RCCOLA

Trishtim i prillit të kobshëm të vitit 1999, nuk harrohet kurrë!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nexhmedin Saqipi – Prilli i vitit 1999, ishte muaji më i tmerrshëm për banorët e Tërnocit dhe për gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve të kësaj ane, të cilët i mbajnë të freskëta ato ngjarje, që nuk harrohen kurrë.

Pa tjetër duhet të përmendim se në Komunën e Bujanocit, në veçanti dhe në Luginën e Preshevës në përgjithësi, pika më strategjike ishte Tërnoci, me siç dimë nga e kaluara me Tërnocin mbrohej Gjilani dhe Kumanova. Prandaj edhe koncetrimi i forcave të shumta serbe dhe presionet gjatë tërë fushatës së NATO-s në Tërnoc ishin për ta lëkundur popullatën nga vendi.

Më 23 prill rreth orës 17:00 u bë dëbimi i qytetarëve mbi fshatin te Muri i Rekës të Tërnocit, pa dallim fëmije, pleq, gra burra, të sëmurë, ku pati edhe të paralizuar. Qëllimi i tyre ishte kinse për regjistrimin e popullsisë dhe numrin e refugjatëve nga Kosova.

Provokimi

Pas kthimit të popullatës në fshat, gjenerali Nikoliq Negosav e kishte urdhëruar Udhëheqësin e BL-së, që ta vendos flamurin Jugosllav në Xhaminë e Strukarëve dhe flamuri u vendos, më 24 prill 1999.

Më 24 prill është bërë ftesa për mobilizim të dhunshëm i 145 të rinjve tërnocasë. Këta të rinj kishin ftesë të paraqiten në Stadionin e BSK-së në Bujanoc, ora 16:00.

Më 12 maj është bërë stacionimi i ushtrisë Jugosllave, në 11 shtëpi ku në fund pas tërheqjes i plaçkitën dhe i demoluan .

Andaj, gjitha këto përjetime dhe sakrifica, trauma që përjetuan qytetarët e Tërnocit, nuk guxojnë të kalojnë në harresë, por duhet të përkujtohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm që do ta ndërtojnë ardhmërinë në paqe, siguri dhe liri.

Kjo ka qenë sprova më e madhe për gjeneratën tonë, se si para dy dekadash populli diti ta ruaj me mençuri edhe në momentin më kritik u mobilizuan dhe u solidarizuan, sikur të ishin një shpirt një trup dhe një individ, duke kuptuar situatën se vetëm të organizuar dhe flijuar mund të dilet nga ky provokim i madh. Rrugët ishin të bllokuara dhe të rrethuara në çdo anë.

RCCOLA

Mobilizimi ishte një nga presionet më të rënda psikike tek popullata shqiptare e këtyre komunave. Për ta pranuar mobilizimin,është dashur shumë guxim, maturi, këmbëngultësi, besim, për t’u bërë “kurban i popullit”. U desh që të rinjtë tërnocas t’i veshin uniformat e UJ-së, për ta shpëtuar popullatën nga shpërnguljet.

Eksodi

Në Kosovë bëheshin masakra ndaj popullatës të pambrojtur, para syve të nënave të baballarëve, të fëmijëve, duke rrënuar, djegur dhe duke shkatërruar gjithçka që ishte shqiptare. Populli i Kosovës filloi ta braktis tokën e tyre stërgjyshore dhe mori botën në sy, shumë prej tyre u strehuan edhe ne Tërnoc, çdo ditë kishim refugjatë disa prej tyre ia kishin mësy Maqedonisë e disa mbeteshin tek ne, për ne ishte shumë vështirë t`i përjetojmë gjithë atë skena të përditshme që na paraqiteshin nga çasti në çast.

Me të vërtetë ishte shumë rëndë të përjetohej ky tmerr, ndërsa ne kishim vendosur të mos e braktisim Tërnocit pa marrë parasysh pasojat dhe dhunën që do të pësonim nga forcat e ushtrisë jugosllave. Mirëpo, popullata e kësaj ane shpresonte te Zoti dhe NATO-ja.

Kjo popullatë edhe pse bënte pjesë në kuadër të sistemit të Serbisë, gjatë tërë luftës në Kosovë përjetoj gjitha presionet shpirtërore, psikike, politike, kulturore, sportive, dhe materiale, vetëm se ishim shqiptarë. E sidomos gjatë fushatës së NATOS më 24.03.1999, në ora 19:55, u krijua një frikë dhe pasiguri tek popullata shqiptare, e cila i ishte nënshtruar një presioni diskriminues, në mënyrë që ai t’i braktiste trojet e vete dhe me këtë pushteti serbë të arrinte spastrimin etnik në këto hapësira.

.

Duke falënderuar qytetarët tanë që ditën ta ruajnë me mençuri edhe në momentin më kritik u mobilizuan dhe u solidarizuan, sikur të ishin një shpirt një trup dhe një individ, duke kuptuar situatën se vetëm të organizuar dhe flijuar mund të dilet nga ky kolaps dhe për këtë në fillim ishim në një situatë shumë të vështirë dhe është dashur fleksibilitet shumë aktiv për ta mbajtur këtë popullatë në kontroll, sepse atëherë ishin të hapur shumë fronte kundër nesh si, në aspektin politik, ushtarak, policor, paramilitar ashtu edhe në propagandën informative.

Kujtesa

Sot, mjerisht, këto ngjarje të kobshme të prillit të vitit 1999, askush nuk i përkujton në mënyrë institucionale. I takon shoqërisë sonë, për t’i shënuar e evokuar këto dy data (23 e 24 prillin e vitit 1999) për t’i shënuar, në mënyrë që ato të mos harrohen. Historia thonë është mësuesja e jetë, prandaj këto data historike si të tilla, duhet të përkujtohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, që do ta ndërtojnë ardhmërinë në paqe, siguri dhe liri.