Fundamenti

“Trepça” në pikën kritike

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ekspertë të njohur të ekonomisë dhe deputetë të Kuvendit të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita kanë mendime të ndryshme rreth të ardhmes së kombinatit “ Trepça”. Ata që janë pozitë e kanë mohuar kategorikisht mundësinë e falimentimit të Kombinatit “Trepça “, që sipas disa medieve, mund të ndodhë si pasojë e moshartimit të projektligjit dhe strategjisë për kombinatin që dikur ishte krenaria e ekonomisë vendore, kurse opozita kanë frikë nga falimentimi.

Deputeti dhe kryetari i këtij Komisionit për ekonomi në Kuvend, Muhamet Mustafa (LDK), thotë se është e vërtetë se ka pasur pak vonesa për hartimin e Projektligjit dhe të strategjisë së kombinatit por në asnjë mënyrë nuk qëndron vlerësimi se pritet falimentimi i tij.

Deputeti Mustafa thotë se sa i përket pjesës së punës që u takojnë anëtarëve të këtij komisioni, tashmë ata e kanë mbaruar punë e vet, ndërkohë që fati i Ligjit dhe strategjisë mbetet në barrë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Por, Mustafa tha se është më se i sigurt se edhe Projektligji, por edhe strategjia për ‘Trepçën’ do të përfundojë deri me datën 2 nëntor të këtij viti kur edhe është afati fundit kur Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme mund të shpallë fillimin e procedurës së falimentimit për këtë kombinat.

Mustafa nuk ka dhënë sqarime se deri ku kanë arritur me pjesën e vet të punës së vet Qeveria e Kosovës, MZHE-ja dhe ekspertët vendor e të huaj që janë të angazhuar në hartimin e projekt-ligjit dhe të strategjisë për ‘Trepçën’. Ai ka sugjeruar që për informata më detaje gazeta duhet që t’i drejtohet me pyetje, Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së. Por, ndonëse gazeta ka provuar që të marrë opinionet e Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së lidhur me çështjen, zyrtarët e zyrave për Informim të Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së nuk janë përgjigjur fare.

Mobi Casa

Kombinati u la pas dore

Ndërkaq zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të Bordit të AKP-së disa ditë më parë, Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit të kryesuar nga Petrit Gashi, ku u diskutuan çështje të shumta dhe u morën vendime të rëndësishme në lidhje me zbatimin e mandatit të AKP-së. Ai sqaroi se Bordi i Drejtorëve diskutoi për ndërmarrjen shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së, e cila trajtohet me prioritet nga ana e Agjencisë dhe konsiderohet me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës dhe në këtë kuadër Bordi u informua nga menaxhmenti për aktivitetet në këtë ndërmarrje dhe shqyrtoi raportin mujor të punës. Bordi, në vazhdën e vizitave të punës u pajtua që në ditët në vazhdim të vizitojë ‘Trepçën’, njësinë në veri të Komunës së Mitrovicës.

Ndërkaq zyrtarët e lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë vlerësuar të gabuar e të vonuar mosmiratimin e projektligjit dhe strategjisë së ndërmarrjes “Trepça”, e cila nuk mund të përkufizohet vetëm në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe në rrafshin politik. VV-ja, kanë folur edhe për angazhimet e minatorëve në zhvillimet politike, me theks të veçantë në angazhimet e tyre për mos ndryshim të Kushtetutë së vitit 1998. Për sa i përket gjendjes aktuale në këtë ndërmarrje, VV-ja e ngritën dyshimin në Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre mund të jetë e involvuar në keqpërdorime të pasurive në resurset e saja, përkatësisht në shitjen ilegale të mineraleve. “VV konsideron se “Trepça” nuk duhet të privatizohet, sepse ajo përbën një resurs shumë të vlefshëm në aspektin ekonomik, si dhe shumë të rëndësishëm në aspektin strategjik”, thonë VV-ja. Ata paraqitën një analizë të ekspertëve vendorë, sipas së cilës me një investim afro 200 milionë euro nga Qeveria në këtë ndërmarrje, do të rezultonte me tetëmijë vende pune. Arsyetimin e Qeverisë se nuk ka mjete të mjaftueshme për të investuar, VV-ja i hodhën poshtë me faktin e investimeve në infrastrukturën rrugore./kosova sot/