Eko Higjiena

Treshja puçiste nënshtrohet para SHBA-së

/ 9 minuta lexim
KKVITI

Analistët politikë që vazhdimisht janë në përcjellje të zhvillimeve politike rreth tentativës për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, bazuar në disa nga deklaratat e fundit të krerëve të shtetit, ndajnë mendimin se ka filluar të bëhet një zmbrapsje taktike nga pushtetarët aktualë të Kosovës prej iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës.

Kjo zmbrapsje, sipas tyre, vjen sidomos pas deklarimit të fundit të ambasadorit amerikan, Delawie, i cili iu tha qartë se deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do t’u nënshtrohen pasojave specifike dhe shumë të ashpra. Këtë lëvizje taktike të gjetjes së mënyrës adekuate të kthimit mbrapa nga kjo nismë analistët e shohin edhe tek deklarata e fundit e kreut të qeverisë, me ç’rast patëm një deklaratë ndryshe nga kryeministri Haradinaj. Zbutja taktike e qëndrimit të kryeministrit Haradinaj vjen pas reagimit të ashpër të ambasadorit amerikan dhe paraprakisht edhe pas distancimit të Kadri Veselit. Të pamundur e bën ndërhyrjen në Ligjin e Speciales, sipas analistëve politikë, edhe tërheqja e disa deputetëve në mënyrë individuale, numri i të cilëve pritet të shtohet ditët në vijim.

Zbehet mbështetja e deputetëve

Analisti politik Ali Hertica konsideron se tanimë zmbrapsja e disa deputetëve të PDK-së po fillon hap pas hapi, ndonëse ende nuk po deklarohen për këtë nismë.”Nuk përjashtohet tani shtimi i numrit të atyre që do të tërheqin vullnetarisht nënshkrimet, sikur që është deputeti Milaim Zeka, i cili publikisht është deklaruar se e ka tërhequr nënshkrimin nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Tani në të gjitha subjektet politike është duke u zhvilluar një situatë hutie, ku shumë nga ata që janë në tërheqje e sipër nuk dëshirojnë të flasin për qëndrimet e tyre rreth iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.”Tani ndryshimi i qëndrimit të tyre vjen e bëhet akoma më i arsyeshëm, sidomos pas deklarimit të kreut të partisë, Kadri Veseli, se ky institucion ndërkombëtar i drejtësisë nuk duhet të ndalet, sepse ishte vetë ambasadori i SBHA-së ai që u ka treguar qartë se çfarë pasojash do të kenë për të gjithë ata që janë kundër këtij institucioni ligjor ndërkombëtar. Në mesin e atyre që dha shenja të qarta se përpjekja për ndryshimin e ligjit për Specialen është një nismë e parealizueshme është edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili në një intervistë e tha qartë se as nuk e ka nënshkruar këtë nismë dhe as nuk pret që ajo të realizohet”, vijoi më tutje ai.”Tani të gjitha deklaratat e pamatura nga kushdo qoftë nuk janë të nivelit intelektual dhe diplomatik, nuk janë reflektim i një politike apo politikani serioz, por të gjithë ata që fyejnë dhe etiketojnë janë të një kategorie analfabetësh”, theksoi Hertica.

Perspektiva e Kosovës, e marrë peng

Edhe analisti Mustafë Kadrijaj thotë se tanimë është momenti kyç që politika t’i marrë mesazhet e miqve ndërkombëtarë shumë më seriozisht. “Lidershipi i Kosovës nuk guxon në asnjë mënyrë të bëjë veprime të pamatura, duke rrezikuar sovranitetin e Kosovës. Mendoj që kryeparlamentari dhe presidenti i vendit e kanë kuptuar rëndësinë e një veprimi të tillë dhe është për t’u përshëndetur që do të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale dhe po ashtu deklarata e z. Xhavit Halitit mendoj që përveçqë është diplomatike, njëherësh është e guximshme, që të përballet me raportin e Dik Martit, por kryeministri i vendit është për të ardhur keq që nuk po e kupton që është kryeministër dhe që ka obligime ndërkombëtare dhe nuk duhet për interesa personale dhe për teke të tij të dëmtojë të ardhmen e Kosovës”, u shpreh ai. “Perspektiva e Kosovës nuk duhet të jetë peng i kryeneçësisë dhe paditurisë së kryeministrit është për të ardhur keq që kryeministri aktual po sillet sikur me qenë opozitë e jo figurë kyçe e Kosovës karshi raporteve ndërkombëtare”, tha Kadrijaj për “Kosova Sot”. Tërheqjen e sheh si akt final të kësaj loje joserioze edhe analisti Reshat Badallaj.

Ai thotë madje se të gjithë ata deputetë, politikan të bandave politike, veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo kushdo qofshin sa më parë që është e mundur duhet t´i ndalin këto veprime djallë- zore, sepse kjo shihet qartë nga ata që i kanë sytë në ballë se një grup për interesa të tyre klanore rrezikojnë shumë keq të ardhmen e vendit, pasi me këto veprime dhe budallallëqe vihen në kundërshtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, ndërkaq përkrah rreshtohen me dashje apo pa dashje me Rusinë dhe Serbinë. “Kjo nuk është asgjë tjetër përpos budallallëk i sojit të vet, sepse nuk duhet treguar aq jomirënjohës dhe se nuk e bihet shkëmbit me kokë dhe nuk shtyhet bjeshka me gjoks. Lehjet e disa individëve duhet izoluar, se ata flasin në emrin e tyre personal që nuk meritojnë të merresh me ta, individët e caktuar dhe të ndërsyer nga klani mafioz, banditesk, nuk flasin në emër të askujt”, u shpreh Badallaj për “Kosova Sot”. Gazetari ka kërkuar përgjigje lidhur me temën nga Baton Haxhiu, por, si edhe herëve të tjera, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Hidromorava

Qytetarët të protestojnë paqësisht

Edhe politologu Arsim Haziri pohon se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së kohët e fundit janë përkeqësuar mjaft, si shkak i kësaj nisme, prandaj tani po duket që liderët politikë kanë filluar të prekin kokën dhe të shohin shumë më larg se përtej “këmbëve” të tyre.”Binomi politik njëherësh edhe iniciatorët për zhbërjen e ligjit, kohët e fundit, duke pasur parasysh edhe thirrjet e vazhdueshme të sferës ndërkombëtare, janë ndalur pak, duke i nënkuptuar ato thirrje si kërcënime për vendin dhe të ardhmen e saj. Krejt çfarë mund të thuhet natyrisht çka është edhe tejet evidente, është se politika jonë sidomos aktualiteti qeverisës, Presidenca, kryekuvendari, disa deputetë si dhe bartësit e OVL-së, me veprimet e tyre janë duke e degraduar relacionin me perëndimin”, u shpreh ai.”Gjithnjë e më shumë kjo udhëheqje është duke e stimuluar si zbehjen e raporteve me ato shtete që kanë sponsorizuar për shtetndërtimin e Kosovës, si dhe përfundimisht janë duke përcjellë mesazhin e mosqenit shtet serioz dhe i sinqertë”, vijoi më tutje Haziri. Sipas tij, kjo qeverisje është e keqja e këtij vendi dhe ajo ka arritur të politizojë çdo pore të jetës përmes instalimit dhe vendosjes e rivendosjes së figurave për të qenë më pastaj dorë e zgjatur e planeve dhe strategjive të tyre.”Sidoqoftë, qytetarët e shoqërisë duhet me vigjilencë të perceptojnë politikën e ushtruar, të definojnë ndëshkimin ndaj subjekteve politike, si dhe duke marrë për bazë degradimin e përgjithshëm, që përfshin gjithë sferën vitale, të kundërshtojnë përmes marsheve qytetare”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

A do të tërhiqet “Gjarpri”?

Analisti Blerim Burjani pohon se së fundi po duket që edhe iniciuesit e këtij ligji gradualisht po e kuptojnë se presioni ndërkombëtar është i qartë, sanksionues dhe me pasoja edhe për ata superliderë që e kundërshtojnë ose tentojnë të shfuqizojnë ligjin, prandaj kanë filluar të pendohen në mënyrë paksa tinëzare e diplomatike. “Më mirë zmbrapsje se ndëshkim edhe individual edhe ndëshkim ndaj qytetarëve të Kosovës, sidomos në mosliberalizim vizash. BE-ja ka bërë një presin, por më lehtë është tërhequr një hap prapa, duke lënë SHBA-në të kryejë punën. Kjo për shkak se kosovarët janë shumë të lidhur me SHBA-në”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Tërheqjen nga nisma për bllokimin e Speciales tani po e sheh punë të kryer edhe Ibrahim Kelmendi. Madje ai thotë se tani kësaj tërheqje taktike do t’i prijë vetë presioni i ambasadorit amerikan. “Fatmirësisht, ambasadori amerikan ‘Delawie’ ishte tepër i qartë me kërcënimin e tij, kundër komplotistëve, që provuan ta shpërdorojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Treshja që na është katapultuar në krye të institucioneve kryesore të Shtetit, me përkrahje të Beogradit, përmes deputetëve çetnikë të Listës Serbe, më në fund e kuptuan se Amerika kësaj radhe nuk do t’i tolerojë ta shkelin vinë e kuqe”, u shpreh ai. “Mirë do të kishte qenë që ambasadori të urdhëronte KFOR-in amerikan (po të kishte kompetencë përkatëse), të arrestonte atë treshe dhe altoparlantët e tyre, Baton Haxhiu e Nasim Haradinaj, meqë tashmë janë bërë tepër kërcënues për ekzistencën e Shtetit të Kosovës! E njoh gjatë dhe mirë ‘Gjarprin’. Ai nuk tërhiqet, sepse nuk mund të tërhiqet, pos nëse e komandon eprori (Vuçiq) të bëjë tërheqje taktike, për të marrë turr për komplote tjera”, vijoi më tej Kelmendi.

(Kosova Sot)