Hidromorava

Tregtarët po manipulojnë me çmime

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Tregtarët kosovarë po vazhdojnë të manipulojnë me çmimet e artikujve të ndryshëm, duke i ngritur çmimet joproporcionalisht me ngritjen e TVSH-së nga 16 në 18 për qind. Përderisa te artikujt, ku është përgjysmuar TVSH-ja në 8 për qind, çmimet kanë mbetur të njëjta. Kjo po ndodh me çmimin e bukës, edhe pse TVSH-ja e kësaj të fundit është liruar në 8 për qind çmimi i saj vazhdon të mbetet i njëjtë (30 centë). Ulja e TVSH-së pothuajse nuk është vërejtur as te çmimi i vajit dhe te produktet e qumështit.

Në Ministrinë e Financave thonë se ulja e TVSH-së pritet të reflektohet në mënyrë graduale te artikujt, përderisa kanë thënë se e kanë të pamundur të ndërhyjnë në treg për të rregulluar çmimet, pasi që, siç thonë ata, çmimet i rregullon vetë tregu.

“Efektet e TVSH-së do të vërehen te faturat e shërbimeve publike, ndërsa sa i përket çmimeve të produkteve që janë subjekt i forcave të lira të tregut, këto ndryshime do të reflektohen në mënyrë më graduale. Ne besojmë në një treg të lirë, ku konkurrenca dikton çmimet dhe shpresojmë se këto ndryshime do të reflektojnë edhe në çmimet e bukës dhe në produktet e tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për gazetën “Zëri”.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë kanë thënë se ndryshimet tatimore që janë bërë nga Ministria e Financave nuk e kanë pasur në fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve, por mbushjen e buxhetit të shtetit. Sipas tyre, Ministria është dashur që t’i analizojë efektet para se të marrë një vendim të tillë.

ARKATANA

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, thotë për “Zërin” se ulja e TVSH-së në produktet elementare vetëm se do t’i ndihmojë tregtarëve, ndërsa kjo nuk do të mundë të reflektonte në çmime, për shkak se ekonomia e Kosovës i nënshtrohet një tregu të lirë dhe nuk ka të drejtë që me asnjë ligj të ndërhyjë në këtë. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ishte dashur të analizojë më shumë efektet negative dhe pozitive që mund t’i ketë pakoja e re fiskale.

“Ne jemi përcaktuar për ekonominë e tregut të lirë. Në çmimet në tregti dhe në sektorin privat nuk ka kompetencë shteti të ndërhyjë, pasi që nuk ka fuqi ligjore. Për këtë është dashur të mendojë më herët Ministria e Financave. Por, qëllimi ka qenë ta shtojë mundësinë e të hyrave dhe buxhetore për vitet në vijim, sepse 2-përqindëshi i rritjes së TVSH-së ka një efekt diku 50 milionë euro shtesë në buxhetin”, ka thënë ai, duke shtuar se këtë situatë më së shumti po e shfrytëzojnë tregtarët e papërgjegjshëm.

Ndërsa Selatin Kaqaniku, nga organizata “Konsumatori”, ka thënë se me ndryshimet në Ligjin për TVSH-në vetëm se është shtrenjtuar shporta e konsumatorit.

“Ministria e Financave dhe ATK-ja nuk ishin të interesuara që me pakon fiskale t’ua lehtësojë jetën qytetarit, por ta shtrenjtojë jetën e konsumatorit”, ka thënë ai. /Zëri/