Tri aktakuza të prokurorisë gjilanase

/ 4 minuta lexim

Aktakuzë për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve E.I. dhe V.I.

Prokuroria njofton se, në muajin shtator 2018, në komunën e Gjilanit, i pandehuri E.I., me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin E.Z., në atë mënyrë që i përgatitur me armë dhe sëpatë shkon te shtëpia e të dëmtuarit dhe derisa tenton të shkrepë me armë në drejtim të tij, aty ndërhyn i pandehuri V.I., i cili e pengon këtë veprim, me ç’rast arma shkrepë para këmbëve të të pandehurit.

Me këto veprime, i pandehuri E.I., ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Gjithashtu, i pandehuri E.I, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtë në pronësi armë zjarri dhe pesë (5) fishek, me ç’rast ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri V.I., pas rastit të ndodhur, ka mbajtur në posedim të njëjtën armë në shtëpinë e tij, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, në aktakuzë i është propozuar gjykatës, që të pandehurit E.I, t’i shqiptoj dënim plotësues – konfiskimin e armës dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak.

Aktakuzë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe punime ndërtimore të kundërligjshme

Departamenti i Përgjithshëm, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.LL. dhe M.I., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit shtator 2018, në një shkollë fillore në komunën e Gjilanit, të pandehurit nga pakujdesia dhe si pasojë e mos kryerjes së punëve, duke mos i vendosur në kuadër të standarteve pllakat e stiropolit, të njëjtat janë zvarrë nga pllaka e plafonit të klasës, me ç’rast kanë rrezikuar jetën e nxënësve, të cilët sapo e kanë vërejtur rrezikun kanë dalë nga klasa.

Uji Dea

Në këtë mënyrë, të pandehurit kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Gjithashtu, të pandehurit si persona përgjegjës me rastin e projektimit, mbikëqyrjes apo kryerjes së ndërtimit të punëve ndërtimore, nga pakujdesia kanë vepruar në kundërshtim me standartet profesionale përgjithësisht të pranuara, duke vendosur pllakat e stiropolit në shkollë, të cilat janë zvarrë pas kryerjes së punëve dhe kanë rrezikuar jetën e njerëzve.

Në këtë mënyrë, të pandehurit kanë kryer edhe veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Në fund, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurit t’i shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t’iu shqiptoj sanksion penal, i cili do t’i përgjigjej të gjitha rrethanave të kryerjes së veprave penale.

Aktakuzë për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit D.P., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Cenim i të drejtave në marrëdhëniet e punës’’.

Në fillim të muajit shtator 2015 e gjerë tani, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar në komunën e Ranillugut, me dashje nuk e ka zbatuar ligjin dhe kontratën kolektive për punësim, në atë mënyrë që të dëmtuarës K.R. – zyrtare në këtë komunë, ia ka cenuar të drejtën nga marrëdhënia e punës dhe i ka mohuar të drejtën e punësimit edhe përkundër faktit që e njëjta kishte përvojë pune, ndërkaq në listë të pagave kishte vendosur persona të tjerë pa kualifikime, me ç’rast të njëjtën e ka dëmtuar në shumë prej 10.000 euro.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave nga marrëdhëniet e punës”.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjilan, që pas shqyrtimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim meritor sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./rajonipress/