Uji Dea

Tromp kritikon Kurtin se nuk bëri asgjë për padi ndaj Serbisë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka bërë të ditur sërish se janë duke punuar për ta paditur Serbinë për krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë ky proces po vazhdon dhe vetëm atëherë kur të ketë diçka konkrete, publiku do të informohet.

Megjithatë, skeptike për këtë çështje po shprehet ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp.

Tromp thotë se Kurti po kalkulon për zgjedhjet e ardhshme, prandaj sipas saj ai ka filluar ta përmend padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Që nga viti 2008 kam dëgjuar liderët e Kosovës kryeministrin, presidentin, kushdo që ishte të hapin këtë temë në publik dhe deri tash, asgjë nuk ka ndodhur. Audienca kosovare mund ta kujtoni që edhe ish-presidenti Thaçi kishte folur në OKB, kam dëgjuar presidenten aktuale të Kosovës, zonjën Vjosa Osmani ta përmendë këtë, në të kaluarën, qëkur është presidente e Kosovës. Kam frikë që përderisa nuk shoh veprime konkrete dhe plan të shtjelluar, për mua, nga jashtë, por shumë e interesuar në vëzhgimin e situatës në Kosovë, mund të them që më shumë duket si PR politik për të shërbyer qëllime të caktuara se sa fillimi i vërtetë i një procesi ligjor që është punë e komplikuar”, thotë ajo për Tëvë 1.

Njohësja e çështjeve juridike, thotë se padia për gjenocid ndaj një shteti tjetër mund të bëhet vetëm përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Eco Higjiena

Por meqë Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara, ajo nuk mund ta shfrytëzoj këtë gjykatë për të ngritur padi ndaj Serbisë.

“Padia për krimet e gjenocidit nga një shtet ndaj një shteti tjetër, dhe mund të bëhet vetëm në një gjykatë, dhe atë gjykatën e OKB-së, që njihet si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ose GJND. Edhe kjo gjykatë gjendet në Hagë, por nuk duhet të mos ngatërrohet me Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, sepse GJNP merret vetëm me përgjegjësit për krimet individuale. Një tjetër gjë e komplikuar është që Kosova de-facto është shtet që nuk është pjesë e OKB-së, prandaj edhe nuk ka vend në atë gjykatë”, shprehet ajo.

Mirëpo, Tromp tregon se ekziston një mundësi se si Kosova mund ta padis shtetin fqinj për krimet e kryera.

“Nëse Kosova si shtet dëshiron të lëvizë para me këtë, mund ta bëjë vetëm në bashkëpunim me një shtet të tretë, shtet mik, që do të merrte këtë përgjegjësi mbi vete. Cilido shtet tjetër anëtar i OKB-së, mund të fillojë këtë procedurë, mirëpo kjo hap një çështje të madhe dhe interesante politike, cili shtet anëtar i OKB-së dhe për cilat arsye, do të pranonte dhe me çfarë baze, do të merrte përsipër këtë detyrë shumë të komplikuar”, thotë Tromp

Si pasojë e luftës mbi 13.000 shqiptarë mbeten të vrarë, dhe rreth 800.000 prej tyre u dëbuan me forcë nga territoret e tyre.