RCCOLA

Tri gabimet e radhës në qeverisjen lokale të Komunës së Gjilanit

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Sfida më e madhe e qytetarëve të Komunës së Gjilanit sot, është të shohin një qeverisje e cila është konform ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare të qeverisjes lokale.

Sepse më shumë se kurrë në këtë komunë po bëhen gabime profesionale të qeverisjes lokale dhe tri janë më evidente deri më tani:

Vendimi për kushtëzimin e qytetarëve në kryerjen e shërbimeve publike (mbeturina dhe ujësjellës) është antiligjor i konstatuar edhe nga MAPL – Gusht 2012,

Përzgjedhja e personelit arsimor duke e bërë testimin e dijes dhe mbajtja e dy posteve nga kryesuesi i kuvendit komunal.

Vendimi i Komunës për kushtëzimin e qytetarëve,vendimi për kushtëzimin e qytetarëve në kryerjen e shërbimeve publike siç janë ujësjellësi dhe mbeturinat janë një nga vendimet më primitive dhe antiligjore të cilat i kanë nxjerrë jo vetëm Komuna e Gjilanit, por edhe komuna tjera në nivel të Kosovës siç janë: Komuna e Kaçanikut, Klinës, Podujevës, Kamenicës etj., dhe njëherit ndoshta është konstatimi më i mirë në histori të funksionimit të Ministrisë së administrimit të pushtetit lokal – MAPL se, këto janë vendime antiligjore dhe jo të harmonizuara me legjislacionin në fuqi.

Ky është vendim primitiv dhe antiligjor sepse kushtëzohet qytetari që të prodhojë mbeturina dhe të shpenzojë ujë me zor sepse, duhet që kompanitë publike të kenë sa më shumë të hyra vetëm e vetëm pse komuna ka nxjerrë një vendim i cili është jo në harmoni më legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Si ka mundësi që qytetari i cili jeton në periferi të komunës dhe ka ujë mjaftueshëm nga puset e ndryshme e po ashtu i ka të gjitha makineritë bujqësore për bartjen e mbeturinave deri tek deponia kryesore e cila është paraparë për grumbullimin e mbeturinave të kushtëzohet, me një fjalë të vetme ai mundet vetë ti dërgojë mbeturinat e tij tek deponia kryesore e mbledhjes së mbeturinave dhe ti nuk mundesh të ia mohosh këtë të drejtë atij, por duhet të krijosh mekanizma mbikëqyrës që ai të mos e hedhë mbeturinën në vende të ndaluara sepse në të kundërtën duhet të shqiptohet dënimi.

Me këtë ruhet interesi i qytetarit dhe njëherit ruhet edhe ambienti në të cilin ne jetojmë, por nëse vazhdojmë kështu duke i kushtëzuar qytetarët atëherë me plotë të drejtë mund të themi se në mënyrë institucionale (Komuna) po ua shkel të drejtat qytetarëve.

Ky vendim nuk ka bazë ligjore të mirëfilltë për funksionimin e tij dhe është në kundërshtim me të gjitha aktet juridike të cilat e rregullojnë fushën e qeverisjes lokale: Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për vetëqeverisjen lokale, ligjin për menaxhimin e financave publike, ligjin për financat e pushtetit lokal, ligjin për funksionimin e kompanive publike, frymën e statutit të komunës etj.

MAPL ka reaguar shumë drejtë dhe mirë në interes të qytetarit, por komuna shkon edhe më larg se kjo shkelje, duke mos i marrë për bazë të gjitha ato rekomandime që MAPL i ka bërë komunës për shfuqizimin e këtij vendimi dhe më skandalozja është se kryetari i komunës bënë thirrje që të vazhdohet edhe më tutje me këtë gjendje dhe njëherit sipas prononcimeve të tij MAPL është ngutur, kjo nuk qëndron sepse, Komuna e Gjilanit është vonuar në shfuqizimin e këtij vendimi për kushtëzim, me këtë rast duhet të reagojë zyra ligjore (nëse e pyet kush dhe ka kend ta pyet) në këtë drejtim sepse kemi shkelje të drejtave të qytetarëve (shih, disa herë kemi reagimin e Avokatit të Popullit lidhur me këtë çështje por, asnjë veprim konkret deri tani nuk kemi pasur).

Testimi i dijes së kuadrit arsimor nga Komuna

Niveli i arsimit në komunën tonë është në të njëjtin ekuilibër më të gjitha komunat tjera të Republikës së Kosovës dhe të bëhet një testim i dijës për të gjithë ata të cilët kanë aplikuar për një pozitë të vendit të punës atëherë kjo është tejet nënçmuese dhe degraduese për të gjithë ata të cilët mendojnë se mbi supet e tyre mbajnë barrën e intelektualizmit dhe të profesionalizmit, ndërsa i shkon për shtati militantëve partiak të cilët konkurrojnë së bashku më një profesionist të një fushe të caktuar.

Si ka mundësi të matet dija e cila njëherë është licencuar nga një universitet, fakultet apo katedër qoftë kjo publike apo private, qoftë e vendit apo ndërkombëtare, qofshin këto të fushave natyrore apo shoqërore.

Uji Dea

Ju nuk jeni kompetent të vlerësimit të dijës universitare këtë duhet ta dini më së miri ju të nderuar përfaqësues të drejtorisë së arsimit sepse, njëherë është vlerësuar dija dhe organi juaj është i nivelit lokal për ta vlerësuar dijen ndërsa ai i cili e ka kryer fakultetin në UP-ë është kuadër i cili është vlerësuar nga niveli qendror siç është ministria e arsimit përmes Universitetit të Prishtinës.

Në këtë rast disa intelektual të shquar të komunës sonë kanë reaguar me shumë të drejtë dhe duhet përkrahur qëndrimi i tyre se është fyese për ne të bëhet vlerësimi i dijes me rastin e punësimit në nivelin arsimor në Komunën e Gjilanit.

Kriteret për një çështje të tillë duhet të caktohen nga ju por jo duke i shkelur normat ligjore dhe morale dhe është kompetencë ekskluzive e juaja në bashkëpunim me kryetarin e komunës të bëni përzgjedhjen kandidatëve më të mirë në procesin e seleksionimit apo përzgjedhjes duke i respektuar kriteret ligjore dhe morale që janë të parapara me legjislacion siç janë: kualifikimi profesional, mosha, përvoja e punës në institucionet arsimore, përvoja profesionale (punimet shkencore), respektimi i normës së gjinisë, kuadrot e reja, kredibiliteti personal, familjar dhe shoqëror në rrethin ku jeton etj.

Pozita në dy rrafshe të pushtetit

Ajo çka më së shumti duhet ta brengos qeverisjen lokale në Gjilan është se në fund të vitit duhet të paraqitet para opinionit se sa punë dhe të mira janë bërë në aspektin pozitiv në Gjilan, e jo të kënaqemi duke thënë se këtë vit kemi pasur më pak dështime se viteve tjera dhe se në Gjilan ka pasur përparime në formë të zhvillimeve të ndryshme duke i mbajtur nga dy poste dhe duke krijuar një monopol të qeverisjes apo ndikimit në nivelin qendror dhe lokal (shembuj të tillë nuk ka as në shtetet me rregullim shtetëror federativ dhe konfederativ, e lë ma në rregullimet shtetërore të tipit të thjesht – unitar çfarë është Republika jonë).

Nëse ka zbrazëtirë ligjore në Republikën e Kosovës në këtë drejtim atëherë duhet të ngritët ndërgjegjja e secilit që të vlerësojë se sot Republika e Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë në kryerjen e punëve dhe detyrave zyrtare me të cilat jemi të ngarkuar dhe kështu duke i mbajt nga dy pozita nuk i dalim zot asaj për çka jemi të thirrur, të qeverisim mirë dhe në interesin e qytetarit.

Si ka mundësi që në nivelin lokal të jemi udhëheqës të Kuvendit Komunal (Kryesuesit të Kuvendit Komunal) dhe në qendër të jemi anëtar i Qeverisë, çka do të thotë se pozicioni i tij në qendër është ekzekutiv ndërsa në nivelin lokal rregullues apo akt nxjerrës (vendime, rregullore, udhëzime, etj) a nuk është ky konflikt interesi shumë bile (në raste të tilla nuk vlen dija e vjetruar e juristëve të së kaluarës se, “diçka që nuk ndalohet me ligj lejohet”, por vlejnë parimet ajo që nuk rregullohet me ligj fare nuk duhet shfrytëzohet dhe kualifikohet si zbrazëtirë se, nuk ka pasur fare nevojë të rregullohet, se Kushtetuta njeh parimin e ndarjes së pushteteve dhe përgjegjësive).

Nëse qeverisja lokale në Komunën e Gjilanit dëshiron që të merr trajtë bashkëkohore të funksionimit atëherë ajo duhet që rreth vetës të angazhojë ekspert të dalluar (teorik dhe praktik) të fusha të ndryshme në mënyrë që të mos kemi kësi lëshime që vetëm amatorët dinë ti bëjnë në qeverisjen lokale.

Paraprakisht ne e dimë të gjithë se qëllimi nuk është i askujt që të udhëhiqet keq me komunën, (edhe atyre që po bëjnë gabime të tilla) por mungesa e vizionit dhe dijës profesionale për të quar përpara proceset qeverisëse në një subjekt juridik dhe duke u bazuar edhe në një opozitë tejet të brishtë dhe me zë gjysmak përballë hallit të qytetarëve bënë që në Komunën e Gjilanit të ndodhin gabime të tilla të zhanrit amator, por që qytetarin e prekin thellë në palcën kurrizore.

Shpresojmë që të paktën të ndikojmë për të mirë në udhëheqjen lokale përmes këtyre analizave dhe jo të ju mbetet hatri zyrtarëve të komunës pse shoqëria civile merret me analiza rreth funksionimit të qeverisjes lokale.

Mos harroni, Komunën e Gjilanit e keni në “besim” përmes procesit të zgjedhjeve lokale, nuk jeni ju pronarët e saj…

(Grupi i analistëve politikë të OJQ L.L.D – Lobimi për ligjin dhe demokracinë)