Eko Higjiena

Tryezë Diskutimi në Kamenicë : “E drejta është e saj – Sot dhe Çdo Ditë”

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Kamenicë – Forcimi i bashkëpunimit institucional kundër dhunës me bazë gjinore. Në kuadër të fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore”, Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me Zyrtaren për Barazi Gjinore, Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe me mbështetjen e OSBE-së, organizoi tryezën me temë: “E drejta është e saj – sot dhe çdo ditë tjetër”.

Kjo ngjarje mblodhi përfaqësues institucionalë, profesionistë të fushës sociale, drejtues shkollash, nxënës dhe aktorë të tjerë lokalë, me synimin e përbashkët të forcimit të mekanizmave të parandalimit dhe trajtimit të dhunës me bazë gjinore.

Në hapje të takimit, Koordinatorja e NjKDNj-së, Nazmije Demolli Kastrati, theksoi se kjo fushatë nuk duhet parë si një angazhim simbolik, por si një detyrë e përditshme, që kërkon koordinim ndërinstitucional dhe përgjegjësi kolektive. Ajo theksoi se tryeza synon diskutim të hapur, shkëmbim përvojash dhe formulim të rekomandimeve të zbatueshme për forcimin e qasjes preventive në nivel lokal.

Kontribut të veçantë në këtë ngjarje dhanë nxënësit e shkollave të Kamenicës, të cilët prezantuan 16 punime artistike nga 16 shkolla, duke ilustruar dimensionet e ndryshme të dhunës. Mesazhet e tyre si “Dhuna nuk njeh formë apo gjini”, “Dhuna shpeshherë mbahet e heshtur”, apo “Shoqëria duhet të ngrejë zërin” u vlerësuan si thirrje të fuqishme ndërgjegjësuese.

Në vazhdim, Drejtori i Arsimit, Afrim Dervishi, theksoi rolin e shkollave si hapësira formative ku ndërtohen gjeneratat që do të garantojnë një shoqëri më të drejtë e më të sigurt. Sipas tij, edukimi mbetet “garancia më e qëndrueshme për eliminimin e kësaj dukurie”.

Zyrtarja për Barazi Gjinore, Kosovare Maroca Berisha, nënvizoi se dhuna me bazë gjinore është “cenim i drejtpërdrejtë i të drejtave të njeriut”, ndaj kërkoi rritje të ndërgjegjësimit, parandalim, dhe forcim të bashkëpunimit mes institucioneve.

Hidromorava

Përfaqësuesi i OSBE-së, Gazmend Murseli, vlerësoi angazhimin e komunës dhe theksoi misionin e organizatës për mbështetjen e barazisë gjinore gjatë gjithë vitit. Ai theksoi se çdo rast, pavarësisht numrit të përgjithshëm, duhet trajtuar me seriozitet dhe transparencë.

Nënkryetarja për Komunitete, Aleksandra Jovanovic, e cilësoi dhunën si një fenomen ende të fshehur brenda familjeve dhe shoqërisë, duke apeluar për më shumë guxim në raportim dhe më shumë mbështetje për viktimat. Ajo theksoi se shumë gra vazhdojnë të jetojnë “në heshtje dhe frikë”.

Komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, prezantoi punën e Policisë së Kosovës përmes Ekipit të Dhunës në Familje, trajnimeve profesionale dhe dhomës miqësore për viktimat. Ai theksoi se policia shpesh është kontakti i parë, dhe ky kontakt duhet të ndërtojë besim te viktimat.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Rifat Hajdari, prezantoi statistika për vitin 2025, duke raportuar 47 raste të dhunës, prej të cilave 30 viktima janë të gjinisë femërore dhe 17 të gjinisë mashkullore. Ai nënvizoi se dhuna është një fenomen i dyanshëm, dhe se QPS ka intensifikuar përpjekjet për ofrimin e shërbimeve mbrojtëse dhe psikososiale.

Tryeza u përmbyll me diskutime shtesë mbi masat që duhen marrë për të avancuar parandalimin, raportimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, duke theksuar nevojën për veprim të koordinuar, edukim të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët në mbrojtje të grave dhe vajzave./rajonipress/