Tri pikë për kreun e tabelës

Gjilan – Drita – Besa 2:0 ( 1:0). Shënues: Ismet Ramushi ’38 (pen), Leonit Abazi ’78. Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 700. Gjyqtarë: Vula, Latifi, Këpuska, Isufi Kartoni i verdhë: B. Shabani, Foniqi, Cakaj (Drita) – Fl. Papuqi, Fi. Papuqi, Kasapi, E. Gashi, Zhara, Duraku (Besa). Kartoni i kuq: Jakupi (Drita).
Drita: Latifi, Rama (Sopa), Ahmeti, Cakaj, Syla, B. Shabani, Baxhuku, Abazi (Aliu), Ramushi, Foniqi (Jakupi), Xh. Shabani. Trajner: Arbnor Morina.
Besa: Bytyqi, Gacaferri (Morina), Fl. Papuqi, F. Gashi (Duraku), Fi. Papuqi, Zhara, K. Gashi, Kasapi, Zeka (Salihu), Vokshi, E. Gashi. Trajner: Miftar Rama.
Futbollistët e Dritës së Gjilanit kanë shënuar fitoren e parë para publikut të tyre, duke e mundur skuadrën mjaft të mirë të Besës së Pejës me rezultat 2:0. Vendasit në të gjitha aspektet e lojës ishin më të mirë se mysafirët. Dhe gjatë tërë ndeshjes kanë kontrolluar lojën. Me këtë fitore Drita ka treguar se është ende në lojë për titull dhe se nuk do të ndalet në këtë aspiratë deri në fund.
Vendasit që nga minuta e parë janë vërsulur në drejtim të portës së mysafirëve, por përveç disa gjysmë rasteve nuk kanë arritur që më seriozisht të rrezikojnë portën e Bytyqit të Pejës.
Në minutën e 37, sulmuesi i Dritës ka kaluar disa lojtarë mysafirë, është futur brenda zonën dhe kur bëhej gati të gjuaj në drejtim të portës së Bytyqit, nga mbrapa në mënyrë të pa lejuar ka ndërhyrë Zhara ndërsa gjyqtarit Vula nuk i mbeti tjetër veç se të tregoj në pikën e bardhë. Si zakonisht i pa gabueshëm nga pika e bardhë si gjerë tani ishte Ramushi.
Pas pranimit të golit mysafirët kanë hapur lojën dhe kanë tentuar të shënojnë gol për të barazuar rezultatin, por ishte mbrojtja e Dritës që me sukses ka zmbrapsur çdo tentim të Besës nga Peja.
Në minutën e 78, vendasit kanë shënuar edhe golin e dytë, ndërsa aksionin e kishte filluar Ramushi që bukur gjen Foniqin para zonën, e ky e vëren se bashkëlojtari i tij Abazi gjendej në pozitë më të mirë, të cilin e gjerben, derisa këtij të fundit nuk i mbeti të tjetër veç ta fut topin në rrjet nga afërsia dhe për të shënuar golin e dytë për Dritën.
Kësaj ndeshje të bukur në fund hije të keqe i qiti futbollisti vendas Jakupi, që në minutën e fundit është kacafytur me një futbollist mysafirë, gjë që nga gjyqtari Vula ndëshkohet me karton të kuq.
Thanë pas ndeshjes:
Arbnor Morina, kryetrajner i Dritës: Lëndimet dhe kartonët në asnjë ndeshje nuk po na lejojnë të luajmë me ekipin më të mirë, por të gjithë ata që u aktivizuan në këtë ndeshje kanë dhënë maksimumin, luajtën mirë dhe treguan disiplinë në lojë.
Miftar Rama, kryetrajner i Besës: Patëm dy raste shumë të mira por nuk i realizuam, kurse ekipi i Dritës, që i pati dy të tilla i realizoi me sukses. Ne patëm gabime në mbrojtje, andaj edhe u dënuam, deklaroi Rama./rajonipress/