Tribunali do të ishte padrejtësi ndaj Kosovës

Krijimi i Tribunalit do ta dëmtonte imazhin e Kosovës. Kjo e bën të padrejtë themelimin e këtij mekanizmi, mendon Kursani.
Krijimi i Tribunalit për krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt nuk do ta dëmtonte imazhin e luftës së UÇK-së. Përkundrazi, sipas analistit Shpend Kursani një hetim dhe gjykim i drejtë do ta pastronte UÇK-në nga këto dyshime. Mirëpo sipas tij, krijimi i Tribunalit do ta dëmtonte imazhin e Kosovës. Kjo, sipas Kursanit, e bën të padrejtë themelimin e këtij mekanizmi.
Kursani në një intervistë për gazetën Triuna, ka thënë se Kosova kë dështuar të krijojë një sistem të drejtësisë që do t’i trajtonte dyshimet se pjesëtarë të UÇK-së mund të kenë shkelur rregullat e luftës.
Kjo, sipas tij, fatkeqësisht e ka krijuar nevojën që një trup ndërkombëtar ta bëjë “punën për ne”. “Përpos këtyre aspekteve mendoj se krijimi i këtij Tribunali e tregon mungesën e përpjekjes së lidershipit kosovar në 14 vitet e fundit për ta promovuar luftën e drejtë të shqiptarëve për çlirim dhe denoncimin e Serbisë si agresor.
Merreni tash me mend, në vend se të krijohet një Tribunal për Serbinë si agresor kyç i luftërave të Ballkanit, përkatësisht si agresori i vetëm në Kosovë, ky Tribunal krijohet për Kosovën. Dhe kësisoj mungesa e përpjekjes së kosovarëve për ta ruajtur luftën edhe pas luftës po çon tek ajo që Serbia të spastrohet bukur mirë nga imazhi i saj si agresor, dhe ndërkombëtarisht po vije puna që Kosova të duket si agresore e Serbia si viktimë”, ka thënë Kursani.
Tribuna: Si i vlerësoni përpjekjet e fundit që të krijohet një Tribunal ose Gjykatë Evropiane që do t`I ndjekë krimet e luftës në Kosovës?
Kursani: Mendoj se ky Tribunal nuk është vetëm goditje e drejtë ndaj disa personave të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte apo krime tjera kundër serbëve dhe shqiptarëve, por mendoj se është edhe goditje e padrejtë ndaj Kosovës. Gjykimi i atyre që dyshohen se kanë kryer krime gjatë luftës si ndaj serbëve ashtu edhe ndaj shqiptarëve në fakt nuk e dëmton UÇK-në. Mendoj se ajo vetëm se e pastron atë, gjë që është e nevojshme, sepse gjykimi nuk do të thotë domosdo edhe dënim, por konfirmim i vërtetësisë së krimeve të dyshuara. Deri më tani kemi parë se edhe në UÇK ka pasur të tillë që në emër të saj kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, dhe gjykimi individual i personave të tillë vetëm se e pastron përpjekjen kolektive të UÇK-së për luftë të drejtë. Megjithatë mendoj se këtë pastrim të UÇK-së është dashur ta bëjë vetë Kosova, Mirëpo në këto 14 vitet e fundit lidershipi kosovar ka treguar se nuk janë të gatshëm të kenë një gjyqësor politikisht të pandikuar. Kjo fatkeqësisht ka krijuar nevojën që një trup ndërkombëtar ta bëjë punën për ne. Përpos këtyre aspekteve mendoj se krijimi i këtij Tribunali e tregon mungesën e përpjekjes së lidershipit kosovar në 14 vitet e fundit për ta promovuar luftën e drejtë të shqiptarëve për çlirim dhe denoncimin e Serbisë si agresor. Merreni tash me mend, në vend se të krijohet një Tribunal për Serbinë si agresor kyç i luftërave të Ballkanit, përkatësisht si agresori i vetëm në Kosovë, ky Tribunal krijohet për Kosovën. Dhe kësisoj mungesa e përpjekjes së kosovarëve për ta ruajtur luftën, edhe pas luftës po çon tek ajo që Serbia të spastrohet bukur mirë nga imazhi i saj si agresor, dhe ndërkombëtarisht po vije puna që Kosova të duket si agresore e Serbia si viktimë.
Tribuna: A ka dështuar sistemi vendës i drejtësisë për të gjykuar krimet e luftës?
Kursani: Sistemi i drejtësisë në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm që t’i gjykojë krimet e luftës, pra ai nuk ka dështuar, sepse nuk ka ekzistuar si funksional ndonjëherë për të thënë se tashmë ka dështuar. Mendoj se janë dy arsye pse gjyqësori i Kosovës anjëherë nuk ka qenë në gjendje që t’ i gjykojë krimet e luftës. E para është bindjet dhe vlerat universale që ne i përqafojmë si shoqëri. Pra ne dështojmë ta mbrojmë luftën e drejtë të UÇK-së duke u munduar t’i amnistojmë disa elemente kriminale që kanë mundur të jenë brenda saj. Në këtë kontekst është vështirë për një gjykatës shqiptar ta dënojë dikë të UÇK-së për krime lufte dhe ta ndihmojë kështu kauzën e UÇK-së duke e pastruar atë, sepse ai apo ajo gjykatëse nuk do të zë vend në Kosovë nga linçimet me sulme dhe etiketime të padrejta anti-patriotike siç zë vend shpesh ky diskurs në Kosovë. Në të njejtën kohë, shumë persona në Kosovë e kanë dëmtuar vetë imazhin e UCK-së duke kryer vepra të pista në emër të saj. Në emër të saj edhe kanë ardhur në pushtet, dhe duke marr parasysh ndikimin e pushtetit mbi gjyqësorin e Kosovës, gjykimi i disa këtyre personave për dyshime për krime lufte veçse është bërë i pamundur.
Tribuna: Si e vlerësoni punën e EULEX-it?
Kursani: Mënyra më e mirë për ta vlerësuar EULEX-in është ta lexosh mandatin e saj dhe ta krahasosh gjendjen në terren nga koha kur ka filluar të punojë EULEX-i e deri më sot. Pra pyetja që duhet shtruar është kjo: A janë krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë në nivel më të ulët sot, se sa në vitin 2008? Mendoj se jo, sepse mendoj se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë e ka thelbin tek vetë strukturat shtetërore që i konvenojnë BE-së për ta mbajtur Kosovën “stabile” në negociata me Serbinë, dhe kësisoj ta kthejë këtë aspekt në një “stabilitet” afatshkurtër për rajonin. Nuk them se EULEX-i nuk ka bërë asgjë për Kosovën. Ka disa raste të personaliteteve të profilit të lartë politik në Kosovë me të cilat është marrë EULEX-i e me të cilat nuk do të mund të merrej gjyqësia vendore. Por, nëse e shohim mandatin e EULEX-it dhe buxhetin prej më shumë se 650 milionë eurove të shpenzuara në Kosovë që nga fillimi i mandatit të tij, mendoj se as EULEX-i nuk e ka kryer punën e vet. Pra krimi i organizuar dhe korrupsioni lundrojnë në nivele të njëjta për Kosovën sikurse në kohën para se të nisë punën EULEX-i. Ndoshta një kredit që do të mund t’i jepet EULEX-it mund të themi se nuk e paska lënë krimin e korrupsionin të bëhet më keq.
Tribuna: Ka një vendim të qeverisë për të krijuar Forcat e Armatosura të Kosovës, a mendoni se vendimi është i ndikuar nga fushata zgjedhore?
Kursani: Natyrisht që po, sepse këtij vendimi nuk i ka parapri asnjë veprim serioz që FSK-ja të shndërrohet në një forcë të armatosur të mirëfilltë dhe të aftë për t’i kryer detyrat e saja. Mbase FSK-ka do të shndërrohet në FAK, porse FAK-u nuk do të jetë më shumë se FSK-ja edhe për shumë vite. Arsyeja tjetër pse mendoj se kjo po bëhet për fushatë zgjedhore, është se qeverisë po i duhet një mbulesë patriotike duke qenë se tashmë pa Serbinë as datën e zgjedhjeve nuk po mund ta vendosë, dhe pa pyetur Serbinë as vet FAK-un nuk po mund ta krijojë. Kështu që zëra sipërfaqësorë patriotikë gjoja se po e krijon një forcë të armatosur, e që nuk e definon për çka po armatoset dhe koha kur e bën këtë nuk lë tjetër për të kuptuar, përpos që kjo bëhet për fushatë zgjedhore.
Tribuna: A mundet dhe a duhet Kosova ta krijojë ushtrinë e saj në këtë fazë?
Kursani: Në fakt Kosova nuk është dashur të mos ketë ushtri në këtë fazë, ashtu siç nuk është dashur të mos ketë ushtri edhe menjëherë pas luftës. Kosova gjithnjë ka nevojë për ushtri e cila e mbron pavarësinë dhe integritetin territorial, si dhe e mbështetë politikën e saj të jashtme. Arsyeja pse mendoj që Kosova do të duhej ta mbante ushtrinë edhe menjëherë pas luftës është pikërisht për t’i ikur lëshimeve politike që ka bërë për statusin e saj. Ne u mbështetëm dhe mbështetemi tek KFOR-i dhe NATO-ja për sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës. Mirëpo kur po vije p.sh. puna tek neogciatat me Serbinë, po janë vetë shtetet anëtare të KFOR-it, përkatësisht NATO-s që i bëjnë presion Kosovës për të bërë lëshime, e këtë presion mund t’ia bëjnë pikërisht për shkak se këta janë akterët që sigurinë e Kosovës e mbajnë në dorë. Kosova duhet ta krijojë ushtrinë pikërisht për ta pasur sigurinë e saj në dorën e vet. Në rastin kur Kosova do ta kishte ushtrinë e saj, si mundësi e përdorimit të forcës për t’u mbrojtur në rast të dështimit të procesit diplomatik, ashtu siç bënë secili shtet serioz, atëherë do të bëheshe faktor edhe ndaj palës tjetër në çfarëdo negociate por edhe ndaj partnerëve të saj. Shteti pa ushtri në këto rrethana thjeshtë nuk mund të merret seriozisht, dhe gjithmonë do të përfundojë duke bërë lëshime politike.
Tribuna: Si e vlerësoni fushatën e parakohshme zgjedhore?
Kursani: Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë që do të mbahen sivjet i konsideroj si më të veçanta nga ato të mëhershmet. Kjo për shkak se me një anë e kemi një parti në pushtet e cila është e trishtuar nga rënia tashmë shumë e mundshme e saj, pra humbja e parasë dhe potencialit për t’u pasuruar edhe më shumë, dhe në anën tjetër e kemi një opozitë e cila është shumë e uritur për pushtet, pra fitimin e parasë dhe potencialit për t’u pasuruar edhe më shumë. Lufta do të jetë shumë e nxehtë, dhe fushata parazgjedhore e reflekton këtë trishtim të pushtetit dhe dëshirë të opozitës. Ndërkaq sa i përket premtimeve dhe disa përpjekjeve si të partisë më të madhe në pushtet si të disa partive opozitare në këtë fazë, ato do t’i cilësoja patetike dhe nënçmim të inteligjencës së qytetarit. Me gjasë duket se ata të përfshirë në fushatë parazgjedhore nuk kanë mësuar nga gabimet e Isa Mustafës.
Tribuna: A mendoni se do të ketë alternativa të mira për zgjedhësit?
Është shumë lehtë të thuash nuk ka alternativë, sepse në fakt në sistemin çfarë e kemi, është e pamundur të ketë alternativa që i kënaqin të gjithë individët. Mendoj se ka alternativë për ndryshim në Kosovë, por jo për ndryshim thelbësor. Fatkeqësisht sikurse në gjithë Ballkanin, edhe në Kosovë, politikanët dhe politikbërësit vetëm riciklohen, ata rëzohen e cohen pa pritë e pa kujtu, ndërkaq që alternativa të reja në thelb nuk krijohen. Është shumë vështirë të diskutohen alternativat për qytetarin e Kosovës në një sistem ku nuk ka polarizim të qartë të partive politike tek e majta dhe tek e djathta. Është po ashtu vështirë të flitet për alternative në një sistem ku qytetari mesatar është aq i varfër, ku në vend se të mendojë për alternativat e vendit dhe të shoqërisë ai duhet të mendojë se si të ushqehet një ditë.
Tribuna: A mendoni se Kosova mund të organizojë zgjedhje të mira edhe pa reformë zgjedhore?
Kursani: Edhe pse mendoj që duhet të ketë reformë zgjedhore, zgjedhje të mira mund të ketë edhe pa reformë, pra pa sistem të ri, sepse zgjedhje të lira, të drejta dhe fer mund të mbahen edhe me këtë sistem. Vetëm se a duam.