Fundamenti

Tromp: SHBA duhet ta shtyjë Kosovën drejt anëtarësimit në NATO

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

E gjithë bota është ankth se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Donald Trump nga radhët e Partisë Republikane po shihet si një kandidat i fortë për t’u rizgjedhur si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë do të mbahen në muajin nëntor. Megjithatë, ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, thotë se politika e Amerikës nuk do të ndryshojë edhe aq shumë pavarësisht se kush do zgjidhet president.

“Ka gjasa shumë të mëdha që Donald Trump të bëhet sërish president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Asnjë republikan tjetër deri në këto momente nuk po mund ta sfidojë atë. Por pavarësisht se kush do të udhëheqë me Amerikën, unë nuk pres se do të ndryshojë qasja e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor e as ndaj Kosovës. Interesat personale nuk mund të ndikojnë marrëdhëniet në mes të dyja shteteve”, thotë ajo për Tëvë 1

Tromp thotë se në këtë rrethana gjeopolitike, është shumë e rëndësishme që SHBA-ja ta shtyjë Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.

Uji Dea

Ajo konsideron se nuk ka mjaftueshëm siguri për Kosovën derisa nuk bëhet anëtare e plotë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

“Kosova nuk duhet ta marrë si të mirëqenë çështjen e sigurisë, duhet që ajo t’i rrisë kapacitetet e saj për t’u mbrojtur. Nuk mjafton të thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë premtuar neve siguri, por duhet ndërmarrë veprime konkrete. Është e domosdoshme që në këto rrethana gjeopolitike, Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Anëtarësimi i Kosovës në strukturat e NATO-s do të ishte një lëvizje shume e rëndësishme, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i ndihmojnë Kosovës në këtë drejtim. E di që janë 5-shtete brenda NATO-s që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por kjo duhet të ndryshoje sepse po jetojmë periudha sfiduese. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet urgjentisht ta trajtojnë këtë çështje dhe ta shtyjnë Kosovë drejt anëtarësimit në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë”, thotë Tromp.

Tutje, ajo thotë se pas luftës në Ukrainë, Rusia është më e motivuar se kurrë që të hapë konflikte të reja.

“Pas luftës në Ukrainë apetitet e Rusisë vetëm sa janë rritur. Rusia nuk ka arritur deri në atë pikë sa të provokojë një luftë më NATO-n, por synon të krijojë konflikte të vogla regjionale. Potencialisht, Moska është e interesuar të nxisë konflikt në Kosovë sepse kjo e fundit nuk është anëtare e NATO-s, dhe kështu Rusia do ta merrte vëmendjen e perëndimit. Përveç Kosovës, situatë e ndjeshme e sigurisë është edhe në Bosnje Hercegovinë”, shprehet Tromp.

Rreth gjysma e republikanëve e konsiderojnë veten pjesë të lëvizjes së Donald Trump, “Make America Great Again”.