Hidromorava

Tryeza letrare e “Flakës së Janarit 2024” iu kushtua shkrimtarit Musa Ramadani

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Manifestimi Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”, ka vazhduar rrjedhën e saj edhe këtë të shtune, përmes njërës nga shtyllat kryesore të këtij Manifestimi – pjesës letrare, “Pena e Flakës”, me tryezën letrare që iu kushtua shkrimtarit gjilanas, Musa Ramadani.

Në këtë aktivitet letrar, që Ars Clubi “Beqir Musliu”, asociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, e bashkë-organizoi me organizatën CCNO, u nderua dhe u vlerësua krijimtaria letrare e njërit nga shkrimtarët tanë të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, Musa Ramadanit.

E pranishme në këtë ngjarje letrare, pos dashamirëve të fjalës artistike, ishte edhe nënkryetarja e komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, e cila në emër të kryetarit të komunës, Alban Hyseni, vlerësoi angazhimet e tilla që nderojnë njerëz të penës dhe begatojnë Manifestimin e “Flakës së Janarit” edhe me aktivitete të kësaj fushe.

Duke përshëndetur të pranishmit dhe vlerësuar të gjitha ata që po marrin pjesë nëpër aktivitetet e “Flakës…”, ajo tha se po përmbushet synimi i këtij manifestimi që të ofrojë para publikut gjilanas të arriturat origjinale në shtyllat kryesore të krijimtarisë artistike, duke nderuar e përkujtuar kështu “Janarët tanë të flakët”, figurat emblematike, të përpjekjeve tona për liri, rëniet heroike e të lavdishme, e që këtë vit u pasuruar edhe me prurjen e Kadri Zekës, të shkrirë në bronz.

“Tani më jemi në ditët e fundit të “Flakës…”, për këtë vit. Teksa kemi përmbyllur shumë suksesshëm aktivitetet e deritanishme, të artit skenik, pamor, jemi këtu në “Penën e Flakës”, pastaj do ta përmbyllim si zakonisht me artin muzikor. Sot tryeza letrare vlerëson krijimtarinë letrare të shkrimtarit tonë të shquar Musa Ramadani, derisa i tërë ky organizim i jashtëzakonshëm në këtë mënyrë do të përmbyllet suksesshëm duke e bërë Gjilanin qendër të kulturës e artit shqiptar për gati një muaj”, ka thënë nënkryetarja, Leonora Morina Bunjaku.

Ajo ndau edhe një surprizë për të pranishmit, duke bërë me dije se në ditën e fundit të këtij manifestimi, në Gala Mbrëmje (31 janar), do të kemi mysafirë, shkrimtarin Ismajl Kadare me bashkëshorten e tij.

Përndryshe, në këtë tryezë ku ishte prezentë edhe Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rrini e Sport, e cila drejtori mundësoi këtë aktivitet, aspekte të ndryshme të krijimtarisë të Musa Ramadanit, u trajtuan nga emra të njohur të letërsisë dhe të kritikës letrare e studimore si Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Nexhat Rexha, Sherafedin Kadriu, Zyrafete Shala, Aziz Mustafa e Arsim Halili.

Uji Dea

Vlerat artistike si në gjininë e poezisë, prozës, dramës po dhe kritikës teatrore, të këtij shkrimtari, u shpërfaqën në diskutimet e folësve të kësaj tryeze, e ku fillimisht, nikoqiri Sabit Rrustemi, prezantoi një biografi të shkurtë të shkrimtarit si dhe veprat e tija, e shkrimtari Ibrahim Kadriu, veçoi momente të bashkë-rrugëtimit të tij me Musa Ramadanin duke e vlerësuar atë përveç në poezi e prozë, edhe për kontributin e tij, në fushën e kritikës teatrore, muzikës, vizatimit…

Kadriu tha se Musa Ramadani ka jetuar për letërsi dhe me letërsi, është shkrimtar që e ka kultivuar letërsinë në mënyrën më serioze dhe kjo argumentohet edhe me veprat e tija, e pikërisht për krijimtarinë e Musa Ramadanit, për veprat e tija, në poezi e prozë, me një kumtesë është paraqitur edhe Agron Gashi.

Ai ka thënë, ndër tjerash, se Musa Ramadani ka qenë aristokrat në jetë dhe në vepra dhe se pesë dekada më parë solli një frymë të re në të gjitha zhanret letrare. Shkrimtari Ramadani ishte unik në kulturë e komunikim, kërkues dhe eksperimentues i madh, përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane. Po ashtu trajtoi në veprat e tija tema të guximshme, nacionale, universale. Musa Ramadani ka motivuar që letërsia bashkëkohore shqipe të pasurohet me laramani formash, teknikash të rrëfimit e shkrimit poetik.

Më pas Aziz Mustafa, shkrimtar, vlerësoi lartë veprimtarinë letrare të Musa Ramadanit dhe e lexoi para të pranishmëve një poezi të tijën kushtuar këtij shkrimtari ndërkohë që kumtesa e Sherafedin Kadriut, në mungesë, u tha se do të botohet, sikurse edhe e të gjithë referuesve tjerë.

Zyrafete Shala, solli vështrimin e saj lidhur me librin “Mëkatet e Adamit”, duke thënë se shkrimtarë si Musa Ramadani (të cilin e vlerësoi edhe për guximin për të eksperimentuar), sollën frymë të re në letërsinë. Kritiku Arsim Halili, me kumtesën e tij u përqendrua te poezia e Musa Ramadanit, modelin vizuel miks, e kritiku Nexhat Rexha u përqendrua te Romani “Zezona”, të cilin e vlerësoi për mesazhin që bartë. Ndërsa, i fundit, si qershia në tortë, prof dr Anton Nikë Berisha, në vështrimin e tij, u fokusua te vepra “Ligatina”, për të theksuar se është proza ajo që dëshmon përkushtimi krijues të Musa Ramadanit, e kjo vepër është ndër veprat më të rëndësishme, duke e vlerësuar sidomos gjuhën e pasur të autorit në këtë vepër.

Përndryshe, kjo tryeza letrare në nderim të shkrimtarit Musa Ramadani u mbajt në Bibliotekën e Qytetit, “Fan S.Noli”, e vlen të veçohet se krahas kumtesave të lexuara, u deklamuan edhe poezi nga krijimtaria poetike e këtij shkrimtari, nga Erson Zymberi.

Përndryshe, “Flaka e Janarit 2024”, vazhdon tutje, ku po sot, kemi edhe “Talia diskutimin”, ku Orhan Kurtudlu, artist me origjinë shqiptare nga Turqia, do ta ketë një fjalim motivues mbi rrugëtimin jetësor dhe teatrot, si dhe në mbrëmje, në Teatrin e qytetit jepet shfaqja “Arbri” nga teatri “Oda” – Prishtinë./rajonipress/