UBT

Triumfi mbi të keqen

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

​Nga Imer Mushkolaj – Krijimi i Gjykatës Speciale dhe procedimi i të dyshuarve do të jetë triumf i shoqërisë kosovare mbi ata që e kanë mbajtur peng tash një dekadë e gjysmë, do të jetë triumf mbi heshtjen e gjatë e të turpshme tonën për të kaluarën e errët, për krimet tona – do të jetë triumf mbi të keqen.

Aspak ndjeshmëri për viktimat, aspak empati për familjarët e tyre nuk po tregojnë kundërshtuesit e Gjykatës Speciale, teksa provojnë të japin argumente për mosthemelimin e saj. Dinë të gjejnë lloj-lloj arsyesh, të qena e të paqena, dinë të përmendin shkelje sovraniteti e integriteti, dinë të flasin për pastërti të luftës e luftë speciale kundër UÇK-së, por asnjëri nuk flet për gjënë më të rëndësishme – për viktimat. Për njerëzit që nuk janë më dhe që dyshohet se janë vrarë nga ish-luftëtarë të UÇK-së.

Të tillët ende kanë dëshirë që për viktimat të vazhdojë së mbretëruari kodi i heshtjes, siç ka ndodhur tash 16 vjet. Për ta është më e rëndësihem që fajtorët të mos dënohen, sesa të vihet në vend drejtësia për viktimat. Ata duan që ta krijojnë përshtypjen se po viktimizohet UÇK-ja, ndërkohë që injorojnë qindra jetë të humbura, qindra njerëz të vrarë me motive nga më të ulëtat. Injorojnë familjarët e viktimave, që me vite presin të zbardhen krimet ndaj më të dashurve të tyre. Injorojnë gjithë shoqërinë kosovare, që ka mbetur peng i krimeve të së kaluarës.

Thonë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, edhe pse e dinë se të tilla luftëra nuk ka. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare por, natyrisht, kanë ndodhur edhe krime. Qoftë gjatë, qoftë pas luftës, por në emër të saj.

Sidomos në muajt e parë të pasluftës, kur komandantë e të ashtuquajtur komandantë, luftëtarë e të ashtuquajtur luftëtarë, çlirimtarë e të ashtuquajtur çlirimtarë nuk ngurruan të ekzekutojnë, eleminojnë e zhdukin njerëz që i përkisnin një etnie tjetër apo një opsioni tjetër politik. Duke ua bërë vetë gjyqin e duke e tërhequr vetë këmbëzën e armës. Duke i zhdukur. Duke i dëbuar e duke u djegur shtëpitë. Duke ua uzurpuar pronat. Në emër të luftës, në emër të popullit.

* * *

Regjimi serb, ushtria e policia serbe kanë bërë krime të tmerrshme në Kosovë. Krime që duhet dënuar. Por, kjo nuk na amniston nga përgjegjësia për t’u marrë edhe me krimet tona. Krime që vërtet kanë ndodhur. Njerëzit janë vrarë, janë zhdukuar e dëbuar. Duhet të jesh i çmendur për t’i heshtur ato. Ose duhet të bëhesh pjesë e lojës së ndyrë, me qëllim që ta ruash kokën tënde.

UBT

E tillë ishte edhe loja e Kuvendit të Kosovës, kur u dështua me qëllim votimi për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin krijimin e Speciales. Qeveritarë hipokritë, që tjetër gjë thonë, e tjetër gjë bëjnë në prapaskenë. Opozitë edhe më hipokrite, e cila vite me radhë akuzon ata që tash janë në pushtet, por kur vjen puna për krijimin e gjykatës, shndërrohen në “mbrojtës të vlerave”, të po atyre vlerave që vite me radhë i kanë shkelur e shkërdhyer – në emër të luftës!

Të vjen të plasësh kur i dëgjon tek thonë se do ta krijojnë një gjykatë kosovare dhe do të merren vetë me krimet e pretenduara. Ndërkohë që asnjëherë, ama asnjëherë që nga paslufta as e kanë pasur muhabet këtë punë, as kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë.

E di, arsyetimi është se drejtësia vendëse nuk ka pasur kompetenca. Por, nëse nuk ka pasur kompetenca për t’i gjykuar krimet e luftës, prokurorët e gjykatësit kosovarë askush nuk i ka ndaluar të merren me raste të shumta të hajnisë e korrupsionit. Ndonjëri nga ta edhe mund ta ketë pasur vullnetin ta bëjë një gjë të tillë, por pikërisht njerëzit e fortë të politikës e të parapolitikës, komandantët kanë qenë ata që, duke pasur ndikim në sistemin e drejtësisë, të parandalojnë çfarëdo hetimi. Si të besojmë tash se ky sistem do t’i dënojë ata për krime lufte? Mos na tregoni përralla, ju lutem!

* * *

Shoqëria kosovare i ka çmuar dhe vazhdon t’i çmojë ish-luftëtarët e UÇK-së për luftën e drejtë dhe heroizmin e treguar. Por, kosovarët nuk mund të pajtohen me të këqijat që individë mund t’i kenë kryer në emër të luftës, në emër të popullit. Dhe, të atillë që iu kanë bërë keq të tjerëve nuk ka pasur pak.

Ata janë profiterët më të mëdhenj të luftës, ata kanë pasuri e prona milionëshe, ata kanë kërcënuar e shantazhuar këdo që ka provuar t’iu dalë në rrugë. Ka nga ta që janë veshur me pushtet dhe vendosin për fatin tonë. Por, vendosin edhe për fatin e tyre, duke mos lejuar që gjykata të krijohet. Sepse, e dinë se do të jenë ata në shënjestër të saj. Aq iu bën për viktimat.

Andaj krijimi i Gjykatës Speciale dhe procedimi i të dyshuarve do të jetë triumf i shoqërisë kosovare mbi ata që e kanë mbajtur peng tash një dekadë e gjysmë, do të jetë triumf mbi heshtjen e gjatë e të turpshme tonën për të kaluarën e errët, për krimet tona – do të jetë triumf mbi të keqen.