RCCOLA

“Trileqja” e Brukselit me piper të Berlinit

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Milaim Shefkiu- Nga Komisioni Evropian erdhi më në fund një sihariq, se Kosovës iu mundësua nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, pas disa kushteve që duhet të plotësohen.

Ky lajm i mirë për fund, i gëzoi kosovarët, sepse rrugëtimi drejt BE-së tashmë ka marrë karakter dhe kahe të duhur. Rruga e nisur para disa vitesh u konkretizua si rrugë e përbashkët me BE-në, e trasuar dhe e qartë për institucionet kosovare.

Mirëpo, Komisioni Evropian përveç lajmeve të mira, institucionet e Kosovës i ka ngarkuar edhe me përgjegjësi shtesë. Tashmë nuk ka justifikim nga ana e lidershipit se rruga është bllokuar nga BE-ja për shkak të mosnjohjes nga pesë vende dhe fraza të tjera demagogjike që na kanë lodhur gjithë dekadës që mbeti pas.

Deri tash, një pjesë të përgjegjësisë për çështjet integruese i ka bartur Brukseli për shkak të një politike heterogjene dhe jokoherente ndaj Kosovës. Ndërsa me sinjalet e fundit që i dha komisionari për zgjerim, Stefen Fyle, se sapo Kosova t’i plotësojë prioritetet afatshkurta, që lidhen me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e minoriteteve dhe kapacitetet tregtare, KE-ja do të propozojë një mandat për Marrëveshjen e Stabizilim-Asocimit. Kjo deklaratë nga Prishtina zyrtare duhet të kuptohet si sinjal për punë dhe angazhim, jo si “trileqe” deserti.

Rruga jonë drejt Brukselit tashmë varet se sa ne ecim shpejt, me çka ecim dhe kush e mban “timonin”. Nëse e ngadalësojmë shpejtësinë apo rrimë në vend e ia rrasim gjumë, atëherë vendnumërtojmë sikurse që kemi vendnumërtuar në disa herë. Sido që të jetë, Bashkimi Evropian, edhe pse jo përfundimisht, na i çeli dyert, dhe na lejoi që bashkë me shtetet tjera të ecim drejt asaj që aspirojmë, integrimit në BE.

Kjo është vetëm një tablo e asaj që vjen nga perëndimi. Ndërsa një tjetër fakt që nuk mund të mohohet, që është zhgënjyes dhe që bart me vete sinjale negative, është deklarata e ministrit gjerman të Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, që vjen nga Berlini, qendra tjetër e rëndësishme e Bashkimit Evropian.

Ky i fundit ia “qiti” pak piper djegës “trileqes” së Brukselit. Pas katër vitesh funksionimi, pas shumë vërejtjesh nga vendorët, pas shumë rekomandimesh e vlerësimesh, të këndshme e të pakëndshme, tha se EULEX-i është një mision “palaçosh”. Madje tha se policia e Bashkimit Evropian në Kosovë është në rrugë të gabuar dhe se duhet të riorganizohet. Ministri gjerman tha se Berlini nuk është i kënaqur me situatën.

Mobi Casa

“Kemi nevojë për një fillim të ri, emër të ri, strukturë të re, njerëz të rinj dhe mandat të ri. Në çdo rast, ajo është në rrugë të gabuar”, tha Maiziere.

A nuk duket zhgënjyese ky vlerësim i ministrit gjerman, në kohën kur populli i Kosovës e ka pothuajse të vetmen shpresë, se ky mision do t’i ndalë disa paudhësi. Madje ky mision do shkurtojë rrugën drejt BE-së, duke luftuar “frontalisht” me hajnat e institucioneve dhe me kriminelët e “rrugëve”. Nëse veprohet sipas logjikës së këtij ministri gjerman, ristrukturimi dhe riformulimi edhe në mënyrë humane e kadrovike, do t’i kushtojë edhe disa vite BE-së si financuese dhe Kosovës si përfituese. Riformatimi i EULEX-it, është si barcoleta me atë nusen e virgjër.

“Pse po e lëshon nusen?- e pyetën shokët Mujën.

Po e lëshoj sepse nuk ishte e virgjër, u përgjigj ai.

Po pse o Mujë nuk e lëshove natën e parë, e pyetën shokët?.

Po natën e parë ishte e virgjër, ama të dytën jo, ishte përgjigjur Muja”.

Edhe ministri Mauzer nuk ka folur katër vjet rresht për dështimet e EULEX-it, e na flet tash kur i vazhdohet mandati edhe për dy vjet të tjera. Nëse EULEX-i ishte, ashtu siç thotë, i strukturuar shtrembër për katër vjet, atëherë është dashur të reagohet menjëherë, pas një apo pas dy vjetësh. Sido që të jetë, ministri gjerman na e prishi pak sihariqin e “trileqes” së Brukselit duke ia qitur pak piper të Berlinit. Fatkeqësisht, pati të drejtë!