Trimat e Skënderbeut, për fitore në Beograd
11 trimat e Skënderbeut do të zbresin sonte në fushë “për ta pushtuar” Beogradin në ndeshjen e fazës së grupeve të Europa Leagues. Korçarët i pret një atmosferë “e zjarrtë” në kryeqytetin serb në duel me Partizanin vendës. Skuadra shqiptare synon të nxjerrë rezultat pozitiv. Të dyja palët kanë bërë thirrje për qetësi.
Tre vjet pas përballjes me incidente në mes të Serbisë dhe Shqipërisë do të përsëritet një ballafaqim shqiptaro-serb në Beograd, shkruan sot gazeta Zëri.
Partizani do ta presë Skënderbeun në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të Europa Leagues, në ndeshjen që do të luhet sonte në kryeqytetin serb duke filluar nga ora 19:00.
Të dyja palët kanë bërë thirrje për qetësi, duke kërkuar që në këtë duel të mos përzihet politika dhe inatet në mes të të dyja kombeve, por që fokusi të jetë vetëm dhe vetëm te futbolli.
Skuadra korçare ka mbërritur të mërkurën në Beograd dhe është përcjellë nën masa të larta sigurie.
Trajneri Ilir Daja e pranon se ndaj Bardhezinjve do të jetë një ndeshje e vështirë pasi ekipi serb ka përvojë në Evropë, por jo e pamundur për të nxjerrë rezultat pozitiv.
“Duke e pasur mbështetjen e tifozëve Partizani do të kërkojë ta fitojë ndeshjen. Kjo mund të jetë motivuese për ta, por mund të ketë edhe ngarkesë tek kundërshtari. Sepse një ekip që kërkon të fitojë patjetër, ka edhe emocione. Ne do të mundohemi ta bëjmë lojën tonë si në ndeshjet e para në grupe. E njohim manovrën dhe lojën e kundërshtarit. Është e vështirë, por jo e pamundur. Duhet të përpiqemi ta mbajmë vëmendjen te fusha e lojës dhe jo në gjëra të tjera”, theksoi trajneri shqiptar.
“Duhet të fokusohemi tek aspekti sportiv. Kemi ardhur në Beograd për një ndeshje futbolli dhe për asgjë tjetër. Shpresoj që të na kthejnë atë lloj qetësie që i kemi dhënë Partizanit, por dhe çdo skuadre në Elbasan. Nesër do të fokusohemi vetëm te futbolli, pasi çdo gjë tjetër nuk është e mirë as për ne e as për kundërshtarin. Ne do të shohim vetëm futbollin”, vazhdoi ai.
Djukic: Vetëm futboll, duam fitore
Trajneri i Partizanit, Miroslav Djukic, thotë se ndeshja e ekipit të tij me Skënderbeun është një prej më të rëndësishmeve në fazën e grupeve.
Trajneri serb i ka kërkuar tri pikët në duel me ekipin korçar, derisa u ka bërë thirrje tifozëve të jenë të qetë dhe të mos shkaktojnë probleme, të cilat mund t’i kushtojnë më pas shtrenjtë futbollit serb në përgjithësi.
Ai kërkon nga Partizani t’ia bëjë Skënderbeut mikpritjen e njëjtë, siç ua servoi ekipi shqiptar dy javë më parë.
“Ne jemi të vetëdijshëm me rëndësinë e ndeshjes, është njëra nga dy finalet që na kanë mbetur. E kemi përballë një kundërshtar të vështirë, agresiv, i cili pëson pak gola, i cili do të mundohet që të na godasë me kundërsulme. Detajet dhe kualitetet individuale janë vendimtare në ndeshje të tilla”, ka thënë Djukic në konferencë për shtyp.
“Unë nuk e pres ndonjë problem, i cili nuk është aspak i nevojshëm. Ne të gjithë duam të flasim rreth futbollit dhe spektaklit. Kemi vuajtur shumë për shkak të problemeve në këtë rajon dhe shpresoj që të enjten do të flasim vetëm për futbollin. Duhet ta përmend pritjen e mirë që e kemi marrë në Shqipëri dhe ne duhet t’ua kthejmë këtë mikpritje në mënyrën e duhur dhe t’i fitojmë tri pikët. Ne jemi ndëshkuar disa herë dhe shpresoj se ky ka qenë një mësim nga gabimet që i kemi bërë në të kaluarën”, shtoi ai.
7 kosovarë me Skënderbeun në Beograd
Skënderbeu ka udhëtuar drejt Beogradit me shtatë futbollistë nga Kosova, që janë pjesë e ekipit.
Pa dyshim kjo ndeshje do të jetë e veçantë dhe ndryshe nga të tjerat për futbollistët si: Bajram Jashanica, Fidan Aliti, Enis Gavazaj, Suad Sahiti, Donjet Shkodra, Leonit Abazi dhe Shend Kelmendi. Jashanica dhe Gavazaj pritet ta nisin lojën nga fillimi.
Shehi kthehet në Beograd
Portieri Orges Shehi është i vetmi lojtar i Skënderbeut që do të kthehet në Beograd pas tre vjetësh, pasi ishte pjesë e Kombëtares shqiptare në ndeshjen me incidente ndaj Serbisë. /Zëri/
Europa League
E enjte
19:00 Partizani – Skënderbeu


