtë regjion.
Përveç tjerash Salihu u zotua që me fitoren e lëvizjes VV! në Viti, ai do të kujdeset që të hapë një zyre këshillëdhënëse që do të ishte një ndihmesë shtesë për mbarëvajtjen e punëve në bujqësi.
Pastaj fjalën e mori Rexhep Selimi i cili foli për alternativën qeverisëse të Lëvizjes VV! duke treguar tri shtyllat kryesore të kësaj alternative qeverisëse siç janë: Shteti i së drejtës, shteti social dhe shteti zhvillimor, ku për secilën foli veç e veç. Dhe krejt në fund u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve që të dalin sa më masovisht në zgjedhje dhe me votën e tyre ta dënojnë keqqeverisjen në Viti./rajonipress/