Fundamenti

Tregtia në nivel të skrapit

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin ekonomik është i mirë vetëm në letra, pasi të dy vendet kanë numrin më të madh të marrëveshjeve të nënshkruara.

Por, në praktikë bashkëpunimi në mes të dy vendeve, sipas drejtorit Ekzekutiv të Institutit GAP, Agron Demi, ka ngecur. Ai në një intervistë për “Kohën Ditore” ka thënë se aktualisht niveli i bashkëpunimit tregon më së miri shkëmbimet tregtare që kanë dy vendet.

“Këtë më së miri e ilustron tregtia me metale bazë, kryesisht skrap: produkti më i eksportueshëm i Kosovës në Shqipëri janë metalet bazë, dhe i njëjti produkt përbën eksportin më të madh të Shqipërisë në Kosovë”, ka thënë Demi.

KKVITI

Ai ka thënë se deri më tani disa herë ka pasur përplasje sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave. Por, mospajtimi më i madh, sipas tij, është bllokimi i ndërtimit të Hidrocentralit të Zhurit nga ana e Shqipërisë, në mungesë të një marrëveshjeje për ujërat.

Demi ka thënë se fakti që Shqipëria është më afër BE-së se Kosova do të thotë se shkëmbimet tregtare në të ardhmen do të vështirësohen në mes të dy vendeve, për shkak të obligimeve që Shqipëria merr për t’i respektuar rregullat e BE-së.

Ai ka rekomanduar që marrëveshjet e nënshkruara në mes të dy vendeve të shtohen, në mënyrë që të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare.