Uji Dea

Tri qëllimet e zgjedhjeve lokale në Kosovë

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Për shumëkë ishte mrekulli e vërtetë çfarë u tha dhe çfarë u dërgjua ditëve të fundit në Shqipëri.Fituesi i zgjedhjeve në fakt doli të jetë Shqipëria si shtet. Ky shembull do të duhej të ishte inkurajues edhe për ne, në Kosovë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen me 3 nëntor të këtij viti, duhet të përmbyllen me suksesin e arritjes së tri qëllimeve: Së pari, të legjitimojnë autoritetet e reja në nivelin e komunave të Kosovës, përmes zgjedhjes së Kryetarëve dhe të Asambleve, me mandat të ri katërvjeçarë.

Së dyti, të përfshijnë të gjitha komunat e Kosovës, edhe ato të Veriut, në këto zgjedhje, gjë e cila asnjëherë nuk ka ndodhë që prej vitit 2000 e këndej, kur në vend u mbajtën zgjedhjet e para të lira dhe demokratike. Së treti, ta zhbëjnë dëmin e madh politik të shkaktuar me zgjedhjet e mbrapashta parlamentare të dhjetorit/janarit të viteve 2010/2011, apo, që ta përmirësojnë rrënjësisht dosjen zgjedhore të Kosovës.

Këto tri qëllime, të para së bashku (e nuk mund të shihen ndryshe, apo ndaras), kanë bërë që të mbërrihet tek data e 3 nëntorit (2013), për mbajtjen e zgjedhjeve të dyta lokale në Kosovë, prej bërjes së shtetit, me 17 shkurt, 2008.

Është kjo një datë që ka legalitetin e njëmendtë dhe ka arsyeshmërinë e plotë politike. Megjithatë, skena politike e vendit, në masë të madhe ka synuar (me të drejtë), që votimet e radhës të mbahen sa më parë, gjatë muajit tetor, për të nisur kështu daljen e politikës kosovare nga stina e vjeshtës së vonë, e cila deri më tash së paku, ka dalë të jetë e vetmja stinë për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Këtu duhet shtuar menjëherë që tash e tutje, zgjedhjet, si ato parlamentare ashtu edhe lokale, patjetër duhet të mbahen në një stinë tjetër. Arsyet për këtë synim janë shpjeguar dhe shterrë tashmë. Kësaj radhe një gjë e tillë thjeshtë nuk ka qenë e mundur, për shkak të varëshmërisë së drejtpërdrejtë të bisedimeve të Brukselit dhe organizimit të zgjedhjeve. Integrimi i qytetarëve të Veriut të Kosovës, në segmentin politik, nuk është i mundur poqëse edhe në këtë pjesë të Kosovës nuk do të kemi zgjedhje të lira.

Fundamenti

Ky është një interes sipëror i Kosovës, i cili nuk bie ndesh me kornizën ligjore të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Ky interes do të duhej t’i bashkonte të gjitha subjektet politike në Kosovë, nëse njëmend dëshirohet që Kosova të funksionojë si shtet në gjithë territorin e saj. Sidoqoftë, hyrja në të dielen e parë të nëntorit, bëri që tek ne të shpërthejnë sërish përplasjet politike për krijimin e kushteve të volitshme për një tjetër manipulim të madh të zgjedhjeve, pikërisht për shkak që në fillim të nëntorit dita do të jetë më e shkurtër, terrohet më shpejt, mund të ketë ndërprerje të rrymës, më në fund, moti mund të jetë i keq, etj.etj.

Sadoqë të gjitha këto fakte qëndrojnë, duhet thënë fare hapur që stina e vitit dhe moti nuk janë burim i vjedhjes së madhe zgjedhore në Kosovë, apo që nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis motit dhe manipulimit në votime. Fatkeqësisht, stina e hajnisë është gjithpërfshirëse, nuk njeh mot, dritë dhe terr, por ajo është rezultat direkt i vetë veprimeve të pjesëmarrësve në zgjedhje: partive politike, mbi të gjitha. Fati i këtyre zgjedhjeve, është në aspektin organizativ në duart e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ-së), e në aspektin politik, është në duart e partive politike të vendit.

Pas turpit të zgjedhjeve të fundit, të cilat bënë që politika kosovare të pësojë shumë, dhe që demokracia në Kosovë, në atë segmentin themelor, të organizimit të zgjedhjeve, të lëndohet thelbësisht, është e domosdoshme që KQZ të organizohet shumë më mirë se radhës së kaluar, që Listat e votuesve të pastrohen përfundimisht prej atyre që nuk mund të votojnë, që partitë politike të lënë një herë e përgjithmonë skemat e manipulimit të votimeve. Në zgjedhje nuk mund të fitojnë të gjithë, në atë kuptimin e ngushtë të fjalës që përkon me interesat e subjekteve që marrin pjesë në to. Por në zgjedhje, në atë kuptimin e gjerë të fjalës, e cila shfaqet në trajtë të cilësisë së demokracisë së arrirë në atë vend, mund të fitojnë të gjithë, poqëse i përmbahen Ligjit dhe Kodit të zgjedhjeve.

Shembulli i mbramë në këtë aspekt na mbërriti prej Shqipërisë, me zgjedhjet e 23 qershorit. Vetëm tre herë në Shqipëri, në 22 vitet e organizimit të zgjedhjeve, ka ndodhë që rezultati i tyre të njihet: Së pari më 1992, kur dihej që Socialistët duhet të humbin, së dyti, më 1997, kur dihej që Demokratët duhet të humbin, dhe tash, kur shpresohej që fitorja dhe humbja zgjedhore do të kontekstualizohej në përshpejtimin e rrugëtimit të Shqipërisë kah BE-ja. Shqipëria thjeshtë e kishte bllokuar veten për shumë kohë, ndërsa gjithçka ishte në duart e vetë politikanëve shqiptarë. Për shumëkë ishte mrekulli e vërtetë çfarë u tha dhe çfarë u dërgjua ditëve të fundit në Shqipëri, Fituesi i falënderohej Qeverisë së deritashme të Shqipërisë, humbësi i dëshironte sukses Qeverisë së ardhshme të Shqipërisë.

Fituesi më i madh, në fakt, në këtë mënyrë, doli të jetë Shqipëria si shtet, dhe demokracia si sistem i qeverisjes në këtë shtet. Ky shembull do të duhej të ishte inkurajues edhe për ne, në Kosovë, megjithëse në këtë vjeshtë, siç u shpjegua tashmë, ekziston edhe ai elementi i ri, i organizimit të zgjedhjeve edhe në Veri të Kosovës, i cili e bënë më të ndërlikuar, se në Shqipëri, ndërmarrjen e mbajtjes së zgjedhjeve. Poqëse me 3 nëntor do të mbërrihen te tri qëllimet e përmendura tashmë, Kosova do të mund ta përmbyllë këtë vit më mirë, në atë segmentin e politikës dhe të sigurisë, se të gjithë të tjerët që prej se është bërë shtet.