Hidromorava

Tri kërcënimet për Kosovën: PDK, islami dhe veriu

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Publicisti Veton Surroi ka folur në një forum në Vjenë për Kosovën dhe fjalimi i tij është përqendruar të tri elemente, që sipas tij e kërcënojnë Kosovën.

Një, zaptimi i shtetit në prani të bashkësisë ndërkombëtare. Dy, mospërfundimi i ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Tre, rritja e islamizmit politik si alternativë ndaj shtetndërtimit të korruptuar.

Kur flet për zaptimin e shtetit ai e ka fjalën kryesisht për Partinë Demokratike të Kosovës. Njerëz brenda saj, ai i quan ‘struktura paralele shqiptare’.

“Kjo forcë është e bazuar në një “strukturë paralele” që ka pasur prej kohësh burime jotransparente financimi dhe që nëpërmjet vjedhjes së votës është vendosur në pushtet. Përgjatë pesëmbëdhjetë vjetëve, kjo organizatë që paraqet Partinë brenda Partisë (PDK-së në pushtet), ka arritur të ushtrojë ndikim apo të kontrollojë pothuajse të gjitha institucionet, edhe ato që duhej të ishin të ndara a të pavarura, të shtetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, shumë zaptime pronash e biznesesh nga kjo strukturë, madje edhe vjedhja e votave ‘industriale’, siç e quan ai, ka ndodhu në sytë e autoriteteve ndërkombëtare. “Zhbërja e “strukturave paralele” shqiptare do të jetë një proces i dhimbshëm për ardhmërinë e demokracisë në Kosovë”.

Uji Dea

Për shtetin e papërfunduar, Surroi e ka mendjen tek pjesa veriore në Mitrovicë.

“Kosova nuk ka arritur një përfundim juridik në bisedimet me Serbinë. Përkundrazi, Prishtina, Beogradi dhe Brukseli kanë hapur një proces fërkimi politik dhe të sigurisë mes institucioneve qendrore dhe atyre të serbëve (në Veri, madje edhe Jug), në një proces krijimi të autonomisë serbe në Kosovë, jashtë sistemit të tanishëm juridik dhe kushtetues të Kosovës”.

Në lidhje me islamin politik në Kosovë, Surroi thotë se ai po e infekton gjithë debatin në Kosovë.

“Potenciali i këtij kërcënimi, i konkurrencës së Islamit politik karshi shtetit të zaptuar shihet në Siri. Deri më tani mbi pesë shqiptarë nga regjioni, dy nga Kosova janë vrarë në Siri. Sipas burimeve siriane, ata atje po luftojnë në një luftë që është krejtësisht e huaja për trevat shqiptare; po luftojnë në njësitet që besojnë në luftën doktrinare mes sunitëve kundër alevitëve (shiitë)”, ka thënë ai.

Fjalimi i Surroit, që e transmeton Portali Respublica është mbajtur në konferencën “Periferia e rrezikuar” të organizuar prej disa instituteve europiane e të mbajtur në Vjenë./orainfo/