Trumpi uron Kosovën për 9-vjetorin e pavarësisë

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, në emër të presidentit Donald Trump ka uruar Kosovën për 9-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Tillerson në letrën e tij drejtuar Kosovës, ka theksuar se SHBA-ja me presidentin e ri Donald Trump çmojnë miqësinë e fuqishme me Kosovën, të bazuar në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët. “Në emër të presidentit Trump dhe popullit amerikan, është nderi im që të uroj qytetarët e Kosovës për nëntëvjetorin e pavarësisë të cilin e festoni më 17 shkurt.
Shtetet e Bashkuara çmojnë miqësinë e fuqishme me Kosovën, të bazuar në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët. Ne përshëndesim progresin që populli i Kosovës e ka bërë në zhvillimin e institucioneve demokratike e shumetnike në nëntë vjetët e pavarësisë. Në vitin 2016, SHBA ishte e lumtur që pa se Kosova fitoi Medaljen e parë Olimpike dhe Kombëtarja e Kosovës zhvilloi ndeshjen e parë në FIFA. Ne presim arritje të vazhdueshme nga Kosova, teksa ajo po punon për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, dhe për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me fqinjët e saj dhe me vendet e tjera në botë. SHBA mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën që të ketë sukses dhe do të vazhdojmë të punojmë me liderët dhe popullin e saj në ndjekje të paqes dhe prosperitetit”, thuhet në urimin e sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson.