UBT

Tri tema duhet të mbyllen në Bruksel para vizitës së Merkelit, Asociacioni do të bazohet në modelin belg

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Komuniteti serb nuk do të organizohet sikur ai në Bosnje e Hercegovinë, por as nuk do të jetë organizim vetëm në kuadër të një OJQ-je siç pretendon Qeveria e Kosovës.
Burime të TV Dukagjinit kanë bërë të ditur se edhe delegacionit kosovar e edhe atij serb u është prezantuar në Bruksel një model i cili po mbështetet nga Perëndimi, si shembull mbi të cilin do të organizohet edhe komuniteti serb në Kosovë në kuadër të Bashkësisë së Komunave Serbe, që pala kosovare preferon ta quajë Asociacion.

Sipas këtyre burimeve, serbët në Kosovë do të kenë organizim të ngjashëm me komunitetin gjerman që jeton në Belgjikë. Ky komunitet i shtrirë në 11 nga gjithsejtë 13 kantonet lindore të Belgjikës, ka një Asamble të këtyre kantoneve dhe një trup ekzekutiv. Përfaqësuesit në Asamble zgjidhen nëpërmjet votës së drejtpërdrejtë, derisa Asambleja pastaj i zgjedh përfaqësuesit në trupën ekzekutive e cila ushtron kompetencat e veta në arsim, në kulturë dhe disa kompetenca tjera të cilat janë komunale.

Regjioni ka shërbimet e veta publikë, politikat e punësimit dhe mirëqenies sociale, ndërsa mbikëqyrë punën e komunave.

Në faqen zyrtare të këtij regjioni thuhet se është territori sovran, anëtar i federatës së Belgjikës.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se plani mbështetet nga Beogradi, por ka hasur në refuzimin e Prishtinës.

Uji Dea

Mirëpo, për arritur deri tek krijimi i Asociacionit, pala kosovare dhe ajo serbe fillimisht do të duhet të pajtohen për kodin telefonik, heqjen e barrikadës mbi Urën e Ibrit dhe kontrollin mbi liqenin e Ujmanit.
Serbia po refuzon që për kodin telefonik të Kosovës të aplikojë një shtet tjetër, duke kërkuar që vetë ta bëjë një gjë të tillë. Përderisa për heqjen e barrikadës ka pajtim në parim, delegacioni kosovar ka refuzuar që çështje e kontrollit mbi Ujmanin të jetë fare temë e diskutimit.

Burime të TV Dukagjinit kanë shpjeguar se palët do të provojnë një takim të radhës gjatë javës së ardhshme, pasi që po insistohet që për tri temat të arrihet marrëveshje para turneut të kancelares Angela Merkel në Ballkan, në fillim të muajit të ardhshëm. Ajo do të vizitojë Tiranën dhe Beogradin. Në kryeqytetin serb, Merkel do të shtyjë përpara modelet tashmë publike të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky normalizim pritet që të formalizohet me krijimin e Asociacionit, gjë që do të marrë kohë.

Të njëjtat burime kanë thënë se deri atëherë diplomacia gjermane do të mbetet në kontakt edhe me Qeverinë e Kosovës. /RTV Dukagjini/