KKVITI

Trepça në kolaps, pushteti e rrezikon edhe me dialog

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Të pakënaqur me situatën që mbretëron nga pas lufta në kombinatin që dikur ishte krenaria e vendit, punëtorët e minierës së “Trepçës” që nga dita e enjte kanë hyrë në grevë. Ndërkaq, sipas krerëve të Sindikatës, e tëra kjo po ndodh, ngase punëtorët janë të pakënaqur me institucionet shtetërore të vendit.

Krerët e Sindikatës ankohen se Bordi i ri i “Trepçës” nuk i ka takuar asnjëherë punëtorët dhe nuk e ka vizituar asnjëherë kombinatin. Sindikalistët dhe punëtorët akuzojnë Bordin dhe menaxhmentin se po bëhet pranimi i punëtorëve pa konkurs. Sipas njohësve të kësaj fushe, qëllimi i pushtetarëve është që ta bankrotojnë kombinatin “Trepça”, si çdo ndërmarrje tjetër, dhe pastaj t`ia falin Serbisë apo mafio-oligarkëve që janë të lidhur me pushtetarët aktualë kosovarë. Kohëzgjatja e grevës, si edhe vendimet e tjera do të varen nga këshilli grevistë i kombinatit ” Trepça”.

Anarki në kombinat

Lideri i Sindikatës së kombinatit ” Trepça”, Shyqyri Sadiku, për gazetën”Kosova Sot”, tha se e kanë nisur grevën ditë më parë dhe tashmë e kanë formuar Këshillin grevist bashkë me minatorë dhe kohëzgjatja e grevës, si edhe vendimet e tjera, do të varen nga Këshilli grevistë. “Ndërsa kjo grevë po ndodh, ngase punëtorët e ‘Trepçës’ janë të pakënaqur me institucionet shtetërore të vendit. Kjo, ngase Bordi i ri i ‘Trepçës’ nuk i ka takuar asnjëherë punëtorët dhe nuk e ka vizituar asnjëherë kombinatin ‘Trepça’ dhe veç saj nga ana e Bordit dhe menaxhmentit po bëhet pranimi i punëtorëve pa konkurs”, u shpreh ai.

“Të kota kanë qenë ankesat tona, se gjendja e tashme që mbretëron në kombinatin ‘Trepça’ ka bërë që prodhimi ka rënë në nivel shumë të ulët. Aktualisht, gjendja në kombinatin ‘Trepça’ nuk është aspak e volitshme dhe kjo po ndodh si pasojë e keqmenaxhimit, keqpërdorimet dhe mosdisiplinës në punë”, potencoi Sadiku. “Të gjitha institucionet kompetente janë njoftuar për rënien e prodhimit në kombinatit ‘Trepça’, por është për keqardhje që deri më tash nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për daljen nga kjo situatë”, vlerësoi ai. Sipas kryesindikalistit Sadiku, kombinati “Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Por, ai sqaron se në vitet e fundit të pasluftës ky kombinat kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë, sa kishte në të kaluarën, “Trepça” numëron aktualisht rreth 1.400 punëtorë. Ai ka sqaruar se, sipas të dhënave zyrtare nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, derisa sot, nga aty nxirren 150 mijë tonë xehe”.

Falimentimi, në prag

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu (PSD), për gazetën,”Kosova Sot”, tha se nuk duhet që të na çuditë aspak fillimi i grevës së minatorëve. “Mendoj se ‘Trepça’ është në fazën më të keqe të mundshme, edhe ka gjasa serioze të falimentimit, duke lënë një pjesë të madhe të punëtorëve në rrugë”, u shpreh ai. “Institucionet kosovare janë të informuara rreth problemeve të gjigandit ‘Trepça’, por nuk është askush duke e qarë kokën për këtë punë, ngase politikanët janë të fokusuar vetëm pas interesave klanore e politike dhe askush nuk është duke u marrë me katastrofën që është duke e pritur këtë kompani”, potencoi ai.

“Vetë zvarritjet për emërimin e anëtarëve të Bordit për ndërmarrjet publike e kanë ngulfatur edhe më shumë procesin e riorganizimit të tyre, ngase mungesa e gjatë e Bordit e ka stopuar edhe zhvillimin”, theksoi Salihu. “Ka interesa personale të dikujt që ka synim primar për ta shkatërruar kombinatin që dikur ishte krenaria e kombit. Dhe, e tëra kjo po bëhet për interesa politike dhe interesa ekonomike, të njerëzve që thuajse i kanë falimentuar të gjitha ndërmarrjet publike dhe mision e kanë edhe ‘Trepçën’ për ta falimentuar”, potencoi ai. “Duhet thënë se qëllimi i pushtetarëve të tashëm është që ta bankrotojnë kombinatin ‘Trepça’, si çdo ndërmarrje tjetër, dhe pastaj t`ia falin Serbisë apo mafio-oligarkëve që janë të lidhur me pushtetarët aktualë kosovarë.

Përderisa ka qytetari të fjetur, këta pushtetarët tanë kanë për të vazhduar për ta shkatërruar ekonominë e Kosovës dhe kjo situatë do të vazhdojë deri në momentet që të ngritët populli në protesta dhe t’u thotë boll më”, shtoi më tej Salihu.

UBT

MZHE-ja mburret me “progresin” e bërë

Në një përgjigje të dhënë për gazetën “Kosova Sot”, zyrtarja për Informim e MZHE-së, Fitore Ajeti tha se janë të kuptueshme shqetësimet dhe kërkesat e punëtorëve dhe grevistëve për riaktivizim sa më të shpejtë të “Trepçës”. “Mirëpo, nuk ka asnjë arsye për shqetësim, apo frikë nga falimentimi i ndërmarrjes publike ‘Trepça’. Ajo është shpëtuar nga ky rrezik në momentin e miratimit të ligjit përkatës. Është e vërtetë se ka vonesa në implementimin e ligjit, mirëpo, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndërmarrë të gjitha veprimet që ka në përgjegjësi, ashtu që sa më parë, brenda afateve ligjore, të konstituohet Bordi i ‘Trepçës’ dhe të vazhdojnë të gjitha procedurat që ndërlidhen me organizimin, konstituimin dhe funksionalizimin e ndërmarrjes” , u shpreh ajo.

“Nuk e mohojmë faktin se ndërmarrja është duke kaluar nëpër një proces mjaft të rëndë, por edhe shumë të rëndësishëm, por, aktualisht, ‘Trepçës’ nuk i kanoset asnjë rrezik. Prandaj, zërat se ajo mund të falimentojë janë të pabazë dhe pa asnjë argument. Pra, vonesat e zvarritjet janë të mëhershme”, vijoi më tej Ajeti. “Nëse kemi të bëjmë me zvarritjet, atëherë duhet analizuar edhe historinë e tyre. Ministri Valdrin Lluka, që nga emërimi në këtë post, në mesin e çështjeve me prioritet të lartë ka pasur edhe ‘Trepçën’. Për këtë arsye, falë përkushtimit që ai ka treguar, procesi ka nisur të lëvizë, madje, një vit pas miratimit të ligjit. Procedurat do të rrjedhin sipas afateve të përcaktuara me ligj”, ka vlerësuar ajo.

Moszbatimi i ligjit, me pasoja të rënda

Drejtuesit e mëhershëm të kombinatit po konsiderojnë se zvarritjet që i janë bërë zbatimit të Ligjit për “Trepçën”, në këtë kompani kanë sjellë humbje të mëdha, si dhe nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje. Ish-drejtori i kombinatit Ahmet Tmava, për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se, përveç rënies së prodhimit, edhe mosfunksionalizimi i Ligjit për “Trepçën” ka sjellë vështirësi të mëdha edhe të funksionimit si ndërmarrje. “Kombinati ‘Trepça’ është në fazën e mbijetesës me probleme të mëdha, por mbesim me shpresën se gjërat do të lëvizin shpejt. Problemet shëndetësore të punëtorëve, mosha e shtyrë, si dhe mungesa e investimeve, i kanë sjellë këto probleme, andaj edhe për momentin statusi i ‘Trepçës’ është i paqartë. Prandaj, edhe fillimi i grevës së minatorëve nuk duhet t’i habitë institucionet tona”, vlerësoi ai.

Aseti më i vlefshëm dhe më i neglizhuar

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se është për keqardhje në çfarë gjendja ka ardhur kombinati “Trepça”. “Edhe fillimi i kësaj greve të minatorëve, që ishte shumë me vend, duhet të jetë një sinjal se Qeveria e ‘Haradinaj’ duhet të veprojë menjëherë me qëllim që të shpëtohet ky gjigant ekonomik sa nuk është bërë vonë, sepse dikush në këtë vend pret që të falimentojë dhe të shesin për shumë pak para, siç kanë bërë me Ndërmarrjet e tjera Publike deri më tash”, u shpreh ai. “Qeveria ‘Haradinaj’ do të fillojë të merret seriozisht me kombinatin ‘Trepça’ dhe se Ministria e Zhvillimit Ekonomik të bëjë një strategji më të mirën nga ekspertët më të mirë dhe të fillojë që ‘Trepça’ të rimëkëmbet, sepse është aseti më me vlerë në Republikën e Kosovës. Nëse deri më tash ka pasur neglizhencë dhe papërgjegjësi në Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike është koha e fundit që krerët e shtetit të veprojnë në të mirë të qytetarëve të vendit dhe për gjigantin ‘Trepça’ të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Në shumë vende ka praktika të mira se si duhet të gjendet zgjedhje për këtë Ndërmarrje Publike dhe me interes strategjik për Republikën e Kosovës, e shpresojmë se Qeveria ‘Haradinaj’ do të veprojë shumë shpejt dhe me mençuri”, theksoi Neziraj.

Rrënimi i ndërmarrjes

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën” Kosova Sot”, tha se nuk duhet të çuditemi me fillimin e grevës së minatorëve të “Trepçës”, ngase zhvatja dhe eksploatimi i ndërmarrjeve në mënyrë të vrazhdë që nga pas lufta është bërë pa pikë mëshire nga Administrata e UNMIK-ut përmes AKM-së, por edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njerëzit e pushtetit, përmes AKP-së, e kanë dëmtuar vazhdimisht pasurinë tonë. “Me këtë dëmtim që u është bërë ish-Ndërmarrjeve Publike, në këtë rast edhe ‘Trepçës’, që ishte krenaria ekonomike e Kosovës, i kanë kthyer këto NP në një barrë buxhetore, që kjo është një paradoks që nuk ka logjikë ekonomike. Përkundër disa tentimeve, që të zgjidhet problemi i ‘Trepçës’, ku në legjislaturën e fundit u bë edhe Ligji për ‘Trepçën’ përkundër presionit të Listës Serbe me ndikim nga Beogradi, por për fat jo të mirë, ai ligj, si shumë ligje, mbeti në letër duke u pluhurosur në sirtarë”, theksoi Grapci.

(Kosova Sot)